4 Dhjetor, 2022

Lëreni Ukrainën, por shikoni Kosovën!

 Lëreni Ukrainën, por shikoni Kosovën!

Nga Dritan Hila

Në mesin e krizës ukrainase, studiot televizive shqiptare u mbushën me strategë shqiptarë që bënin skemat e Shtabit të Përgjithshëm rus dhe deshifronin atë që vrisnin mendjen edhe ekspertët perëndimorë. Atë që perëndimi e quajti “Psiko-luftë” dhe kishte të bënte me enigmën Putin, në një lojë të një bote ku simbolet, mesazhet, gjestet, janë një miks mistik, e zgjidhën shqiptarët që edhe katër nëndetëse që kishin, ua u hëngri ndryshku.

E megjithatë, pushtohet apo jo, kriza ukrainase është shenjë se bota nuk është më ajo e para. Rusia nuk është më superfuqia e dikurshme por Putin tregoi se nuk do të rrijë më indiferent për interesat globale të vendit të tij. Dhe Shqipëria ose më saktë bota shqiptare, do të preken nga kjo.

Në këtë moment, kur dy shtetet shqiptare i kanë dorëzuar komplet armët dhe ia besojnë mbrojtjen e tyre NATO-s, që një ditë të bukur mos ta shohin veten me pushkë druri duke mësuar vijën e shënjimit tre ditë para lufte, është e mira të bëjnë llogaritë. Shqipëria as sot dhe as kurrë nuk ka pasur ose do të ketë kapacitetet që të përballojë një agresion nga një fuqi e madhe apo e mesme.

Por ka kapacitetet që t’i shkaktojë kosto të atilla që fqinjëve mos t’ju shkojë mendja ta shohin si një kafshatë të lehtë. Dhe këtu më shumë sesa për ne, bëhet fjalë për Kosovën e cila ende ka status evaziv, status të cilin gjasat janë ta ketë edhe për shumë kohë. E në këtë situatë kur gjysma jonë është ende e papërcaktuar, ne duhet të kuadrojmë objektivat.

Për këtë duhet që dy ushtritë të bashkërendojnë stërvitjet e përbashkëta dhe mos ta kenë këtë vetëm në kuadrin e momenteve të përmbytjes.

Duhet të caktojmë rreziqet primare. Kjo është Serbia. Në këtë situatë, Shqipëria e ka të pafalshme që ende e siguron hapësirën ajrore nga Italia dhe Greqia. Ka ardhur koha që ne të kemi flotën tonë e cila jo domosdoshmërish kërkon 200 F35. Edhe 30 F16 do të mjaftonin për të ruajtur hapësirën ajrore tonën dhe të Kosovës.

Ndërkohë Shqipërisë nuk i duhen mjetet e blinduara pasi nuk mund t’i përdorë skërkave të Dukagjinit apo Kolonjës. Por Kosovës i duhen për në Fushë-Kosovë.

Një planifikim i strukturave të armëve do të ishte një fushë tjetër e bashkëpunimit dypalësh.

Askush nuk e di se cilat do të jenë lëvizjet e ardhshme të Kremlint. Vullneti i Rusisë nuk është vetëm vullneti i Putinit. Rusia është një perandori që edhe ai që do të vijë pas Putinit do të ndjekë politikën ekspansioniste ku Serbia do të jetë një levë e tij në prapavijën e NATO-s. Dhe objektivi i Serbisë është bota shqiptare. Ndaj lind edhe nevoja e një bashkërendimi mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Në një konflikt të ardhshëm hipotetik, Shqipëria nuk do të rrijë asnjanëse nëse sulmohet Kosova. Ndaj përpara se të merremi me hallin e Ukrainës, le të qajmë tonin. Një fuqi modeste ushtarake e jona, e tillë që ta bëjë të paguajë haraç çdokush që e prek një nga dy shtetet shqiptare, ngjall respekt edhe te miqtë. Askush nuk e do një mik të dobët.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *