5 Dhjetor, 2022

Marshimi i Berishës në selinë blu, njohje e vendimit të Bashës për shkarkimin e “komisionit të përkohshëm”

 Marshimi i Berishës në selinë blu, njohje e vendimit të Bashës për shkarkimin e “komisionit të përkohshëm”

Nga Ylli Pata

Ajo që pritej krejt normalisht pas Kuvendit të Sali Berishës në “Air Albania”, më 11 dhjetor, ishte që grupi i përkohshëm që ata zgjodhën për drejtimin e PD-së, të kishte mbërritur në seli për të marrë në dorëzim inventarin e saj.

Përveçse paralajmërim i përkrahësve të Foltores, ishte në fakt edhe një logjikë dialektike e një protokolli krejt normal, pas një vendimi, ku të gjitha institucionet e PD u shkarkuan, duke u lënë vetëm kryetari, që gjithashtu u shkarkua, por ratifikimi u la të bëhej me referendum në parti më 18 dhjetor.

E sipas kësaj logjike, i binte që menjëherë pas vendimit, në selinë e PD-së të paraqitej “Komisioni i Përkohshëm” me në krye Belind Këlliçin, e t’i paraqiste Lulzim Bashës e Gazmend Bardhit letrat e Kuvendit, në të cilat të gjithë organet e PD-së ishin shkrirë.

Por nuk ndodhi kështu: 48 orë pas Kryefoltores së stadiumit e 24 orë pas vendimit të Këshillit Kombëtar të PD-së për të shkarkuar të gjithë “Komisionin e Përkohshëm”, në selinë e PD-së kanë mbërritur një aradhë e madhe njerëzish me në krye Sali Berishën që në përbërje të saj kishin: deputetë të PD-së, e më së shumti ata që quhen mbështetës, por që janë realisht një grup “paramilitar”, që ka qenë aktiv në Shqipëri prej më shumë se 20 vitesh.

Ky marshim natyrisht që ishte zhurmues, siç në fakt ka qenë gjithë ky proces që ka nisur Sali Berisha, por më shumë ishte një tollovi, dhe me dinakëri ka shmangur thelbin e çështjes.

Në derën e PD-së ka hyrë i pari Sali Berisha, i cili më pas ka hyrë në sallat që ka gjetur bosh, por në thelb, ky marshim i Berishës ka njohur vendimin e Këshillit Kombëtar të PD-së për shkarkimin e “Komisionit Provizor”.

Kjo, sepse ky komision nuk është paraqitur si “personi juridik” i Kuvendit të “Air Albanias”, ç’ka edhe duhet të ndodhte në fakt.

Por pikërisht padia në SPAK e Gazmend Bardhit, si person juridik i njohur me ligj për PD, ndaj këtyre personave, ka shmangur një “marrje në inventar të selisë”.

E kjo është një zhvillim i rëndësishëm, pasi edhe pse Sali Berisha e sulmoi egërsisht si reformën në drejtësi, ashtu edhe SPAK-un, apo edhe SHBA-në, njerëzit që “morën në dorë drejtimin e PD-së”, thjesht hoqën dorë nga zbatimi i detyrës që u ngarkoi “Kuvendi”.

Logjikisht “Komisioni i Përkohshëm” hoqi dorë nga funksioni i tij dhe i dha ashtu siç pritej, të gjithë plotfuqishmërinë Sali Berishës.

Që në fakt të gjithë e kanë të qartë se gjithë ai tubim në qamet e harxhim milionash nuk u bë as për PD, as për militantët, as për deputetët apo “Komisionin e Përkohshëm”. U bë për Sali Berishën dhe familjen e tij, e për të rrethuar me një mburoje politike sulmon e tyre ndaj SHBA-së…

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *