28 Janar, 2023

Me burrin në burg, gruaja tenton të arratiset me vajzat. Noteri dhe deklarata e babait sikur ai ishte në Shqipëri

 Me burrin në burg, gruaja tenton të arratiset me vajzat. Noteri dhe deklarata e babait sikur ai ishte në Shqipëri

Pavarësisht se falsifikatorët ndonjëherë janë aq të talentuar, sa shkresat e dala nga duart e tyre konsiderohen perfekte, ndonjëherë ata mund të zbulohen vetëm me një të prekur të tastierës.

Një grua në Tiranë, dukej si një pasagjere normale kur u paraqit në pikën kufitare. Së bashku me dy vajzat e mitura, ajo paraqiti një letër të gjatë nga bashkëshorti dhe babai i dy vajzave që deklaronte se nuk kishte asnjë problem që nëna me fëmijët po udhëtonin pa të.

Deri këtu çdo gjë dukej në rregull e po ashtu edhe shkresa që ajo mbante në duar. Vetëm se një kontroll rutinë i policit në sistemin ‘Tims’, zbuloi diçka që e hodhi poshtë skemën e gruas për të ikur së bashku me vajzat drejt Bashkimit Evropian. Burri gjendej në burg dhe jo në Shqipëri, por jashtë vendit dhe shanset që ai të lëshonte një deklaratë noteriale në vendin tonë janë krejtësisht zero.

Historinë e tregoi një burim policor që tha se shtetësja me inicialet E.M., e moshës 30 vjeçe, do të referohet për hetime të mëtejshme për akuzën e falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve. Bëhet me dije se 30-veçarja u paraqit në aeroportin e Rinasit si një pasagjere normale, teksa në krahë kishte vajzat e saj të vogla, që sipas ligjit udhëtimi i fëmijëve jashtë kufirit kryhet përherë nën pohimin dhe pranimin e të dy prindërve.

Gruaja, sipas burimeve do të udhëtonte  nga Rinasi drejt Nykopingut në Suedi dhe për këtë arsye, burimet thanë se ajo paraqiti përveç pasaportës biometrike dhe dokumentet shtesë që nevojiten sipas ligjit kur udhëtimi kryhet me fëmijët nga njëri prej prindërve dhe në mungesë të tjetrit.

Në këtë shkresë, rezultoi se një noter me inicialet M.C., autorizonte nënën e dy fëmijëve të udhëtonte së bashku me vajzat me pëlqimin dhe me vullnetin e babait. Por sipas policisë, nga një verifikim rutinor, shkresa e noterizuar me ‘Repertory 1498’, u pa e dyshimtë, pasi njëri prej oficerëve hyri në sistemin ‘Tims’ për të parë se kush ishte babai i vajzave, një shtetas me inicialet, F.XH.

Çudia e oficerit ishte e madhe, kur ai pa se babai i vajzave, jo vetëm që nuk kishte dhënë firmën për të pranuar udhëtimin e fëmijëve, por ai as që ndodhej në Shqipëri. Jo vetëm kaq, por babai rezultonte se ishte ekstraduar nga Shqipëria dhe i ishte dorëzuar drejtësisë italiane në datën 21 dhjetor 2020, si një person i shumë kërkuar nga ku shtet.

Bëhet me dije se menjëherë policia ka bllokuar deklaratën noteriale dhe gruaja është shoqëruar në ambientet e komisariatit përkatës. Burimi i Gazetasi.al, përmendi se e dyshuara ka deklaruar se do japë deklarata në një moment të dytë.

“Ishim për të udhëtuar drejt Suedisë së bashku me vajzat e mia të mitura,  por në këtë fazë të hetimit nuk jap detaje, pasi kërkoj prezencë të një avokati mbrojtës”, – cituan burimet nga qëndrimi i 30-vjeçares.

Ndërkohë, shtohet se agjentët do të mësyjnë në zyrën e noterit që ka vulosur një shkresë të tillë, që praktikisht do të sillte rrëmbimin e fëmijëve pa dijeninë e njërit prind, pasi zyrat e tij gjenden në rrugën “Kont Urani” në Tiranë.

Metoda e udhëtimit dhe përdorimit të deklaratave noteriale për të larguar fëmijët nga vendi, pa praninë e prindit tjetër, ka sjellë pesë vitet e fundit shtim masash në kufi.

Megjithatë, jo pak herë dosjet hetimore të hapura tregojnë se njëri nga prindërit ia ka dalë dhe bëhet fjalë veçanërisht për çifte të divorcuara që janë në betejë gjyqësore për fëmijët.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *