4 Dhjetor, 2022

Mero Baze i mahnitur nga Kuvendi i Bashës: E zhveshi lakuriq Sali Berishën

 Mero Baze i mahnitur nga Kuvendi i Bashës: E zhveshi lakuriq Sali Berishën

Nga Mero Baze

Kuvendi i sotëm i Lulzim Bashës nuk vlen aq shumë për të provuar legjitimitetin juridik të PD, që është në anën e tij. Nuk vlen as për betejën kundër Berishës. Vlen për një gjë më të madhe, që është e qartë nëse dëgjoje njerëzit që folën në Kuvend. Prej Kuvendit të Partisë Socialiste më 1999, ky është Kuvendi i dytë politik në Shqipëri ku shikon që delegatët të flasin si njerëz të lirë.

Së paku 7 deri në 8 diskutime delegatësh janë shembull i shkëlqyer se çfarë prodhon liria politike në një vend.

Të ikur nga tutela e Sali Berishës dhe nga detyrimi për të mos përdorur llogjikën në çdo fjalim, por vetëm direktivat, t’i shikoje njerëz që dukeshin tërësisht normalë, tërësisht vetvetja dhe që dëshmonin pa asnjë kompleks gabimet e Lulzim Bashës në të shkuarën, qënien e tij një i emëruar i Sali Berishës dhe detyrimin për të mbrojtur vlerat e reja që prodhon ndarja e PD nga berishizmi.

Mjafton të shikoje sjelljen ndaj Bardh Kadillit, njeriut që foli në dy kuvende, për të kuptuar se ku e vërshëllyen dhe i kthyen kurrizin dhe ku e duartrokitën, edhe pse ishte i ashpër me kryetarin e tyre.

Në asnjë parti politike dhe në asnjë sallë politike të Shqipërisë së këtyre viteve, ti nuk mund të dëgjoje falime të hapura, të lira dhe mbi të gjitha logjike.

Nevoja e Lulzim Bashës për të përballuar ndarjen e vështirë me berishizmin, e la Kuvendin në duart e delegatëve dhe i dha historisë së politikës shqiptare një nga Kuvendet më të mira politike të këtyre tridhjetë viteve.

Sot ti e kuptoje se ata njerëz që ishin në atë sallë, kishin mundur berishizmin brenda vetes dhe po përbetoheshin për një politikë relaisht të re, e cila nuk e dimë sa jetëgjatë do të jetë, por ama është e sigurtë që lindi në atë sallë.

Pa dashur të përmend emra konkretë oratorësh, për herë të pare në një sallë Kuvendi në Shqipëri njerëzit kritikojnë kryetarin e partisë, sulmojnë ashpër berishizmin dhe dëshmojnë se janë gati të reformojnë një parti e cila është ndryshkur nën otomanizmin e Sali Berishës.

Është kaq e qartë kjo, sa Sali Berisha i tërbuar, nuk po pret as rezultatet qesharake të votimeve në mejhanet e Tiranës, por po nxiton tek gardhi i selisë së PD, që ta pushtojë atë me forcë, të vetmen shkollë që di të aplikojë në politikën shqiptare.

Dhe kjo është fitorja e dytë e atij Kuvendi. Ai e zhveshi Sali Berishën nga demagogjia dhe e nxorri në origjinë si një lider primitiv, të dështuar dhe të frikësuar nga e ardhmja e tij.

Prej sot ai nuk është më, as anëtar i Partisë Demokratike, por vetëm një shantazhues i saj ordiner, që me vrasës me vete shkon tek gardhi i saj.

Të gjithë e dimë që këto janë ofshamat e fundit të një bishe të plagosur rendë, që nuk e shpëton askush. Bile armiku më i madh i tij tani e tutje nuk është Lulzim Basha. Është vetë Sali Berisha i parë, ai që po përpiqej të fshihej pas Lulzim Bashës. Tani “mbreti” është lakuriq.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *