5 Dhjetor, 2022

Lufta ndaj synetllëkut, çfarë e tërboi Feçor Shehun dhe raportet e hetuesisë në komunizëm: Drago Dhore bëri synet 23 fëmijë, mori 2 310 lekë

 Lufta ndaj synetllëkut, çfarë e tërboi Feçor Shehun dhe raportet e hetuesisë në komunizëm: Drago Dhore bëri synet 23 fëmijë, mori 2 310 lekë

Nga Hasan Bello

Në mjekësi ajo që njihet si “circumcision” në gjuhën popullore quhet “synetllik”. Kjo traditë rrjedh nga fetë monoteiste dhe praktikohet gjerësisht prej qindra e qindra vjetësh nga hebrenjtë dhe myslimanët e mbarë globit. Ky rit praktikohej edhe tek shqiptarët myslimanë. Ai konsiderohet si përmbushje e një detyrimi fetar që ka të bëjë me çështje të higjenës dhe aspekteve të tjera, të cilat vlerësohen edhe nga shkencat mjekësore. Zakonisht me këtë “profesion” mereshin berberët, xherahët popullorë ose mjekët.

Me vendosjen e regjimit komunist dhe ndalimin fesë në vitin 1967, bërja synet e fëmijëve do të konsiderohet si zakon prapanik dhe ushtrimi i këtij “profesioni” si vepër penale.

Pavarësisht këtyre masave, përndjekjes së autoriteteve policore, Sigurimit të Shtetit dhe hetuesisë, prindërit e shumë qyteteve dhe fshatrave nuk hoqën dorë.

Por si shihej nga regjimi komunist ky fenomen? Për këtë do t`i referohemi një raporti të zëvendësministrit të Punëve të Brendshme Feçor Shehu drejtuar Sekretarit të Komitetit Qendror të PPSh-së, Hysni Kapos “Mbi disa probleme që dalin nga proceset penale në drejtim të kryerjes së syneteve”.

Sipas Feçor Shehut, i cili ishte drejtues i hetuesisë, gjatë muajve gusht, shtator, tetor të vitit 1974 organet e hetimit në rrethin e Tiranës, Durrësit, Elbasanit dhe Matit kishin ndjekur 6 çështje penale me 10 të pandehur, nga të cilët 7 në gjendje arresti për arsye se, në bashkëpunim ose individualisht, kishin bërë synet një numër personash.

Nga hetimet që kishte zhvilluar organi i hetuesisë “për të zbuluar shkallën e shtrirjes së këtij krimi, personat e implikuar dhe shkaqet që e kishin lejuar” rezultonte se duke nisur që nga viti 1971 ishin kryer synete në fshatrat e Baldushkut, Ndroqit e Shupalit. Ndërsa në rrethin e Durrësit, Elbasanit dhe Matit, ishin kryer gjatë muajve korrik, gusht e shtator të vitit 1974, respektivisht në zonën e Kavajës, Funares së Elbasanit dhe në Gurin e Bardhë të Matit.

Personat e bërë synet zakonisht ishin të moshës 1-4 vjeç dhe vetëm njëri prej tyre ishte i datëlindjes 1956. Organi i hetuesisë shprehte shqetësimin se numri i personave të bërë synet nuk ishte i vogël.

Kështu, sipas këtij raporti, vetëm në zonën e Durrësit gjatë muajve korrik-shtator ishin bërë synet 37 persona. Për ta relativizuar aplikimin e këtij fenomeni theksohet se shumica e prindërve ishin kooperativistë, me mbeturina të theksuara fetare.

Por në mesin e tyre kishte edhe shumë anëtarë partie. Kjo tregon se ky rit, ishte rrënjosur thellë në psikologjinë e shoqërisë shqiptare.

Pjesa dërrmuese e prindërve që i bënin fëmijët synet ishte në fshat. Ushtruesit e këtij “profesioni”, sipas raportit, ishin elementë të prirë nga ndjenja e fitimit, parazitë që ushtronin zanatin e berberit, ose që më parë ishin marë me xherahllëk, ish-infermierë etj.

Kështu, për ta ilustruar këtë merrej si shembull rasti i berberit nga Durrësi Drago Dhore, i cili në bashkëpunim me dy punëtorë të ndërmarrjes së peshkimit, me ndërmjetësinë e rojes së kooperativës së fshatit Bago, me 27 gusht 1974 kishte shkuar në Bago e Karpen të Kavajës dhe kishte bërë synet 23 fëmijë të tetë fshatarëve, duke i marrë një shumë prej 2310 lek.

Kjo konsiderohej si sfidë e hapur ndaj sistemit dhe një lloj disidence ndaj imponimit të normave të moralit socialist.

Një rast tjetër ishte ai i Q.K me banim në Tiranë, i cili dikur kishte ushtruar profesionin e xherahut dhe që në korrik-gusht 1974 kishte bërë synet 13 fëmijë duke përfituar 400 lek. Ish-infermieri V.L i cili ishte dënuar katër herë për kryerjen e këtij krimi, sapo kishte dalë nga burgu, duke shkuar për në fshatin e tij në Korçë, ishte ndalur në katundin Preç të Funares së Elbasanit dhe atje kishte bërë synet 7 fëmijë duke përfituar 1000 lek.

Ndërmjet tyre ishte edhe djali i një ndihmësgjyqtari. Kështu do të ndodhte edhe me djalin e kryetarit të Këshillit po të mos kishte ndërhyrë i vëllai i tij.

Raporti i hetuesisë thekson se ushtruesit e këtij “profesioni” për të bërë fëmijët synet lëviznin natën, duke shkuar derë më derë e fshat më fshat.

Kjo bëhej për t`i shpëtuar organeve policore, operativit të zonës dhe bashkëpunëtorëve të tij. Por nuk mungonin raste kur ata e ushtronin këtë “profesion” në rrethe të tjera. Kështu kishte vepruar R.I nga fshati Besh i Tiranës, ish kulak, i cili në muajin shtator kishte shkuar në Gurin e Bardh në Mat ku kishte bërë synet 16 fëmijë të 9 familjeve kooperativiste.

Praktikimi i syneteve fshehtazi bëhej me metoda primitive, duke shkaktuar shpesh infeksione tek fëmijët e vegjël. Por nuk mungonin edhe raste kur ato bëheshin nga punonjës të sistemit shëndetësor brenda institucioneve spitalore.

Kështu, Dh.C me profesion ndihmës mjek në poliklinikën qendrore të Tiranës, pasi kishte rënë dakord me të pandehurin E.P, mjek kirurg në spitalin nr.2, kishin bërë synet 6 fëmijë nga fshatrat e Tiranës, prej të cilëve 2 në spital, 1 në poliklinikën e lagjes nr.4 gjatë kohës kur kryente shërbimin e mjekut roje dhe 2 në shtëpinë e ndihmësmjekut Dh.C, duke marë si shpërblim 1600 lek.

Por akoma dhe më tronditëse për organin e hetuesisë ishte veprimi tjetër i ndihmësmjekut Dh.C, i cili duke shfrytëzuar besimin që kishin disa mjek ndaj tij, kishte përgatitur raporte shtrimi me diagnoza fiktive.

Pasi ishin firmosur prej mjekëve, ato ishin përdorur për të shtruar në spital disa fëmijë nga fshatrat e Tiranës, me pretekstin e një operacioni të nevojshëm. Në fakt, arsyeja e vërtetë e shtrimit të këtyre fëmijëve, ishte bërja synet.

Raste të ngjashme organi i hetuesisë kishte konstatuar në disa rrethe dhe spitale të vendit. Drejtuesit e Ministrisë së Brendshme harronin se një pjesë e atyre që bëheshin synet e kishin të domosdoshme në aspektin mjekësor. Prandaj të çoje përpara gjyqit të gjith mjekët që i kryenin këto veprime për shkak të profesionit, ishte anormale.

Qëndrimi absurd i hetuesisë del më qartë kur përcakton shkaqet që kishin influencuar në ardhjen e këtyre “pasojave”. Përdorimi i konceptit “pasojë” vinte për arsye të klasifikimit të synetit si vepër penale. Nga hetimet ishte arritur në konkluzionet se, praktikimi i synetit në një masë kaq të gjerë vinte për këto shkaqe:

1.Nuk ishte zhvilluar punë konkrete ideopolitike në atë shkallë që të formoheshin bindje të thella edhe tek këta persona të veçantë, për të kuptuar përmbajtjen reaksionare, fetare, antishkencore dhe shëndetësore të këtij veprimi.

2.Kishte munguar kontrolli dhe mbikqyrja e vazhdueshme e drejtuesve të ndërmarrjeve, kryesive të kooperativave bujqësore dhe e organizatave të masave në drejtim të personave, të cilët bënin fëmijët synet.

3.Qëndrimi liberal e papërgjegjësi e shfaqur në një numër mjekësh, të cilët hidhnin firmën nëpër dokumente dhe për të sëmurë që nuk i kontrollonin.

4.Procedura e shtrimeve në spitalin nr.2, për operacione të vogla, nën pretekstin e të cilave ishin kryer synetlliqet, nuk ishte e përshtatshme, për arsye se për një shtrim të tillë, firmoste vetëm një mjek ose ndihmës mjek.

5.Drejtoria e spitalit nr.2 dhe Ministria e Shëndetësisë nuk kishin ushtruar kontroll në shkallën e nevojshme për tu prerë rrugën operecioneve të tilla fiktive, që në të vërtetë mbulonin synetet dhe parregullsitë e tjera.

Këto konkluzione të Feçor Shehut me cilësinë e zëvendësministrit të Brendshëm dhe drejtuesit të hetuesisë janë tregues i qartë se deri ku arrinte kontrolli dhe represioni i regjimit komunist. Qytetari shqiptar privohej nga e drejta themeltare e praktikimit të një norme religjoze, ose tradite qindra vjeçare, që kishte të bënte krejtësisht me diçka private.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *