27 Nëntor, 2022

Me kë i ndan paratë e shqiptarëve guvernatori Gent Sejko?

 Me kë i ndan paratë e shqiptarëve guvernatori Gent Sejko?

Nga Adriatik Doçi

Banka e Shqipërisë është një nga institucionet më të errëta në Shqipëri. Banka e Shqipërisë nuk të jep informacion as se ku ndodhet dhe kush e drejton, pasi e konsideron ‘sekret bankar’, ndonëse ky informacion është publik!

Për shkak të tmerrit nga transparenca, shkeljes sistematike të nenit 23 të Kushtetutës dhe ligjit nr. 119/2014 për të drejtën e informimit, Banka e Shqipërisë është një nga institucionet më të goditura nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit, i cili vetëm në bazë të denoncimeve të mia, ka rrëzuar disa herë me vendime alibitë qesharake dhe banale të guvernatorit Gent Sejko, për bunkerizimin e Bankës së Shqipërisë, të cilën e konsideron si një garazh privat me para.

Për çdo kërkesë për informacion, tre janë format e reagimit të Bankës së Shqipërisë nën drejtimin e Gent Sejkos.

-Nuk kthen fare përgjigje, duke shpërdoruar detyrën.

-Kthen përgjigje, por refuzon informacionin me alibinë e sekretit bankar.

-Kthen përgjigje, por jo për informacionin që kërkohet. Të dërgon një informacion që është publike në faqe dhe që nuk ka lidhje me objektin e kërkesës.

Nuk ekziston informacioni sekret rreth veprimtarisë së autoriteteve publike dhe shpenzimit të parave publike, me përjashtim të shërbimeve sekrete, segmenteve të ushtrisë, veprimtarisë hetimore të prokurorisë dhe gjurmuese të policisë. Sekreti bankar është për bankat private dhe në këtë rast shumë i kufizuar.

Me dhjetëra herë ia kanë thënë këtë gjë Gent Sejkos Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe gjykatat e shkallës së parë. Shumë shpejt besoj se do t’i thotë edhe Gjykata e Apelit.

Sot ka një praktikë të konsoliduar për informacionin që duhet të ndahet me publikun.

Megjithatë, Gent Sejko, zyrtari me pagën më të lartë në Shqipëri, vijon të fshihet pas ‘sekretit bankar’.

Duke lexuar nëpër dosje, ditët e fundit, m’u kristalizua një dyshim i fortë se Gent Sejo ‘qeras’ me partë e Bankës së Shqipërisë, në mënyrë preferenciale dhe klienteliste, disa personazhe të botës së pastrimit të parave, mashtrimit dhe ndoshta edhe drogës, të kamufluar si pronar të disa mediave periferike.

Për të konfirmuar apo shuar këtë dyshim me interes publik, e vetmja rrugë ishte të kërkoja një përgjigje nga Banka e Shqipërisë. Dhe përgjigja ishte ‘sekreti bankar’. Sekret bankar për të mbuluar qokat e dyshuara të Gent Sjekos.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *