30 Nëntor, 2022

Liria dhe pushteti i pamerituar i horrave dhe i maskarenjve!

 Liria dhe pushteti i pamerituar i horrave dhe i maskarenjve!

Nga Aranit Muraçi

Është lapidare shprehja e shkrimtarit të madh francez, Victor Hugo, në një përpjekje për të identifikuar dhe ndarë politikanët që shesin vendin dhe kombin e tyre, të ardhmen e tyre, për interesat e tyre personalë.

“Luftën e bëjnë heronjtë, ndërsa në kohë paqeje qeverisin maskarenjtë, përfitojnë horrat.”

Nëse ka një komb që në kohë paqeje glorifikon maskarenjtë dhe horrat, e bashkë me ta politikanë që për interesa të ngushtë personalë apo për të shtuar ose ruajtur pasurinë e tyre janë gati të shesin gjithçka munden, qoftë edhe vendin e tyre, dhe nga ana tjetër harron heronjtë e vërtetë, ata që i dhanë gjithçka deri edhe jetën Atdheut, që çdo bashkëkombës i tyre të jetojë i lirë dhe me dinjitet në vendin e vet, një ndër këta kombe mund të jetë fatkeqësisht ai shqiptar.

Ashtu siç janë përpjekur për të baltosur betejën nacionalçlirimtare në Shqipëri kundër fashizmit politikanë që nuk kanë thënë kurrë asnjë fjalë për ata që e drejtuan luftën apo dhanë jetën për liri, duke mos i njohur asnjë meritë, pavarësisht bindjeve politike, historia përsëritet dhe është e ngjashme edhe me luftën për liri, në Kosovë.

Të njëjtët politikanë, qoftë në Prishtinë apo edhe në Tiranë, kanë heshtur dhe heshtin për udhëheqësit e luftës për liri, të cilët ndodhen aktualisht në burg, aty ku në fakt duhet të ishin të tjerë që kryen masakra ndaj popullit shqiptar.

Për qartësi, Hashim Thaçi kur drejtonte Kosovën si politikan (ndryshe nga akuzat që mbajnë mbi supe kolegët e tjerë politikanë) është sot në qeli jo për ndonjë mëkat politik. Si politikan, për keqqeverisje ai mund të gjykohej nga populli, njëlloj siç pretendojnë të tjerët. Nga posti i Presidentit që mbante, kur u njoh me akuzat ai dha dorëheqjen për t’u gjykuar. Thaçi nuk është izoluar për korrupsion, një sëmundje që ka prekur kryesisht politikanët shqiptarë, sidomos ata që kishin më shumë mundësi dhe kohën e mjaftueshme për të ngritur një sistem të pavarur drejtësie. Thaçi para se të burgosej nuk u akuzua as nga ndonjë institucion ndërkombëtar, si DASH.

Por të njëjtët politikanë që mbajnë akuza të rënda mbi supe për korrupsion nga institucionet ndërkombëtare e akuzuan atë se po shiste Kosovën, ndërsa akuzat e aleatëve ndërkombëtarë që rëndojnë mbi ta për keqqeverisje, korrupsion dhe pengim të demokracisë, i rrëzojnë si politike dhe paradoksalisht mbrohen kur thonë se sulmohen ngaqë po luftojnë e po mbrojnë Kosovën.

Në mënyrë të turpshme për një komb, që nuk kuptohet se përse, ka një vit që ka folur ose pak, ose aspak, për të përkrahur ish-Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, të katër në qeli, nën akuzë për krime lufte.

A ka ndonjë politikan shqiptar, nëse i ka mbetur ndonjë fije dinjiteti, që t’i thotë elektoratit të tij se përse ndodhet sot në burg Hashim Thaçi?

Në vend të përpjekjeve që t’iu mbushë mendjen shqiptarëve se ka luftuar për të mbrojtur Kosovën nga Serbia, në një kohë kur nuk bëri asgjë për të shmangur djegien dhe përvëlimin e Shqipërisë, a ka ndonjë politikan shqiptar që të thotë sot se Thaçi ndodhet në qeli ngaqë shiti interesin kombëtar?

Çfarë krimesh kreu Thaçi në kohë lufte, në një betejë të barabartë me pushtuesit, në një betejë heroike, patriotike, ndryshe prej tyre, për të çliruar trojet e pushtuara shqiptare?

Kur Shqipëria digjej nga politikat e saj të mbrapshta ndërsa populli shqiptar falë dinjitetit të tij shmangu një luftë të mundshme civile, në Kosovë Hashim Thaçi (viti 1997) akuzohej se mori pjesë në një nga aksionet e UÇK-së (e sapo krijuar), së bashku me Adem Jasharin dhe të tjerë, dhe sulmuan stacionin policor të Drenasit. Hashim Thaçi lidhur me këto akuza u dënua me 10 vjet burg në mungesë nga Gjykata e Qarkut të Prishtinës. I dënuar në të njëjtin proces nga kjo gjykatë me 20 vite burg ishte edhe komandanti legjendar Adem Jashari. Dihet fati i Heroit dhe i familjes së tij.
Masakrat, torturat, përndjekjet dhe fati tragjik i mijëra shqiptarëve të Kosovës, duke përfshirë gra e fëmijë, i njeh po ashtu bota mbarë, veç disa politikanëve shqiptarë.

Plot pas 20 vitesh, Hashim Thaçi, Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe tre ish-udhëheqës të tjerë janë akuzuar për kryerjen e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999, krime që sipas aktakuzës kanë ndodhur në Kosovë dhe Shqipëri.

Ata ndodhen prej një viti në qeli, në pritje të gjyqit, në një kohë kur politika dhe diplomacia shqiptare hesht për ta dhe çuditërisht është e përfshirë në gjyqe dhe beteja imagjinare.

Shprehja e gjeneralit të shquat amerikan, George Patton, i cili u nda nga jeta fill pas mbylljes së Luftës së Dytë Botërore, mund të jetë po aq e përshtatshme për fatin e politikanëve demagogë të Kombit shqiptar.

“Nëse keni luftuar për këtë tokë që gjithë jetën të merrni para, atëherë tregoni sa kushton kjo dashuri qe t’ju paguajmë, dhe merrni plaçkat e shkoni atje ku atdheu mund të blihet me para.”

Mbyllja e duhur ndoshta përkon me fjalët e romancierit dhe publicistit të njohur, George Orwell, i cili bën me faj edhe popullin që ndjek nga pas politikanë të padenjë.

“Një popull që zgjedh në krye të vendit njerëz të korruptuar, hajdutë, maskarenj e tradhtarë, nuk është viktimë, por bashkëpunëtor i tyre.”

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *