28 Janar, 2023

Lëvizja ‘Berisha’ dhe loja me ‘dy porta’ e Topallit për vendin e Bashës, që tremb në fakt Metën

 Lëvizja ‘Berisha’ dhe loja me ‘dy porta’ e Topallit për vendin e Bashës, që tremb në fakt Metën

Nga Aranit Muraçi

Nëse Jozefina Topalli vendos që t’i bashkohet Foltores së radhës së Sali Berishës në Shkodër, ose ndoshta edhe më vonë asaj të Tiranës, Partia Demokratike mund të ketë zyrtarisht një kandidate grua, për postin që mban aktualisht Lulzim Basha.

Drejtimi i PD-së ka qenë një ambicje e hershme e Topallit, ambicje që e çoi atë në përplasje të ashpra me Bashën dhe për pasojë (duke qenë se ky i fundit mbështetej nga Berisha deri një muaj më parë), solli edhe largimin e saj.

Berisha ka nevojë sot për Topallin, sepse nuk ka se çfarë humbet politikisht pas akuzave që iu ngritën nga SHBA, veçanërisht, pas përjashtimit nga PD, ndërsa ish numri dy i PD-së ka nevojë sot për Berishën, që të realizojë ambicjen e saj, duke qenë se edhe ajo nuk ka se çfarë humbet më tepër në politikë, pas përjashtimit nga selia blu dhe dështimit me një projekt të ri që nisi para zgjedhjeve të fundit.

Pra, si dy të përjashtuar nga PD, ata po kërkojnë të bashkohen për t’u hakmarrë ndaj Lulzim Bashës, duke e konsideruar atë një rrezik të përbashkët, me shpresë se mund të gjejnë një zgjidhje politike në të ardhmen, me amerikanët.

Nëse dështon me lëvizjen ‘Berisha’, Topalli kthehet aty ku është, në shtëpi. Berisha, megjithatë i druhet ndonjë loje me ‘dy porta’ nga Topalli, pasi ajo lakmon edhe postin e Presidentit dhe mund ta fitojë më lehtë atë pas shkarkimit të Metës me votat e Ramës dhe të Bashës, si një kompromis i madh politik. Këtij skenari po i trembet më tepër në fakt Ilir Meta,  i cili me qetësi po e mbështet Berishën kundër Bashës (nëse shkarkohet si President synon të vihet në krye të lëvizjes ‘Berisha’ në PD dhe t’a bashkojë atë me LSI).

Topalli ka mbështetur hapur deri tani fushatën e Berishës nëpër rrethe, jo vetëm e vetëm ngaqë njihet si kundërshtare e Lulzim Bashës.

Pas Fierit, Vlorës dhe Durrësit, ndalesa e radhës për Berishën do të jetë Shkodra, vendlindja e Topallit, ish-nënkryetares së PD-së dhe ish-kryeparlamentares së vendit.

Grupimi që mbështet Berishën për shkarkimin e Bashës, me arsyetimin se kryetari i PD-së është marrë “peng” nga Edi Rama dhe SHBA, ka nisur paralelisht me lëvizjen e fundit mbledhjen e firmave për të thirrur Këshillin Kombëtar.

E tërë kjo lëvizje e Berishës ka një vështirësi të madhe për t’u finalizuar, pasi para shkarkimit të Bashës, ajo nuk e ka gjetur ende kryetarin e ri. Berisha mund të rikthehet vetëm nëse drejtimin e PD-së, të cilën e dëshiron të orientuar prej tij, nuk pranon ta marrë askush tjetër.

Një grua e ardhur nga SHBA, Evi Kokalari, është përfolur si kandidate e mundshme. Megjithatë, ajo më tepër se kaq duket e punësuar në fushatën e Berishës, për të ngjallur shpresë te demokratët, se ka edhe amerikanë të cilët e adhurojnë liderin historik të PD-së. Ajo ka qenë e punësuar edhe në fushatën e Trump, por pak kohë më parë Facebook i bllokoi llogarinë për deklarata të papërgjegjshme, ndërsa në një status Evi shprehu frikën se edhe mund të arrestohej nga Administrata e Joe Biden.

Kokalari është përfshirë aktualisht në një betejë ligjore me Lulzim Bashën, e akuzuar për shpifje të rënda nga selia e Partisë Demokratike.

Gjithsesi rikthehet Topalli apo do të sajohet një kryetar tjetër nga halli, si Kokalari, lëvizja “Berisha” e sigurt është se do ta ketë shumë të vështirë të shkarkojë Lulzim Bashën. Akoma më të sigurta janë shanset e saj zero për të pasur sukses, duke qenë se politikisht do ta ketë të pamundur të lidhë ura bashkëpunimi me Perëndimin.

Nëse Basha dorëzon logon (megjithëse kjo çështje e komplikuar mund të zgjidhet përmes një proçesi të gjatë gjyqësor), selia do t’ i mbetet kryetarit të zgjedhur në qershor me mbi 80 për qind të votave të anëtarësisë deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, për më tepër dhe më kryesorja, Basha ka përkrahjen  e shumicës së deputetëve të grupit parlamentar demokrat, i dalë nga zgjedhjet e fundit.

Berisha me dëshirën dhe përkrahësit e tij thjesht po zhvillojnë ‘zgjedhje të parakohshme’ në PD.

Demokratikisht është njësoj sikur opozita e cila pretendon se qeveria i vodhi zgjedhjet, të bashkohet dhe të zhvillojë zgjedhje të parakohshme vetëm me elektoratin e saj dhe të pretendojë se ka marrë 1 milion vota, prandaj edhe i ka gjetur Shqipërisë një kryeministër të ri.

Politikisht kjo lëvizje pavarësisht se nuk i vlen PD-së, e cila për disa kohë deri në ndarjen e saj të mundshme rrezikon të ketë dy kryetarë me të njëjtin logo, po i shërben personalisht vetëm Berishës. Nëse akuzat e ngritura nga DASH ndaj tij nuk do të kenë pasoja ligjore, apo do të ketë amnisti për shkak të moshës, politikisht Berisha ka rrëmbyer vëmendjen e tërë kampit opozitar, edhe pse e dorëzoi tetë vite më parë partinë.

Megjithatë, lëvizja e fundit e tij është shoqëruar me kosto të mëdha financiare, sepse edhe një parti që pretendon të fitojë zgjedhjet, kërkon sa më tepër fonde që  të zhvillojë një fushatë të suksesshme. Berisha në fundin e tij të vështirë politik rrezikon të humbë edhe shumë nga paratë, që fitoi në këto 30 vite.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *