2 Shkurt, 2023

Lidhja e Erion Braçes me kullat që po ndërtohen tek Garda

 Lidhja e Erion Braçes me kullat që po ndërtohen tek Garda

Nga Adriatik Doçi

Kullat që po ngrihen me vlerë dhjetëra milionë euro tek Garda e Republikës, në zonën ngjitur me parkun e vetëm të Tiranës te Liqeni, reflektojnë bashkëpunimin mes karteleve të ndërtimit dhe segmenteve të politikë, për interesa të fuqishme private, gjithnjë në dëm të interesit publik dhe hapësirave të gjelbërta që po rrudhen çdo muaj.

Kullat po ndërtohet nga bosët e pastrimit të parave të pista Mark Luli dhe Ilir Shtufi, të cilët fshihen pas kompanisë piramidale ‘Dushku’ të themeluar në vitin 2017 nga Aida Dushku dhe Endrit Alikaj. Dyshja Dushku-Aliaj, pa asnjë historik biznesi, ka futur miliona euro në kompani, para të pista, të cilat dyshohet se i kanë marrë nga Mark Luli.

Kemi të bëjmë me një aktivitet kriminal flagrant, në mes të Tiranës dhe të shumëfishtë, por policia, prokuroria dhe SPAK kanë ‘mbyllur sytë’, pasi pas këtyre kullave qëndrojnë edhe politikanë të nivelit të lart, ministra dhe ish-ministra, deputetë dhe një pronar mediash, për të cilin thuhet se i është refuzuar viza amerikane.

Roli i Erion Braçes

Në 23 shtator të vitit 2020, deputeti Erion Braçe, në atë kohë zëvendëskryeministër, ka firmosur vendimin për tjetërsimin e 1.4 mijë m2 pronë publike ku është Garda e Republikë, duke e kaluar në pronësi të kompanisë Dushku shpk.

Në këmbim të kësaj prone, kompania private do t’i jepte shtetit 1.4 mijë m2 dhe një godinë 250 m2, në zonën kadastrale 8280 të Tiranës.

Ku qëndron interesi publik që Braçe ka firmosur shkëmbimin e truallit publik tek garda me një truall tjetër, me vlerë me të ulët?

Pse Dushku nuk ka zhvilluar pronën që kishte, por donte pronën tek Garda e Republikës?

Kush janë arsyet që Braçe ka firmosur këtë vendim?

Pas kësaj historie qëndrojnë interesat private disa biznesmenëve me aktivitet të dyshimtë, për të ngritur kompleks pallatesh në një nga zonat më të lakmuara të kryeqytetit. Në këtë rast, grupi klienteliste ka arritur që të vendosë në shërbim të tij qeverinë, e cila ka tradhtuar interesin publik, që ishte mbrojtja e Parkut të Liqenit nga betoni.

Deputeti Braçe, një nga zërat më të fortë që mbron interesin publik në Kuvend, duhet të sqarojë për publikun pozicionin e tij, nëse e ka firmosur këtë vendim qorrazi apo ka qenë i vetëdijshëm se po i kalonte truallin e Gardës së Republikës Mark Lulit dhe rrethit të tij për të ngritur pallate.

Për të denoncuar këtë aferë, ku është implikuar edhe Baskia e Tiranës me lejen që ka dhënë, doli disa muaj më parë deputeti Belind Këlliçi.

Pas dy daljeve, Belind Këlliçi mbylli gojën, nuk dihet me shantazh, me para apo deputeti është bindur se akuzat e tij nuk ishin të drejta. Këtë duhet ta sqarojë vetë Këlliçi, nëse e konsideron veten përfaqësues të popullit dhe jo të mafies së ndërtimit.

Pastrim parash

Pronare në letra e kompanisë së ndërtimit ‘Duhsku S.A’, me nipt: L71517036F, që qeveria i dha pronën tek Garda e Republikës, është bashkë me Endrit Alikaj.

Kompania është themeluar në vitin 2017 me kapital 100 lekë.

Në gusht të vitit 2019, Dushku dhe Aliaj bëjnë bilancin e kompanisë, ku dalin me 6 milionë lekë humbje. Tre muaj më pas, befas e rrisin kapitalin dhe e bëjnë 2 miliardë lekë. Për të justifikuar shumën, dyshja llogarisin disa prona, vlera e të cilave është shumë më e ulët se sa kapitali.

Një vit më pas marrin pronën tek Garda e Republikës. Më tej marrin lejen e ndërtimit të një kompleksi kullash.

Një kompani 100 lekëshe, me 50 mijë euro humbje, do të bëjë një investim miliona euro tek parku i Liqenit. Dhe e gjithë kjo histori nuk i bën përshtypje SPAK-ut, Drejtorisë për Parandalimin e Pastrimit të Parave, Prokurorisë etj.

Aida Dushku maska e Mark Lulit

Nuk ka dyshime se Aida Dushku është maska e Mark Lulit, simbolit të pastrimit të parave të pista në ndërtim në Tiranë.

Disa muaj pasi Erion Braçe i kalon pronën tek garda Aida Dushkut, shfaqet Mark Luli, i cili blen fillimisht 55,80 % të aksioneve të kompanisë Dushku për 1 milionë dollarë.

Aksionet Mark Luli i blen përmes kompanisë së ndërtimit, Ferro beton & Construction Co, e cila është futur në lojë në 10 gusht 2020, me 108.352.000 lekë.

Pronarët e Ferro beton & Construction Co janë Mark Luli dhe Ilir Shtufi, të cilët pastrojnë prej vitesh dhjetëra milionë euro, duke i shpëtuar gjithnjë hetimet dhe ndëshkimit.

Aida Dushku del fare nga loja

Shumë shpejt kompania Dushku kalon me 100 % të aksioneve në pronësi të kompanisë Ferro beton & Construction Co në pronësi të Mark Lulit dhe Ilir Shtufit. Pjesa e Parkut të Liqenit tek garda shndërrohet në një kantier ndërtimi.

Po a janë vetëm Mark Luli dhe Ilir Shtufi në lojën e madhe të interesave me kullat që po ngrihen tek garda?

Cilët politikanë do të marrin ambiente në kullat e reja, duke i regjistruar në emrin e oligarkëve dhe kokave të drogës, siç kanë bërë me vilat në Palasë?

Mark Luli, histori pastrimi parash

Nëse ka një shembull ulëritës dhe sfidues për SPAK në Shqipëri, të pastrimit të parave të drogës dhe korrupsionit në ndërtim në Tiranë, ai është Mark Luli, përmes kompanive të tij. Dokumente, bilance dhe dosjet konfirmojnë se biznesmeni Mark Luli, i biri të cilit ekspozon makina luksoze me vlerë qindra mijëra euro dhe përplasjet me policinë, pastron miliona euro që nga viti 1997, por sidomos pas vitit 2008 deri më sot.

Paratë e pista janë pastruar dhe pastrohen përmes kompanive M. C. INERTE, Ferro Beton & Construction Co, ‘Luli shpk’, “Dushku S. A”, M.C INERTE LUMZI, M.C. ENERGJI GOJAN, ‘Nova Construction 2012” etj., në bashkëpunim me baxhanakun Ilir Shtufin, Kujtm Shtufin etj.

Një dosje voluminoze me dokumente nxjerrë në pah aktivitetin e errët të Mark Lulit dhe disa bashkëpunëtorëve të tij në Itali, nisjen e regjistrimit të kompanive të ndërtimit në Tiranë në vitet 1997-1998, hapjen e kompanive të tjera fantazmë dhe më pas hedhjen e parave të pista, kryesisht produkt i trafiqeve.

Skema është pothuajse ajo e zakonshmja. Fillimisht, Mark Luli hap kompanitë formale. Me kalimin viteve hedh qindra mijëra euro para të pista, ndërsa rrit kapitalin e tyre, siç është rasti me kompaninë ‘M. C. INERTE’, kapitali i të cilës u rrit në vitin 2020 në 5 milionë euro.

Rritja e kapitalit nuk justifikohet me aktivitetin e ligjshëm të kompanisë, por në bilance të falsifikuara, të cilat mund të identifikohen lehtësisht.

Në të njëjtën kohë, me para me burim të errët, Mark Luli blen aksione në kompani të tjera, dhe kështu ngre një perandori biznesi me bazë para të pista. Me kalimin e viteve skema nis e sofitikohet, por do të mjaftojë një hetim i thelluar i SPAK, në bashkëpunim me autoritetet Italiane, për të zbuluar të vërtetën.

Sot Mark Luli ka përzien bashkë para publike që i fiton përmes tenderave, para të pista, para korrupsioni dhe para nga shitja pasurive të paluajtshme.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *