5 Dhjetor, 2022

Libri i ndier për “babaxhanin” Enver Hoxha, jo për Bllokun, i Isuf Kalos

 Libri i ndier për “babaxhanin” Enver Hoxha, jo për Bllokun, i Isuf Kalos

Nga Erl Kodra

Isuf Kalo ka shkruar një libër të ndier për Enver Hoxhën, jo për Bllokun siç pretendon ai. Libri – në dukje një tekst memuaristik – në të vërtetë është një tekst spekulativ. Së pari, Isuf Kalo nuk është shkrimtar; ai nuk ka interesa dhe ambicie letrare. Jeta e tij vërtetë i përket një profesioni që ka të bëjë me qeniet njerëzore, por në një plan tjetër, në një mënyrë tjetër. Po pse Isuf Kalo, bash njeriu që i ka shërbyer Enver Hoxhës në mënyrën më intime, shkruan një libër të tillë? Çfarë e detyron Isuf Kalon, në përmbyllje të karrierës së tij, t’i hyjë një ndërmarrje si kjo? Cilat janë mjetet me të cilat ai operon, çfarë kërkon të nxjerrë në pah, çka rreket të lërë në sub-kujtesën e lexuesit, sidomos të lexuesit që nuk e ka jetuar atë kohë?

Ky libër botohet 35 vjet pas vdekjes së Enver Hoxhës, kohë e mjaftueshme kjo që kujtesa traumatike e shqiptarëve të ketë zënë kore. Po ashtu, lexuesit e rinj të librit nuk kanë qenë bashkëkohës të Hoxhës, dhe nuk e kanë jetuar atmosferën e errët dhe makthin enverian. Prandaj ata “duhet” ta shohin ndryshe figurën e diktatorit, ta konceptojnë atë si një njeri të mirë dhe fisnik, njëlloj babaxhani madhështor të ngjashëm me Zotin. Sipas Kalos, ai ishte një pacient disi i vështirë, por i fortë, që në thelb ia kishte lehtësuar punën doktorit, sepse, trupi dhe shëndeti i Enver Hoxhës në të vërtetë nuk i përkiste atij vetë, por shoqërisë për të cilën Enveri po sakrifikonte jetën. Enveri sipas Kalos ishte një burrë i mirë, një bashkëshort i devotshëm, një prind i dashur, një gjysh i shkëlqyer, një bashkëbisedues hokatar, një njeri i ditur dhe i lexuar. Madje, edhe vet Enveri duket sikur është viktimë e ferrit që ai ka ngritur.

“Është lehtë ta përqendrosh fajin dhe mallkimin te një njeri i vetëm e të gjithë të ndihemi të lehtësuar sepse e gjetëm fajtorin, por e vërteta është se kështu lëmë pa cenuar sistemin. Dhe sistemi prodhon diktator të ri” – thotë Isuf Kalo në intervistë për Mustafa Nanon.

Interesante është se teksti i Kalos e trajton Enver Hoxhën jo vetëm si një pacient të rëndësishëm, sepse padyshim që ishte i tillë, por edhe si njeri me sentimente pozitive, që të ngjallë empati. Në fakt çdo pacient duhet të ngjallë empati tek doktori i tij, fundja, çdo pacient është një qenie njerëzore, me trup, kokë, gjymtyrë, mushkëri, zemër.

Doktori është i bërë njësh me jetën në familjen e Enver Hoxhës, me gruan e tij, me fëmijët. Ai shkruan për sentimentet e tyre, vuajtjet që përjeton bashkëshortja për burrin e saj. Dhe sigurisht që kjo është krejt e besueshme, fundja, çdo bashkëshorte vuan për bashkëshortin dhe babain e fëmijëve.

Doktori, harron anën tjetër të medaljes, faktin se kush ishte në të vërtetë Enver Hoxha, çfarë përfaqësonte ai.

Duket se doktorit nuk i bën fare përshtypje se Enver Hoxha ishte një kasap – që sapo shkëputej nga duart e doktorit – i rikthehej ritualit të vrasjes. Ashtu qetësisht, Enveri i zgjaste krahun doktorit që t’i maste tensionin e gjakut, me të njëjtën qetësi që firmoste vdekjen e “armiqve të partisë dhe tradhtarëve të atdheut”.

Isuf Kalo përpiqet të mbjellë dyshimin se Enver Hoxha ishte një njeri normal, madje në një jetë paralele ai mund të ishte një mësues i shkëlqyer, shakaxhi dhe sharmant, çka në të vërtetë nuk ishte.

Kalo nuk ka një shpjegim të arsyeshëm, madje as nuk lodhet të japë ndonjë të tillë, për atë çfarë bluante mulliri i Hoxhës gjatë kohës që nuk ishte nën mbikëqyrjen e tij. Jo, ai kujdeset të paraqesë vetëm anën tjetër të tij, domethënë, atë pjesën ku çdo gjallesë e kësaj bote është e sinqertë; siç janë për shembull procese të caktuara fiziologjike të jetës njerëzore. Përveç kësaj, Kalo përpiqet të krijojë një atmosferë ku luheshin drama të epërme dhe interesa globale (lexo: të botës shqiptare) në një mjedis të veshur me solemnitet epik. Kësisoj, doktori autor ndërton një imazh idilik për burrin e pashëm Enver Hoxha.

Doktori e thotë vetë, hapur dhe pa komplekse, se qëllimi i tij ka qenë të shpalosë të vërtetën, domethënë anën njerëzore të Enverit. Për këtë qëllim, në intervistat e tij ai thotë gjithmonë se “është një libër i shkruar me sinqeritet”, ndërkohë që menjëherë shton se “unë i referohem njeriut, se me atë kam pasur punë. Puna ime ka qenë të shëroj njerëz. Çfarë rëndësie ka posti, puna që bën ky njeri në jetën e përditshme. Këtë e gjykon shoqëria, drejtësia, të tjerët… Nuk duhet të presin nga mjeku që të mallkojë pacientët”.

Është e vërtetë se askush nuk ka pritur që Kalo të mallkojë pacientin Enver Hoxha, por gjithashtu, lexuesit nuk kanë pse të lexojnë sentimentet e sheqerosura të doktorit për pacientin. Kjo nuk ka lidhje me shkeljen e detyrimit etik dhe profesional si mjek, por ka lidhje me servisin që doktori i ka bërë pacientit të tij – një lloj make up-i – ku djalli kthehet në një qenie normale dhe të pranueshme.

Duke shfrytëzuar lirinë dhe përmasat e saj, Isuf Kalo merr guximin dhe sfidon lexuesit me një libër – në dukje interesant për jetën prej pacienti të një prej diktatorëve më gjakatar të shekullit të XX. Duket se ai e di që lexuesit do ta tolerojnë atë, sepse fundja ai është thjesht një mjek që ka shkruar për një pacientin e tij “fatkeq”: një gjysh i mirë që vishej si babagjysh, por që vuante nga diabeti, dhe që kishte pësuar infarkt miokardi, por që vuante edhe nga intrigat e shokëve, sidomos nga pasuesi i tij i vogël Ramiz Alia.

Ka shumë të ngjarë që lexuesit e rinj të mendojnë për Enver Hoxhën e Kalos se “sa shumë paska vuajtur i shkreti”.

Isuf Kalo nuk ndien asgjë – keqardhje ose revoltë – përballë njeriut i cili mbante të izoluar 3 milion skllevër; të kërcënuar me ankthin e vdekjes, të uritur, kockë e lëkurë, e që zvarriteshin jashtë “Bllokut” ku jetonte “perëndia” e tyre. Fundja, ai nuk kishte pse të shqetësohej, sa kohë që lexuesit e sotëm nuk janë më skllevërit e dikurshëm, dhe se ata nuk i kanë përjetuar ato gjëra që jetuan baballarët e tyre për 45 vjet me radhë. Për Kalon, mjafton që lexuesit e sotëm të shohin “anën njerëzore” të diktatorit.

Të shkruash një libër prej 600 faqesh është një angazhim i jashtëzakonshëm, për më tepër, kur të shkruarit nuk është aktivitet parësor. Kalo mund të jepte një intervistë me rezerva të mëdha, madje i keqardhur dhe i turpëruar – por jo fajtor – se ka shërbyer për një njeri si Enver Hoxha.  Por të marrësh përsipër të shkruash 600 faqe libër, tejkalon kufijtë e sjelljes etike në raportet profesionale, që mjeku Isuf Kalo pretendon. Prandaj Isuf Kalo ka kryer një shërbim me ndërgjegje të plotë për Enver Hoxhën. Ndoshta shërbimi i fundit post mortem.

Askush nuk pretendon pse Isuf Kalo nuk e vrau Enver Hoxhën kur kishte mundësi – askush nuk e akuzon pse i qëndroi besnik profesionit dhe e shëroi atë. Jo, gjëra të tilla askush nuk i pretendon. Por ai duhet t’u kursente shqiptarëve elozhet për vrasësin e tyre. Libra të tillë shkruhen vetëm për qëllime të errëta. I tillë është edhe “Blloku” i mjekut-autor Isuf Kalo.

Imagjinoni një skenë të tillë: Blloku dhe personazhet e tij, Komiteti Qendror, Kryeministria, vila e Enver Hoxhës, vilat e tjera, Mehmet Shehu, Ramiz Alia, Nexhmije Hoxha, bijtë dhe bijat e Enverit, anëtarët e Byrosë Politike, Partinë, Sigurimin e Shtetit. Edhe mjekun Isuf Kalo. Të gjithë duke i shërbyer një njeriu, prej nga buronte jeta për pjesën tjetër të popullit. Domethënë, Enver Hoxha sipas Isuf Kalos ishte një lloj “mëme-mbretëreshë” që siguronte vazhdimësinë, që adhurohej nga shqiptarët, një formë e jetës primitive që ekziston tek insektet. Për të siguruar mbijetesën, pjesë të tëra të popullsisë së insekteve sakrifikohen me dëshirë. Këtë Isuf Kalo e paraqet natyrshëm, njerëzishëm dhe si diçka normale, madje, edhe nëse kishte diçka anormale, kjo ka ardhur për faj të sistemit, por jo të Enver Hoxhës, këtij burri sharmant dhe babaxhan.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *