Lulzim Basha që duhej të ishte para 4 viteve, se tani ka dalë “bajlozi” i demokratëve në shesh!

Lulzim Basha ka hedhur në Lanë pjesën e butë dhe të bukur të një udhëheqësi opozitar, me të cilën mendoi se do t’ia dilte të mundte regjimin e Edi Ramës.
Në fakt, ky Lul Basha që po shikojmë nga pak e përditë fill pas largimit që i bëri ish-liderit demokrat, Sali Berisha, do ti duhej PD dhe opozitës që para katër viteve.
Të gjithë kemi parë një Lul Bashë të qeshur, që fliste me shumë kulturë dhe që kur protestuesit opozitarë hidhnin shishe molotovi te porta e regjimit ai bëhej keq. Nuk pranonte përballje të fortë me Edi Ramën.
Natyrisht që duhet të gjykojnë dhe analizojnë pas shume viteve kur të jenë qartësuar gjërat, por e vërteta mbetet se Basha nuk ishte lideri që i duhej opozitës përballë një qeverie e cila ka futur gjithçka në dorë.
Basha ka qenë i dyzuar mes qenies kryetar PD-je dhe hijes së madhe të Berishës në selinë blu e kudo nëpër partitë e opozitës.
Në fakt Basha kur e mori drejtimin e PD-së e kuptoi si dhuratë e jo si detyrim ndaj popullit opozitar dhe si përbetim para Kombit se do të rrëzonte qeverinë e Ramës e cila i ngjan pushtetit të Erdoganit në Turqi.
Edi Rama nuk rrëzohet me fjalime në parlament, ndonëse edhe ato duhen. Edi Rama e njeh mirë artin e poshtërimit duke të mikluar si “Luli është i mirë” etj.
Por Basha duhej të ishte me kohë ky që po duket këto javë të fundit. Tani është pak vonë!
Ai duhej ti përcaktonte Berishës që në mandatin e tij të parë si kryetar PD-je që “ose largohu dhe më lër mua drejtimin dhe krejt përgjegjësinë ose merri çelësat e selisë blu se unë po iki”.
Ose së paku që në vitin 2017.
Dhe më pas kishte krejt përgjegjësinë për drejtimin e Opozitës, i vetëm dhe pa asnjeri nëpër këmbë.
Më pas duhet të ikte nga drejtimi kur humbi në vitin 2021.
Flasim nëse do të ishte pa Saliun.
Tani Basha ka nxjerrë pjesën e egër të fshehur deri tani pas buzëqeshjes fine. Po sulmon Berishën dhe dje pati kurajën e munguar prej vitesh të thoshte se “iku koha e Berishës në PD”. Gjithashtu ka filluar aksionin e fortë dhe të drejtë në luftën kundër oligarkëve.
Kjo është betejë e egër pasi ky kontingjent të pasurish janë realisht pushteti. Ata kanë mbi 96 për qind te depozitave në leke e euro të krejt shqiptarëve, ata drejtojnë dhe mbajnë qeveritë. Edhe në kohën e Saliut dhe te Bashës oligarkët merrnin gjithçka.
Por më mirë vonë se kurrë!
Këtë pamje të fortë e Bashës këto ditë Shqipëria e kishte nevojë sidomos para katër viteve.
Tani është pak vonë, pasi ka dalë “bajlozi” nga gjiri i demokratëve të revoltuar dhe po merr përpara gjithçka.
Ndaj duket mision i pamundur për Bashën tani që është bërë ai që duhej të ishte bërë para katër viteve!