Loja me çmimet e naftës në Shqipëri

Nga Endri Tafani
Loja me çmimet e naftës në Shqipëri është e thjeshtë. Dy janë aktorët e pangopur. Shteti dhe privati.
Nafta që blejnë grosistet qëndron në depozitat në port në regjim doganor. Kjo do të thotë që për to nuk paguhet dogana dhe taksat në atë moment.
Kur pikat e karburantit ngelin pa naftë, bëjnë kërkesë tek grosistet. Shkon autoboti në Durrës e merr ca naftë nga depozitat aty.
Këtu fillon loja.
Shteti shqiptar nuk llogarit detyrimet mbi çmimin që është blerë nafta realisht para një muaji kur është futur në depozite, por me çmimin e referencës që është çmimi i bursës në ato momente kur bëhet tërheqja nga depozita.
Shembull. Ti mund ta kesh blerë fucine me 80 dollarë para një muaji dhe ta kesh futur në depozitë në Durrës. Por shteti shqiptar nuk pyet fare qe e ke blere me 80 dollarë.
Në momentin që ti shkon aty me autobot për ta tërhequr e çuar në pikat e karburantit, shteti shqiptar shikon çmimin në Bursë 130 dollarë dhe të llogarit detyrimet mbi atë çmim në atë moment.
Kjo është arsyeja që çmimi kërcen papritmas me 20 % brenda natës kur rritet në Bursë. Jo se spekulojnë direkt tregtarët e karburantit, por se shteti shqiptar është i pamoralshem që aplikon çmimin e referencës në momentin e zhdoganimit dhe jo çmimin real të blerjes.
Ky është roli i lojtarit të parë. Shteti i pamoralshëm shqiptar. Kjo është arsyeja pse kur rritet nafta në Bursë çmimi rritet në Shqipëri brenda natës.
Po kur nafta ulet në Bursë pse nuk ulet në Shqipëri?
Kur çmimi i naftës ulet në Bursë problemi është tek imoraliteti i tregtarit të karburanteve. Detyrimi doganor është më i ulët për tregtarin, por tashmë njerëzit janë mësuar me atë çmim dhe tregtari vazhdon me çmimet e vjetra duke futur me tepër lekë në xhep.
Imoraliteti i shtetit që përdor çmimet e referencës sipas interesit dhe imoraliteti i tregtarit që shfrytëzon psikozen e konsumatorit janë dy faktorët kryesorë pse çmimi i naftës në Shqipëri kërcen menjëherë lart kur rritet në Bursë dhe rrallëherë ulet poshtë edhe kur në Bursë bie jashtëzakonisht shumë.
Duke parë pangopesine e qeveritarëve për fonde nga tatimet e taksat që mund t’i përdorin për tendera, si dhe fuqinë e madhe që oligarket e naftës kanë mbi politikanët aktuale, dyshoj që ky problem mund të zgjidhet ndonjëherë më këta politikane që kemi.