‘Mbyllet’ dosja e Tom Doshit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka vënë kapak hetimeve për ish-deputetin e PSD-së për qarkun Shkodër, Tom Doshi.
Pak kohë më parë, Prokuroria e Përgjithshme dërgoi në KQZ hetimet e thelluara ndaj Tom Doshit por që nga përmbajtja e hetimit nuk u vërejtën paraprakisht dokumente shtesë nga ato që diheshin publikisht për të.
Megjithatë, kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi e ka mbyllur çështjen në parim kur tha se procedurat për Tom Doshin do të konsiderohen të mbyllura pa vendim, pasi ai ka dhënë dorëheqjen dhe nuk ka asnjë mundësi që ta fitojë mandatin e deputetit.
Si i tillë, kreu i KQZ-së tha se Tom Doshi nuk është në kushtet ku preket nga ligji i dekriminalizimit.
“Jemi në situatë të ngjashme me rastet e tjera, ku personat për të cilat KQZ ka filluar procedurat e verifikimit përfshirë dhe procedurat e thelluara e kanë humbur cilësinë, sipas të cilës sipas ligjit do duhet ti nënshtroheshin këtij procesi.
Ky është rasti dhe i Z.Tom Doshit. Zoti Tom Doshit aktualisht nuk përfshihen në rrethin e subjekteve për të cilët do duhet sipas ligjit 138/2015, ti nënshtrohet procesit të verifikimit.
Nuk ka as mandate deputeti dhe në asnjë lloj rrethane s’mund ta fitojë atë këtë mandat.
Ndaj rekomandohet që procedura administrative të përfundojë pa vendim.
KQZ vendos të shpallë të përfunduar procedurën administrative pa vendim për përfundimtar për subjektin vetëdeklarues, Tom Gjek Doshi”, tha Celibashi.
Tom Doshi është shpallur “non grata” nga SHBA dhe për këtë arsye me herët PD-ja kishte depozituar një kërkesë në KQZ që të mos e përfshinte në listën e kandidatëve për deputet, kërkese që u cilësua e pabazuar në ligj nga KQZ. Megjithatë, KQZ dërgoi pranë organit të akuzës një kërkesë për hetime më të thelluara ndaj tij, por përgjigja vonoi plot tete muaj, kohë në të cilën Tom Doshi kishte dhënë edhe dorëheqjen nga mandati i deputetit.