27 Nëntor, 2022

Mesazhet e Ramës: Lindita Nikolla, presidentja e re në vend të Ilir Metës

 Mesazhet e Ramës: Lindita Nikolla, presidentja e re në vend të Ilir Metës

Nga Adriatik Doçi

Gjykata Kushtetuese do të nisë në 1 shkurt 2022 shqyrtimin  e vendimit të Kuvendit për shkarkimin nga detyra të Presidentit Ilir Meta, për shkelje të mbi 20 neneve të Kushtetutës, për provokim të cenimit të marrëdhënieve me SHBA, cenimin e sigurisë publike, thirrje për veprime të dhunshme etj. Sipas të gjitha gjasave, Kushtetuesja mund të shprehet brenda muajt shkurt për shkarkimin ose jo të Ilir Metës si president.

Ndërkaq, kryeministri Edi Rama u shpreh sot se në muajin prill të këtij viti maxhoranca do të zgjedhë Presidentin e ri të Republikës. Deklarata e Ramës u lexua si një sinjal paralajmërues për një shkarkim të mundshëm të Ilir Metës, por në fakt procedurat për zgjedhjen e Presidentit të ri janë një detyrim kushtetues dhe nuk kanë lidhjet me fatin Metës.

Pika 2/1 e nenit 88 të Kushtetutës parashikon që Procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës. Mandati i Ilir Metës mbaron në 24 korrik të vitit 2022. Kushtetuta i dikton maxhorancës që të nisë procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri para datës 24 maj 2022.

Kushtetua nuk e kufizon Kuvendin për kohën e nisjes së procedurave për zgjedhjen e Presidentit, mjafton që procedurat të mos nisin pas datës 24 maj 2022. Pra, Kuvendi mund të nisë që sot procedurat për zgjedhjen e Presidentit të ri, i cili e fillon detyrën pasi Metës t’i mbarojë mandati.

Po çfarë ndodh nëse Gjykata Kushtetuese shkarkon Presidentin Ilir Meta para se t’i mbarojë mandati?!

Nëse Kushtetuesja konfirmon si të ligjshëm vendimin e Kuvendit për shkarkimin e Metës, në të rast vendin e tij e zë kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla. Pika 1 e nenit 91 të Gjykatës Kushtetuese parashikon që “kur Presidenti i Republikës është në pamundësi të përkohshme për të ushtruar funksionet e tij ose kur vendi i tij mbetet vakant, Kryetari i Kuvendit zë vendin dhe ushtron kompetencat e tij”. Në këtë rast, zonja Nikolla do të ushtrojë kompetencat e presidentit përkohësisht.

Nëse Gjykata Kushtetuese shkarkon nga detyra presidentin Ilir Meta, vendimi i shkarkimit hyn në fuqi ditën e shpalljes dhe publikohet menjëherë në Fletoren Zyrtare. Në këtë rast, Kuvendi është i detyruar që të nisë brenda 10 ditëve procedurat për zgjedhjen e Presidentit të ri. Ka edhe një skenar tjetër, sipas të cilit Meta mund të shtyjë vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar për axhenda të ngjeshura, me qëllim që të mbarojë mandatin.

Megjithatë, është edhe nëse Metës i mbaron mandati para se të marrë vendim Gjykata Kushtetuese, procedura për shkarkimin e tij nuk pezullohet. Pika 3 e nenit 63 të ligjit për Gjykatën Kushtetuese parashikon që “dorëheqja e Presidentit të Republikës nga detyra ose përfundimi i mandatit të tij, pas fillimit të shqyrtimit të çështjes nga Gjykata Kushtetuese, nuk përbën shkak për pushimin e gjykimit të çështjes”.

Po çfarë vlere ka nëse Kushtetuesja shkarkon Metën pasi këtij të fundit i ka mbaruar mandati? Në këtë rast, Meta hyn në histori si presidenti i parë shqiptar i shkarkuar për shkelje të rëndë të Kushtetutës si dhe humbet të gjitha privilegjet si ish- president.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *