Lulzim Basha nuk humbi më 6 mars, doli barazim me Berishën

Nga Preç Zogaj
“Vae Viktis”, thotë një shprehje e vjetër latine. Që në shqip përkthehet “ mjerë të humburit”. Kurrizi i tyre mban gjithçka. Shkaqe te arsyeshme dhe idiote. Inate të bartura, shqelmime të befta, anatema, gjykime të formës së prerë. Nga kushdo që ka në dorë një gurë për tua hedhur.
E kam parë fytyrën e humbjes në fytyrën time në pasqyrë. Me është dhënë rasti ta shoh tre- katër herë në fytyrën e Sali Berishës. Të Edi Ramës kur po humbte zgjedhjet për kryetarin e bashkisë së Tiranës në vitin 2011. Të Lulzim Bashës në zgjedhjet e vitit 2017.
Humbja ka një spikamë që të lë të heshtur edhe kur ke diçka për t’i thënë- qortim, kritikë, kërkesë llogarie apo largimi- atij që e mishëron atë në shtangien e tij, në pamjen e tij të menduar, të vrarë, ku duket sikur ora ka ndaluar. Në këtë fragment të trishtë të humbjes heshtja zakonisht e shtyn fjalën për nesër, për pasneser. Sepse e vërteta nuk ikën, nuk ka ku shkon. Aty është. Ajo madje mund të kapet më mirë pasi të ftohen pak emocionet dhe të dekantojë turbullimi.
Përse humbi PD në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit në gjashtë bashki? Para se të hedh edhe unë dy tre arsye në festivalin e shumë arsyeve, duhet të themi se këto zgjedhje nuk ishin dhe nuk janë udhëkryqi i madh i historisë sonë, siç po fryhen lart e poshtë. Është shumë -shumë e sforcuar t’u vësh këtë barrë. Ambasadori gjerman u dëgjua të thoshte ditën e votimeve nga Shkodra se kishte ardhur në këtë qytet veç të tjerave edhe për të shuar një kuriozitet – çfarë janë dhe si janë këto zgjedhjet e pjeshme që nuk ekzistojnë në Gjermani. Te ne ekzistojnë. Ato fitohen gjithmonë nga ata që drejtojnë bashkitë në garë. Siç ndodhi edhe kësaj radhe ku pesë bashki që kishin socialistët i fituan po socialistët dhe një që kishte mbetur e PD-së që nga zgjedhjet e vitit 2015, por kishte kaluar me Levizjen e Berishës, e fitoi kjo Lëvizje.
Brenda kotësisë se zhvillimit të tyre sa u takon shanseve për të sjellë ndonjë ndryshim, zgjedhjet e pjesshme kanë patur edhe qëllime: rëndom ato janë përdorur si laboratore të eksperimentimit të manipulimeve të reja. Një shembull tipik ilustrues ka qenë rasti i zgjedhjeve të pjesshme në Dibër në vitin 2016 . Motivi i shkarkimit para kohe të kryetarit të zgjedhur atëherë, që i hapi rrugë zgjedhjeve të pjesshme, sugjeronte një reagim të madh popullor kundër PS-së. Në fakt kur u numëruan votat doli ndryshe. Falë eksperimentimit të rrethimit të shumfishtë të zgjedhjeve nga qeveria, eksperiment i sukseshëm që u zbatuar gjerësisht në zgjedhjet politike të mëvonshme. Kaq për rëndësinë e zgjedhjeve të pjesshme.
Kësaj radhe mbi supet e tyre u vu barra për të matur mbështetjen e Levizjes hakmarrëse të Sali Berishës dhe aleatëve të tij kundër Lulzim Bashës dhe PD-së që ka mbështetur qëndrimet e këtij të fundit në linjë me SHBA për të sanksionuarit non gratta, një prej të cilëve është Sali Berisha. Ato u shpallën në një moment paqartësie për të vërtetën e krizës brënda PD-së, me një Berishë në sulm të pandalshëm dhe me një Bashë kryesisht në mbrojtje dhe në asimetri me sulmet e Berishës. Kriza ka patur nevoje për kohë që të sqarohet më mirë. Zgjedhjet e datës gjashtë mars do ta kapnin në kundërkohe PD-në. Ashtu siç pritej dhe bash për arsyen për të cilën u zhvilluan në atë datë, kualicioni trepalësh “Shtëpia e Lirisë” e realizoi objektivin që kishte për të nxjerrë PD-në në vend të tretë dhe për të nxitur e shpresuar mbi këtë bazë tretjen e saj në Levizjen për Rithemelimin të udhëhequr nga Berisha.
Në vend që të njihen reciprokisht si dy opozita kundërshtare me njëra- tjetren për arsyet që dihen, pala e Rithemelimit dhe disa prej mbështetesve e saj mediatikë, me padurimin që ecën para ngjarjeve dhe realiteteve, po i trajtojnë demokratët që votuan PD-së si rrugëhumbur dhe vetë PD-në si një subjekt të shpartalluar. Duke nënvleresuar apo injoruar faktin se pavarësisht dizavantazheve të dukshme dhe kohës së papërshtatshme , PD, po të heqim Vorën ku praktikisht konkurroi sa për sy e faqe, pa patur as komisonerë, ka marrë mbi 15 përqind të votave, ka dalë në vend të dytë në bashkinë e Rrogozhinës, ka marrë në Dibër me shumë vota se Lëvizja e Berishës, që qëndron nja dyzet vota përpara vetëm falë faktorit LSI. E njoh aspektin meskin të këtyre llogaritjeve, por për sa kohë që “beteja” po bëhet kush është para tjetrës mes dy grupimeve humbëse nuk mund ty mos bëhen.
Avantazhi i pastër i Levizjes së Berishës është më e vogël se sa po thuhet nëse i zbriten votat e LSI që janë të konsiderueshme në të gjashtë bashkitë, të PDK-së që nuk janë të papërfillshme sidomos në Bashkinë e Shkodrës dhe të ca partive të tjera të vogla të kualicionit opozitar të 25 prillit që nuk u rreshtuan nga pikmapja formale në zgjedhjet e pjeshme, por kanë votuar Shtëpinë e Lirisë. Sigurisht PD ka humbur, rrezultatet e saj në Durës dhe Lushnjë janë larg pritshmërive, gjë që nuk mund ta themi për Shkodrën, Dibrën dhe Rrogozhinën ku sipas meje rrezultatet i përgjigjen pritshmërive në rrethanat e çarjes dhe turbullirës së madhe të momentit kur u zhvilluan. Në këto tre bashki mendoj se PD ka marrë me shumë se sa i ka taksur tërë kohës pala kundështare brënda saj.
Vëtë Lëvizja e Berishës pa LSI dhe partitë e tjera të vogla, ka marrë më pak se sa i takste vetes së vet përgjatë kësaj kohë. Të gjitha këto i themi për të nderuar të vërtëtën ashtu siç është dhe aspak për të justifikuar humbjen e PD-së. Humbja ka disa shkaqe që janë të rrethanave dhe brënda saj. Unë do të veçoj këtu si arsye të rrethanave jashtë PD-së faktin që kjo parti dhe kryetari i saj Lulzim Basha shkuan në këto zgjedhje duke qenë nën agresionin e Sali Berishës dhe mbështetesvë të tij për gjashtë muaj me radhë. PD shkoi e shqyer në këto zgjedhje dhe kush ka menduar një rrezultat normal të saj në këto kushte është minimalisht naiv. Në lidhje me qëllimin e nxjerrjes së renditjes mes dy pjesëve të PD-së, këto zgjedhje ishin shumë larg së qëni laboratorike. Berishës i duhej ti bëntë shpejt sa pa u sqaruar në dritën e trasparencës dhe drejtësisë, qoftë në Francë ku ka bërë padi, qoftë në Shqipëri, brendia e shpalljes së tij non grata nga SHBA. Basha kishte nevojë për kohë. Që nuk e pati.
Mjafton kjo për të shpjeguar vështirësitë me të cilat u ndesh PD-ja zyrtare. Por nuk mbaron këtu. Zgjedhjet e 6 marsit në gjashtë bashki janë një miniaturë e zgjedhjeve të 25 prillit sa i takon rrethimit të tyre me një arsenal mjetesh të paligjshme që PD nuk i zotëron dhe është zotuar të mos i përdorë edhe po ti ketë, siç janë paratë e korrupsionit për blerje votash, përdorimi i pushtetit, grupet kriminale. Rrethimi i zgjedhjeve dhe reduktimi i i garës kryesisht në arenën e pushtetit dhe parave të pista është një prej shkaqeve të abstenimit të lartë që kanë mijrëra e mijëra qytetarë, kryesisht demokratë, të neveritur nga zgjedhjet si bisnes apo mburojë për politikanët dhe jo si shans për qytetarët. Në kontekstin e të qënin nën agresion, të pabarazisë së mjeteve dhe mbi të gjitha të aleancës në veprim kundër PD-së në këto zgjedhje të gjithë kastës plurale poitike, ekonomike dhe mediatike që përfaqëson establishmentin njezet e pesë vjeçar në Shqipëri, janë për tu përgëzuar përnjimend kandidatët Xhemal Bushati në Shkodër, Ferdinand Saraçi në Rrogoshinë, Luan Haka në Dibër, por edhe të tjerët, sikurse gjithë votuesit e PD-së që hodhën votën për vizionin e së ardhmes dhe në respekt të përcaktimeve statuore të PD-së për orjentimin perendimor euroatlantist të saj.
Nga ana tjetër fushata nxori në pah dobësitë e mëdha organizative të PD-së, vonesat e saj në nxjerrjen e kandidatëve, njëlloj plogështie që kontrastonte me fushatën aktive dhe agresive të Shtëpisë së Lirisë. E vërtëtë se mbizotëroi moderacioni dhe konstruktivizmi në fjalimet e Luzim Bashës; e vërtetë se kandidatët e PD-së në tërësi paraqitën një model tjetër. Por në një garë të pjesshme dhe të imponuar, që është kurdisur për të të bërë keq , dalin në plan të parë qasjet e mbijetesës dhe kthimit të goditjeve në kuptimin politik të fjalës. Në këtë fushatë, në raport me sulmet e parreshtura të Berishës kundër tij, Lulzim Basha u rikthye në përdorimin e asimetrisë, njëlloj si në tre muajt e parë të Foltores, që janë edhe tre muajt e boshllëkut të madh që la ai në bazën e partisë ku u dëgjua vetëm zëri i Berishës.
Sidoqoftë, sot jemi këtu jemi. Gjeja me e trishtë dhe madje qesharake është të kunduarit e fitores nga humbësit e vendit të dytë. Në një kohë kur ka humbur gjithë opozita. Përçarja e opozitës nuk i ka dhënë asnjë fitore PS-së në kuptimin e numrave të zgjedhësve që kanë marrë pjesë në votim. Por i ka dhënë në kuptimin e abstenimit të pashëmbullt që ka goditur fuqishëm pikërisht subjetet e opozitës, PD, Levizjen e Rithemelimit , LSI e tjerë. Mendoj se goditjen me të madhe nga abstenimi duhet ta këtë marrë PD-ja. Shtëpia e Lirisë ka qenë në fushtatë përmanente nga shtatori i vitit të kaluar deri ditën e fundit të fushatës së 6 marsit. Ajo ka patur kohë ti marrë dhe i ka marrë numrat e vet, duke e përmbushur në ektrem përpjekjen. Ndëkohë që PD nuk ka mundur të nxjerrë në votim një numër shumë të madh demokratësh që ndërsa e kanë ndarë mendjen të mos votojnë Berishën kanë qenë dhe janë hezituese, ose të pabindur me Bashën.
Nëse konsiderojmë kampionin e 6 marsit, dy pjesëve të PD-së, të madhes dhe të voglës , u duhet duhej të çojnë në zgjedhje rreth dyqind mijë zgjedhes me shumë për të shpresuar rrotacionin. Kjo është sfida. Përballë kësaj sfide, unë shoh se PD është sot një rrugë e ngushtë, por e hapur në përpektivën e saj euroatllantise me mbështetje amerikane dhe europiane. Ndërkohë që Levizja e Berishës është sot një rrugë më e gjerë, por e mbyllur në pespektivë për shkakun e njohur të statusit non gratta të zotit Berisha. Kjo situatë do të ndryshonte vetëm nëse SHBA do të tërhiqnin qëndrimin e tyre të përsëritur se do të ndërprisnin marrëdhëniet me PD dhe çdo parti që drejtohet apo zotërohet nga një i shpallur non grata prej tyre. Me këtë rast do të mund të verifikonim edhe bindjen e shumicës së mbështetesve të Berishës se “SHBA negocion me të fortin”, bindje e cila eshtë investuar nga narrativa origjinale e Berishës për arsyet e shpalljes dhe statusin e non gratave. Opsioni i bashkimit, për aq real sa është e mund të jetë, presupozon një shartim të rrugës së gjerë me rrugën e hapur. Asnjëra nuk ia del pa tjetren. Për këtë temë rezervoj të drejtën të shkruaj në ditët në vazhdim.
Për momentin, ndërsa humbja ka ngritur siparin e analizave, reflektimeve , gjykimeve, ripozicionimeve, kurbaneve, e tjerë, mendoj se zgjedhjet janë i vetmi mjet i takimit real me anëtarësinë dhe i legjitimit me votë të lirë të çdo drejtuesi në gjithë piramidën demokrate nga seksioni më i thjeshtë deri te kryetari i saj. Këtu e shoh unë zgjidhjen e parë të bashkimit dhe ringritjes.