30 Nëntor, 2022

Marije Kaleta, murgesha shqiptare që rrezikoi jetën e saj gjatë komunizmit

 Marije Kaleta, murgesha shqiptare që rrezikoi jetën e saj gjatë komunizmit

Marije Kaleta, një murgeshë që u nda nga jeta në moshën 92-vjeçare në dhjetor 2021, ishte një nga disa njerëz fetarë në Shqipëri që guxoi të sfidonte regjimin brutal komunist që e kishte ndaluar plotësisht fenë në vitin 1967, duke praktikuar besimin e saj në fshehtësi dhe në rrezik të madh në fshatin e saj në qarkun e Shkodrës.

Ajo kaloi vetëm shtatë vjet në manastirin e Motrave Stigmatine në Shkodër përpara se qeveria e re komuniste ta detyronte atë dhe motrat e tjera të largoheshin në mars 1946.

Ajo ishte vetëm 17 vjeçe kur u largua nga manastiri dhe u kthye në fshatin e saj, rreth 20 kilometra larg Shkodrës.

Nën diktatorin Enver Hoxha, qeveria e të cilit i deklaroi të paligjshme të gjitha fetë në përpjekjen e saj për të krijuar një shtet krejtësisht ateist, ajo rrezikoi jetën e saj duke pagëzuar fëmijët dhe duke u qëndruar pranë të sëmurëve dhe atyre në shtratin e vdekjes.

Gjatë kohës së saj në manastir, një nga mikeshat e saj më të mira ishte Roza Kraja, me të cilën ajo u ribashkua pas rënies së komunizmit në vitet 1990 dhe rikthimit të lirisë fetare.

Tani rreth 90 vjeçe, ajo i tregoi BIRN për kohën e tyre së bashku në manastir, kur ishin adoleshente dhe për ribashkimin e tyre shumë vite më vonë.

Motër Roza sot jeton përsëri në manastirin e Motrave Stigmatine ku u takua për herë të parë me Marijen në vitin 1941. Ajo iu bashkua manastirit një vit pas Marijes dhe morën së bashku mësimet e muzikës dhe fesë.

“Ajo mësonte shumë. Ishte e zgjuar dhe e përkushtuar. Ne shkonim mirë bashkë sepse kishim pothuajse të njëjtën moshë. E kam dashur shumë gjatë kohës kur ishim nxënëse bashkë”, tha ajo për BIRN.

Më 10 mars 1946, manastiri u mbyll nga regjimi dhe të gjitha nxënëset dhe murgeshat u dëbuan me forcë. Pas gjashtë vitesh bashkë, Roza dhe Marija u ndanë.

Motër Roza kujton momentin kur manastiri u mbyll. “Erdhën dy gra, ua dija emrat, por kjo nuk ka rëndësi, dhe ato thanë: ‘Duhet ta lironin manastirin sepse na duhet për të rinjtë.’ A thua ne nuk ishim të reja”, thotë ajo.

Marija u kthye në fshatin e saj Pistull, ku u bashkua me xhaxhanë e saj, Dom Ndoc Suma, prift i kishës së fshatit, dhe e ndihmoi atë derisa edhe kisha u mbyll dhe u shkatërrua.

Partia e Punës në pushtet e Hoxhës e shpalli Shqipërinë një shtet ateist në vitin 1967, duke shtuar një ndalim të besimit dhe praktikës fetare në kushtetutë dhe duke vendosur dënime të ashpra për pjesëmarrjen në ceremoni fetare dhe madje edhe për posedimin e librave fetarë.

Nëpërmjet një sistemi të organizuar propagande, përfshirë mediat dhe filmat, klerikët dhe murgeshat denigroheshin si të prapambetur, si njerëz me ndikime negative në shoqëri, si agjentë të armikut perëndimor, apo edhe si anëtarë të grupeve të armatosura të fshehta, që kërkonin të merrnin pushtetin me dhunë.

Xhaxhai i Marijes, i shpallur tashmë martir i Kishës Katolike, u burgos për 25 vjet, por u lirua pas tetë vitesh për shkak të një gjendje të rëndë shëndetësore.

Në të njëjtën shkollë së bashku me Marijen dhe Rozën ishte edhe Marije Tuçi, e shpallur martire e lumturuar nga Kisha.

E arrestuar në vitin 1949, ajo u torturua dhe vdiq në spital nga torturat që pësoi. Fjalët e saj të fundit, thuhet se ishin: “Faleminderit, Zot, që vdes e lirë”.

E praktikoi fenë në fshehtësi

Në komunizëm, Marija punonte në kooperativa – ndërmarrje shtetërore ku qytetarët punonin kryesisht në sektorin e bujqësisë.

Por në të njëjtën kohë, ajo vazhdonte të praktikonte fenë e saj fshehurazi, duke pagëzuar qindra fëmijë.

Asnjë në fshat nuk e raportoi atë tek autoritetet. Pasi BIRN pyeti autoritetin përgjegjës për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit nga viti 1944 deri në 1991 nëse kishte një dosje për Marije Kaletën, ai tha se nuk kishte.

Në një intervistë të rrallë që dha dikur për televizionin lokal Ora News, ajo kujtoi takimin e saj të rrezikshëm me disa njerëz që e kishin ndjekur dhe i kishin gjetur një objekt fetar me vete. “Çfarë keni në xhep?” pyeti njëri. Pasi ajo e tregoi, ai ia mori.

“Mund ta marrësh”, i thashë, “por gojën time nuk e merr dot. Më vjen keq vetëm se është nga xhaxhai im që është në burg”, tha ajo për Ora News.

Ajo arriti ta rimerrte pasi një grua e moshuar iu lut burrit që t’ia kthente.

Imzot Simon Kulli, që tani shërben pranë fshatit të vjetër të Marijes, ishte një nga foshnjat e shumta që ajo pagëzoi fshehurazi nën komunizëm. Ajo e pagëzoi atë një javë pasi ai lindi në 1973, tha ai për BIRN.

“Një javë pasi linda, më 20 shkurt 1973, gjyshërit më dërguan për të marrë besimin e krishterë. Më dërguan te Marija, e cila kryente të gjitha shërbesat fetare në fshat dhe fshatrat përreth”, tha ai për BIRN.

“Në vitet e komunizmit, ne fëmijët shkonim në mënyrë të organizuar tek ajo për Pashkë dhe Krishtlindje, kur prindërit na dërgonin atje për të gatuar ëmbëlsirat për festat e Krishtlindjes dhe të Pashkës”, thotë ai.

“Ajo na priste ne fëmijët. Ishte e vetmja që kishte një furrë, ku piqte ëmbëlsira. Na priste të gjithë fëmijëve, e merrte tavën dhe e fuste në furrën e saj të vogël. Më pas e çonte secilin prej nesh në dhomën e saj që të puthnim kryqin që ajo e mbante fshehur nën jastëk”, kujton ai.

Në atë kohë, askush nuk mund të shkonte në kishë apo xhami për t’u falur. Ndërtesat fetare u shkatërruan ose u tjetërsuan – u kthyen në kinema, salla sportive, stalla bagëtish, magazina dhe klube rinie.

Klerikët e mbetur gjallë u burgosën dhe u dënuan, ose u detyruan të braktisin veprimtarinë e tyre.

Pjerin Mirdita, ekspert i historisë, tha për BIRN se me kalimin e viteve, praktika fetare u bë edhe më e vështirë.

“Motër Marija i pagëzonte fëmijët me ujë lumi, ruante fshehurazi bukën për t’ua dhënë priftërinjve që ta përdornin dhe u shpërndante Ungjillin të gjithëve. Ajo vuri në rrezik jetën e saj në vitet më të vështira të regjimit komunist të Enver Hoxhës.

“Por puna e motër Marijes në ato vite nuk ishte e izoluar”, shtoi ai. “Shumë besimtarë e sfiduan fshehurazi regjimin”, tha Mirdita për BIRN.

Paulin Kola, 69 vjeç, ishte fqinji i Marijes dhe jeton ende në fshatin Pistull. Ai thotë se ajo pagëzoi të gjithë familjen e tij, duke përfshirë atë, në fshehtësi dhe se ruante sende të vogla nga kisha.

“Pasi u mbyllën kishat në ’67, Motër Marie u kujdes për të gjitha figurat që ishin në kishë dhe më kujtohet si sot magazinë e quheshin atëherë i mblodhi të gjithë shenjtët dhe shenjtoret që ishin në kishë dhe i ruajti me shumë dashamirësi,” tha ai për BIRN

“Ajo e duroi me shumë sakrifica epokën komuniste. Ishte një jetë shumë e vështirë. Ajo kishte detyrën e saj të bënte punë fetare dhe e realizoi me gjithë zemër”, shtoi ai.

E gëzuar pamasë që pa kishat të rihapeshin

Pas rënies së komunizmit, Shqipëria pushoi së qeni një vend ateist. Marija mundi ta praktikonte besimin e saj hapur dhe u ribashkua me Roza Krajën, shoqen e saj të fëmijërisë.

Në vitin 2014, ajo takoi Papa Françeskun gjatë vizitës së tij në Shqipëri dhe ndau me të historinë se si kishte pagëzuar foshnjat në fshehtësi gjatë komunizmit.

Ajo kujtoi një herë që po kthehej nga puna dhe dëgjoi një zë nga pas.

“Ishte një grua me një vajzë në krahë që erdhi me vrap drejt meje dhe më kërkoi ta pagëzoja. Kisha frikë se e dija që gruaja ishte komuniste dhe i thashë se nuk kisha me çfarë ta pagëzoja se ishim në rrugë, por ajo shprehu aq shumë dëshirë saqë më tregoi se aty pranë ishte një kanal me ujë.

“I thashë se nuk kisha me çfarë ta merrja ujin, por ajo këmbënguli aq shumë që ta pagëzoja atë fëmijë, dhe duke parë besimin e saj, hoqa opingën time prej llastiku, e mbusha me ujë nga kanali dhe e pagëzova.”

Ajo i kaloi ditët e saj të fundit me motrën Roza Vneshtën dhe Hane Qosajn në Pistull, në manastirin e tyre të vogël.

Motër Roza e përshkruan atë si një “njeri të sakrificës”.

Ajo thotë se një nga momentet më të lumtura të Marije Kaletës ishte kur kishat u rihapën. “Momenti më i bukur për të ishte kur u rihapën kishat. Ajo e kishte pritur shumë gjatë këtë moment”, tha ajo për BIRN.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *