4 Dhjetor, 2022

Letra e Gary Kokalarit, goditja fatale për Foltoren e Berishës në SHBA

 Letra e Gary Kokalarit, goditja fatale për Foltoren e Berishës në SHBA

Nga Ylli Pata

Aktivizimi i Evi Kokalarit, një veprimtare e një prej seksioneve të Partisë Republikane në SHBA, apo edhe e disa ish-zyrtarëve të qeverisë së PD-së që jetojnë në Amerikë pasi kanë fituar llotarinë Amerikane, duket i dhanë “shtytjen trimërore” Berishës që të organizonte edhe një Foltore me “demokratët e Amerikës”.

Një veprim politik pa asnjë ndikim si për betejën që po zhvillohet brenda PD-së, ashtu edhe për të ndikuar në strukturat e administratës amerikane që kanë ndëshkuar rëndë Sali Berishën.

Por, duket se për ish-kreun e PD-së, më shumë se ngjarjet reale politike, atij i nevojiten, fake ngjarjet, pasi kërkon të mbajë sa më gjatë në opinion një tis të ashtuquajtur popullor, në lidhje me mbështetjen që ai gëzon në një masë njerëzish.

Kjo gara se kush ka popullaritet, nuk ka lidhje fare me politikën në këtë rast, pasi influencë, simpati apo përkrahje, tek shqiptarët ka për Enver Hoxhën, Zogun, Mehmet Shehun, Xhafer Devën, Mit’hat Frashrin, e mjaft figura historike.

Simpatia për të gjithë këto figura kanalizohet kryesisht nga gjendja emocionale dhe ajo e interesit që njerëzit që janë influentë për këto figura përfaqësojnë.

E megjithatë, Foltorja e SHBA-së, sidomos pas intervistës që dha Berisha në VOA, nisi të komentohet nga përkrahësit e tij si një “çarje rrethimi” apo tik hakmarrje ndaj qeverisë më të fuqishme të botës, e cila me një vendim special bazuar në një ligj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të famshmin nen 7031 pika C, për luftën ndaj korrupsionit, e ka ndëshkuar fort ish-presidentin e ish-kryeministrin e Shqipërisë: për korrupsion të qenësishëm, për minim të demokracisë, e pengim të drejtësisë.

Në këtë aspekt, letra e Gery Kokalarit adresuar Drejtoreshës së Zërit të Amerikës është një zhvillim shumë i rëndësishëm.

Gary Kokalari është një shqiptaro-amerikan mjaft i njohur në vendin e tij, pra SHBA por edhe shumë i njohur edhe në Shqipëri.

Kokalari, pinjoll i një prej familjeve të njohura gjirokastrite Kokalarëve, ka qenë një aktivist i rëndësishëm i komunitetit shqiptar në SHBA.

Komunitet, i cili ka qenë shumë i rëndësishëm për të lobuar dhe ndihmuar realisht Shqipërinë e shqiptarët, nëpërmjet lobimit në administratën amerikane për të ndihmuar vendin, por edhe për ta ndërkombëtarizuar kauzën e çlirimit të Kosovës ndër vite.

Ky komunitet nuk është marrë fare me politikë, pra për të zgjedhur apo për të caktuar se kush është më i mirë apo i keq për të drejtuar Shqipërinë apo Kosovën. Shqiptaro-Amerikanët, e kanë ndihmuar kauzën shqiptare pa asnjë ndikim, madje duke kontribuar fort për të krijuar edhe një koherencë kombëtare e për të lënë mënjanë ndarjet e vogla e meskine për përfitim personal.

Ndërkaq, Kokalari është i njohur në Shqipëri, pasi ka qenë nga të paktët shqiptaro-amerikanë që ka luftuar shumë fort me “korrupsionin e rëndësishëm”, pra atë të sërës së lartë në Shqipëri.

Ka qenë një kritikues e denoncues i aferave shumë të larta të aferave korruptive duke nisur nga shitja e operatorit të parë të telefonisë celulare në Shqipëri, e me radhë me aferat e tjera si Alpetroli, Armo, Gërdeci e të tjera e të tjera.

Pa asnjë kompromis zoti Kokalari ka punuar si një gazetar investigative dhe njëkohësisht hetues-prokuror për të mbledhur fakte për të gjitha aferave korruptive të qeverive shqiptare, veçanërisht atyre të Fatos Nanos e Sali Berishës.

Materialet e Gery Kokalarit, janë lumë dokumentesh dhe faktesh që krejt qartë mund të shërbejnë si një “flori” për dosjet e procedimeve për çdo prokurori.

Megjithatë, është fakt se këto materiale, përveçse janë të botuara në disa media shqiptare dhe ndërkombëtare presitogjoze(mjafton të përmendim New York Times apo Financial Times), natyrisht janë dërguar edhe në agjencitë e njohura faktmbledhëse të SHBA-së që kanë të bëjnë me Shqipërinë.

Riaktivizimi i tij në këto ditë, me një letër drejtuar një institucioni të SHBA, është sinjal që tregon se diaspora reale shqiptare nuk mbështet një zyrtar të cilësuar i korruptuar nga Departamenti i Shtetit, madje kërkon që të thellohet lufta ndaj korrupsionit.

Ata që janë të zhurmshëm në faqet zyrtare të institucioneve të SHBA siç është edhe ambasada e SHBA në Tiranë, nuk janë gjë tjetër veçse një mekanizëm në luftën e Sali Berishës, për të sulmuar Amerikën e institucionet e saj që e kanë ndëshkuar.

Edhe pse të zhurmshëm, këto militant të foltores nuk kanë sesi të përfaqësojnë diasporën reale shqiptare në SHBA.

Ka mjaft organizma të saj që janë kthyer në vegla qorre të politikanëve të pasur të Shqipërisë dhe Kosovës, por më pas këto shoqata, siç është Vatra në radhë të parë, kanë marrë ndëshkimin dhe pakënaqësinë nga diaspora, e cila jo vetëm nuk i financon më, por madje i ka bojkotuar.

Në aktivitetet e këtyre shoqatave dekorohen politikanë e zyrtarë nga Shqipëria e Kosova, që urrehen në vendin e tyre, pikërisht se financojnë këto operacione.

Nga organizma që shkëlqenin për veprimtaritë e tyre patriotike dhe u kthyen në themelues të shtetit shqiptar, duke arritur të sigurojnë edhe mbështetjen e qeverisë së SHBA në fillimin e shekullit të 20, këto shoqata nuk i pyet më askush.

Berisha i ka përdorur prej kohësh këto grupime të mbushur me militantë të verbër, për mjaft prej tyre ka edhe zëra se qarkullojnë para nga korrupsioni i Shqipërisë. Madje disa prej tyre që kanë qenë ministra e zyrtarë të lartë në Shqipëri, prej vitit 2013 janë supeaktivë për të mbështetur Sali Berishën e Ilir Metën në Shqipëri.

Madje për t’i joshur më shumë nxori Bylykbashin për të kërkuar votën e diasporës në zgjedhjet shqiptare.

Të gjithë militantët e Berishës që kanë ikur nga Meksika apo me lotari amerikane mund të vijnë e të votojnë kur të duan në Shqipëri, pasi janë zgjedhës e shtetas shqiptarë. Ndërkohë që ata të votonin ku jetojnë, ishte pikërisht PD-ja e Berishës që e refuzoi që në vitin 2017, me sebepin se manipulohet nga Rama.

Por realisht shkaku është diku tjetër: të korruptuarit shqiptarë i friksohen diasporës së vërtetë shqiptare në SHBA,Kanada apo vendet e Europës.

Nëse atyre do tu jepet e drejta e votimit atje ku janë, si për shembull Gary Kokalarit apo shokëve të tyre, asnjë i korruptuar nuk do të mbeste më në pushtet.

E ndaj letra e Kokalarit, është një zhvillim që tregon realisht se foltorja është një fake zhvillim, përveçse operacion imazhi në pamjen e shpërfytyruar të një zyrtari të ndëshkuar nga SHBA.

Si dhe tregon se se kush është një përfaqësues i denjë dhe real i një familje të madhe si Kokalarët, e jo një fake që vetëm bërtet e shan të gjithë ata që kanë mërzitur doktorin…

Letra e plotë e Gary Kokalari, drejtuar zonjës Yolanda Lopez Drejtore në detyrë i Zërit të Amerikës

Zonja Lopez,

Së fundmi, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha është intervistuar nga Zëri i Amerikës. Nuk e di nëse jeni në dijeni por majin e kaluar, Sekretari i Shtetit Blinken shpalli publikisht (non grata) Sali Berishën për shkak të përfshirjes së tij të konsiderueshme në korrupsion.

Berishës dhe familjarëve të tij u është ndaluar hyrja në SHBA. Në vijim, unë personalisht kam bërë publike akte korruptive që kanë ndodhur gjatë mandatit të Berishës si Kryeministër, duke përfshirë përpjekjen për të mashtruar Departamentin e Mbrojtjes së SHBA-së, si shfaqet në The New York Times dhe librin War Dogs (Qentë e Luftës), si dhe përpjekjen për t’ia kaluar në mënyrë të paligjshme Albpetrolin, pasuri e shtetit shqiptar, një mikut të Berishës, duke përdorur garanci financiare fiktive, të cilat implikojnë një bankë amerikane .

Pse Zëri i Amerikës i dha Sali Berishës, një individi të sanksionuar nga DASH, një mundësi në përpjekjen për të zvogëluar pasojat e shpalljes së tij (non grata) nga DASH?

Krahas shqetësimit nga abuzimi i një platforme transmetimi të qeverisë amerikane nga ana e Berishës, ndër vite ka pasur pretendime se aleatët e Berishës brenda Zërit të Amerikës fshehtas kanë përdorur pozicionet e tyre për të promovuar interesat e Sali Berishës. Ju lutem të mbani parasysh se Zëri i Amerikës nuk duhet të tolerojë asnjë përpjekje të stafit të vet të manipulojë opinionin publik shqiptar për llogari të Sali Berishës apo ndonjë figure tjetër politike.

Në gjykimin tim tim, Sali Berisha është personi me përgjegjësinë më të madhe në pengimin e përparimit të demokracisë në Shqipërisë. Gjithashtu, sugjeroj që ju dhe drejtuesit e Zërit të Amerikës të njiheni me të shkuarën e Berishës si dhe të shqyrtoni rrethanat në të cilat Berishës iu dha mundësia për intervistë. Jam i gatshëm t’u përgjigjem pyetjeve në lidhje me këtë çështje.

Ju falenderoj,

Gary Kokalari

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *