Ministrat me më shumë këshilltarë sesa shefi i tyre, zbardhen pagesat

Zbardhen të tjera detaje nga databaza që qarkullon nëpër rrjetet sociale me pagat. Gazeta ka kërkuar sot në databazë për numrin e këshilltarëve që ka Kryeministri, por edhe ministritë përkatëse.
Sipas databazës që ekziston në “WhatsApp”, rezulton se Kryeministri Edi Rama, i cili është kreu i qeverisë ka më pak këshilltarë sesa vartësit e tij. Nga taksat e shqiptarëve për të këshilluar kreun e qeverisë për politikat e tija janë 5 persona.
Nga kjo shumë një pjesë shkon për të paguar detyrimet taksa apo të tatim mbi të ardhurat personale.
Ndërsa tre këshilltarët e tjerë të qeverisë rezultojnë se kanë një pagë prej 153300 lekë po bruto. Ndërkohë, fondi total për këshilltarët e Kryeministrit shkon 806 mijë lekë të reja.
Ministritë
Ndërkohë, nga verifikimi në databazën me paga rezulton se ministritë nuk kanë numër të njëjtë këshilltarësh dhe nivel pagash.
Shumica e ministrive kanë më shumë këshilltarë se shefi i tyre. Kështu, Ministria që mban vendin e parë për numrin e këshilltarëve sipas databazës është ajo e Bujqësisë.
Në prill të këtij viti, sipas databazës, Ministria e Bujqësisë ka pasur 9 këshilltarë. 7 prej tyre kishin pagat e deklaruara, ndërsa për dy të tjerët në databazën që qarkullon nuk ka informacion për pagën.
Ndërkohë, me një këshilltar më pak renditet Ministria e Infrastrukturës, e cila në prill dhe aktualisht drejtohet nga ministrja Belinda Balluku. Në Ministrinë e Infrastrukturës sipas databazës, janë të punësuar 8 këshilltarë.
Paga maksimale e një këshilltari në këtë institucion rezulton të jetë 134280 lekë të reja, ndërsa paga më e ulët është 102375 lekë. 8 këshilltarë rezulton të ketë pasur në muajin prill edhe Ministria e Drejtësisë, e cila në atë kohë drejtohej nga ministrja Etilda Gjonaj. Në këtë institucion paga maksimale bruto e një këshilltari rezulton të jetë 134840 lekë në muaj.
Por, ajo që bie në sy në fakt në Ministrinë e Drejtësisë është se, paga maksimale me atë minimale të një këshilltari kanë diferencë të theksuar. Sipas databazës, me pagat rezulton se paga më e ulët e këshilltarit është 32924 lekë të reja.
Sakaq, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi sipas databazës rezulton se është ministri më me pak këshilltarë. Ai ka numër të barabartë me kryeministrin Rama, pra 5 të tillë.
Sipas pasqyrave të pagave të hedhura në databazën që qarkullon tashmë, këshilltarët e Ministrisë së Brendshme, ata të Bujqësisë, ata të Ministrisë së Arsimit kanë një pagë më të ulët se homologët e tyre në ministritë e tjera.
Më të paguarit
Ajo që bën diferencën në mesin e këshilltarëve është Ministria e Mbrojtjes. Sipas databazës, ky institucion në prill ka pasur 7 këshilltarë, pak a shumë numër i ngjashëm edhe me ministritë e tjera.
Por, ajo që bie në sy në këtë rast është paga për këshilltarët. Më i paguari në këtë institucion kalon jo vetëm pagën e homologëve të tij, por madje edhe të ministrit.
Sipas databazës në fjalë, këshilltari i parë në këtë ministri ka një pagë bruto prej 255730 lekësh të reja në muaj. Këtë pagë e kanë dy këshilltarë, ndërsa këshilltari i radhës vlerësohet për mendimet e tij 162000 lekë të reja në muaj.
Edhe në Ministrinë e Mbrojtjes bie në sy diferenca shumë e madhe mes pagës më të lartë dhe asaj më të ulët. Këshilltari i fundit në këtë institucion rezulton se paguhet 15813 lekë të reja në muaj.
Ndërkohë, nëse e marrim në total numrin e këshilltarëve që janë të punësuar në çdo ministri dhe në Kryeministri taksapaguesit shqiptar japin para për rreth 70 këshilltarë.
Ndërsa fatura shkon mbi 7 milionë lekë të reja në muaj ose gati 1 milion dollarë në vit.