4 Dhjetor, 2022

Ministrja Kumbaro tregon projektin për lumin Vjosa pas bisedës me organizatën e Leonardo DiCaprio

 Ministrja Kumbaro tregon projektin për lumin Vjosa pas bisedës me organizatën e Leonardo DiCaprio

Lumi Vjosa është prej kohësh një çështje globale në fokusin e shumë organizatave të huaja dhe personazheve po ashtu.

Kjo u pa edhe në takimin që Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro patën në fillim të muajit nëntor në Glasgow gjatë Samitit të Klimës me aktorin Leonardo DiCaprio, i cili ka qenë shumë aktiv në fushatat për promovimin dhe mbrojtjen e Vjosës.

Për këtë Mirela Kumbaro ka zhvilluar disa takime me drejtuesit e këtyre organizatave, në njërën prej të cilave është pjesë edhe aktori Leonardo DiCaprio. Lajmin e ka dhënë vetë ministrja, pas takimit që ka pasur me drejtuesit e organizatave “Re:wild”, “Patagonia Works” dhe “Tompkins Conservation”.

“Me Wes Sechrest, që përveçse është një ekspert i shkëlqyer i biologjisë dhe drejtues i organizatës Re:wild me të cilin vumë kontakt pas takimit me Leonardo DiCaprio, ramë në një mendje se për Vjosën na duhet një model i zhvillimit të qëndrueshëm, para se të shkojmë drejt shkallës më të lartë të mbrojtjes së lumit që është statusi i Parkut Kombëtar”, është shprehur Kumbaro.

Sipas ministres, kjo do të thotë se përmes këtij modeli, duhen “ndihmuar rreth 60,000 njerëzit që kanë ndërtuar prej shekujsh jetën e tyre përgjatë lumit, e po ashtu sigurohet plotësisht që gjallesat e shumta të jetojnë në habitatet e tyre natyrore.

Prandaj në vitin 2020 e kemi shpallur Vjosën zonë të mbrojtur, siç informova edhe Ryan Gellert, CEO i “Patagonia Works” dhe Kris Tompkins, presidente e “Tompkins Conservation”, dy zëra të fuqishëm në SHBA”, ka njoftuar Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, duke shtuar se Vjosa kapërcen çdo kufi dhe prandaj për të po punohet si brenda vendit ashtu edhe globalisht me të gjitha palët e interesit.

Kujtojmë që Vjosa tashmë quhet kudo si “lumi i fundit i egër në Europë” dhe për të janë krijuar shumë fushata promovimi dhe dokumentarë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *