Loja e pisët e Bashës dhe shkatërrimi i PD

Nga Endri Tafani
Thirrja e Kuvendit Kombëtar në 18 dhjetor nga Basha është thjesht një lojë që mund të cilësohet e pisët, por tregon sesi do jetë e ardhmja e PD. Një qorrsokak juridik në dyert e Gjykatës.
Po ta kapim nga ana logjike e parimore. Nëse vetë Basha thoshte deri sot në mëngjes që “nuk do mblidhte Kuvend.. vendimi ishte i tij personal e nuk do lejonte Partinë të përplasej me Ameriken” etj etj. pse papritmas vendosi të thërrasë një Kuvend brenda pak orësh?
Të vazhdojmë akoma me logjikën. Kuvendi është thërritur në datë 11 nga një mbledhje firmash. Delegatët janë po ata që teorikisht do jenë në datë 18.
Atëherë nëse qëllimi është marrja e mendimeve dhe vendimeve nga Kuvendi, pse nuk shkohet në datë 11 nga Basha? Le t’i shprehë atje shqetësimet e veta e të marrë mendimin e vendimin e Kuvendit mbi ato që thotë. Pse mendon që do u ndryshojë mendja te njëjtëve delegatë një javë më pas në 18 dhjetor?!
Shkurt nuk bën sens as logjikisht as parimisht.
Por ama bën sens juridikisht për një lojë që mund të sjellë shkatërrimin e PD.
Pavarsisht çfarë mund të thuhet nga mbështetësit e Berishës, për sytë e Gjykatës, Basha dhe Kryesia deri më sot janë legjitim dhe thirrja e Kuvendit nga ta është legjitime.
Basha dhe pjesa e Kryesisë që e ndjek nuk do e njohë Kuvendin e datës 11 dhe do e vendosë PD në një qorrsokak juridik. Sepse po ata delegatë që janë thirrur në datë 11, nëse mblidhen në 11 Dhjetor e shkarkojnë Bashën, nuk ka kuptim juridikisht të shkojnë në Kuvendin e datës 18, pasi bashkë me Bashen ( e mbase dhe me ndryshimet në Statut) bie dhe fuqia juridike e vendimit të tij. Pra nuk duhet të shkojnë në Kuvendin e thirrur nga Basha për 18 Dhjetor.
Por këtu qëndron risku që në Kuvendin e datës 18 të shkojnë vetëm mbështetësit e Bashes (mbase dhe emra që nuk janë fare delegatë) dhe të marrin vendimet si duan ata. Pastaj të shkojnë në Gjykatë t’i regjistrojnë. Nga ana tjetër nëse delegatët mbështetës të Berishës shkojnë në Kuvendin e datës 18 do të thotë që niohin legjitimitetin e Bashes edhe pasi e kanë shkarkuar në datë 11, duke hedhur hije dyshimi mbi legjitimitetin e vendimeve te datës 11. Nga çdo anë ta kapesh çështja do përfundojë në dyert e Gjykatës dhe këtu është akoma më interesante situata dhe merr përgjigje pyetja pse nxiton Basha..
Vendimet e datës 11 Dhjetor duhen regjistruar në Gjykatë që të hyjnë në fuqi. Berisha ka një javë kohë. Normalisht është një proces formal që mund të bëhet brenda ditës, por ligji i lejon gjykatës një muaj kohë që të shprehet e kryejë regjistrimet. Kohë e mjaftueshme për Bashën që të çojë dhe ai dosjen e tij në Gjykatë. Prandaj dhe Basha nxiton të kapë afatet e të përplaset në Gjykatë.
Shkurt Basha do tentojë ta mbajë Partinë jo me anëtarë, por me Gjykatë. Duke parë se si veprojnë Gjykatat për çështje politike në Shqipëri e ardhmja e PD si strukturë duket një qorrsokak i zymtë.
Përtej apologjisteve të Bashes pas vendimit të fundit për mbledhjen e Kuvendit në 18 dhjetor, fajtori per shkatërrimin e PD është e qartë që është vetë Basha. Nëse i do të mirën PD mund të shkojë në mbledhjen e Kuvendit në datë 11 të verifikojë mandatet firmat dhe pjesëmarrjen (nëse sheh parregullsi t’i çojë në Gjykatë) e të flasë atje. Fundi i fundit janë po të njëjtët njerëz që thërret për datën 18 apo jo? Po lozim lojëra fëmijësh tani apo po diskutojmë për gjëra më të mëdha se ne vetë?
Është e qartë që buonsensi është ky, por duke therritur mbledhjen è datës 18, është e qartë se Basha veç po lufton që ta shkatërroje juridikisht dhe strukturalisht PD. Nuk ka asnjë justifikim për të.