5 Dhjetor, 2022

Lulzim Basha reagon për vdekjen e të atit: Zoti e mori me dinjitet, iku i rrethuar me dashuri

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka bërë reagimin e parë publik pas humbjes së babait të tij, Xhelalit nga një sëmundje e rëndë.

Me anë të një postimi në Facebook, duke shpërndarë foton e të atit të ndjerë, Basha falenderoi të gjithë miqtë që e kishin ngushëlluar në momentin e vështirë, duke mos i kursyer fjalët as për bluzat e bardha.

“Sot i dhamë lamtumirën babait tim Xhelalit i cili u nda nga kjo jetë pas një beteje të gjatë, duke na hidhëruar dhe ligështuar mamanë time Remzijen, mua dhe vëllain tim Erlindin, Aurelën, vajzat, familjarët dhe miqtë e shumtë të tij dhe familjes. 

Ai u largua në paqe i rrethuar nga dashuria dhe përkujdesi i njerëzve të tij të dashur. Në këto momente dhimbje të rëndë për familjen tonë, falenderojmë me mirënjohjen më të thellë të gjithë miqtë dhe dashamirët që na u gjendën dhe na lehtësuan, me praninë, mendimet, mesazhet, lutjet dhe mbështetjen e tyre. 

Falenderojmë mjekët, infermierët dhe të gjithë personelin shëndetësor për përkujdesjen e tyre të dhembshur për babain gjatë gjithë kësaj periudhe. 

Për familjen tonë kjo është një humbje e madhe. Por po kaq i madh është ngushëllimi që Zoti e mori me qetësinë dhe dinjitetin që i fali në çdo çast të jetës së tij, si dhe lutjet tona që shpirti ti prehet në paqe!,”-shkruan Basha.

Babai i kreut të Partisë Demokratike mbylli sytë në moshën 85-vjeçare dy ditë më parë, në shtëpinë e tij. Xhelal Basha kishte qëndruar për muaj me radhë në spital, duke shpresuar se do ta mposhtte sëmundjen e rëndë të tumorit, e cila fatkeqësisht i mori dhe jetën.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *