2 Dhjetor, 2022

“Lekët i mora se isha familje e madhe”, kur Koçi Xoxe pranonte që kishte kryer 6 vrasje me urdhër të Enver Hoxhës

 “Lekët i mora se isha familje e madhe”, kur Koçi Xoxe pranonte që kishte kryer 6 vrasje me urdhër të Enver Hoxhës

Gazeta posedon dosjen e deklasifikuar gjyqësore të Koçi Xoxes, një prej personazheve të dënuar të regjimit komunist.

Në seancën e shtatë të gjyqit të datës 18 maj 1949 Xoxe kërkon të vijë dëshmitar Enver Hoxha dhe flet lidhur me ekzekutimin pa urdhër të 6 personave si dhe kryerjen e torturave për të tjerë.

Më poshtë pjesë nga dosja:

Sekretari: (Lexon shënimin në proces-verbal. Sot në datën 18/5/1949 fillon seanca e 7-të e procesit kundër grupit trockist dhe armiqve të popullit, të kryesuar nga Koçi Xoxe)

Prokurori (Bedri Spahiu): -Vazhdojmë me seancën e shtatë. Keni gjë për sa akuzoheni deri tani ju i pandehuri Koçi Xoxe?

Koçi Xoxe: -Unë dua të flas për ato që u zhvilluan nga akuza dje dhe pardje, megjithëse kisha thënë se nuk do të flisja, do të flas sot.  Por meqë sot nuk jam në gjendje fizikisht se me dashjen time nuk kam ngrënë dy ditë, kërkoj nga trupi gjykues që këto përgjigje t’i jap dhe prandaj, për sot të shtyhet gjyqi.

Kryetari(Frederik Nosi): -Po nga gjendja mendore, a je mirë i pandehur, se shohim se ti flet fare mirë dhe në rregull, prandaj përgjigju duke qëndruar ndenjur.

Prokurori: -Të na thotë i pandehuri Koçi Xoxe sa të holla ka përvetësuar nga arka e Sigurimit?

Koçi Xoxe: -Në arkën e Sigurimit kam marrë 43.000 lekë që kam thënë edhe në hetuesi. Por tani më kujtohet se nga këto, 11.000 lekë janë shpenzuar duke paguar kooperativën, kështu që mbeten vetëm 32.000 lekë që kam marrë për nevoja të shtëpisë. Këto të holla i kam marrë në bazë të një vendimi të pjesshëm të Byrosë që ishte marrë shumë kohë më parë. Këto të holla i kam tërhequr nga Ndihmës Ministrat sa herë që kam pasur nevojë dhe dëftesë nuk kam lëshuar.

Kryetari(Frederik Nosi): -Po a i di ti i pandehur rregullat e financës se si tërhiqen të hollat nga arka dhe nëse duhet lëshuar dëftesë?

Koçi Xoxe: -Dëftesë nuk kam lëshuar se i kam marrë nga ndihmësit e mi.

Prokurori: -Po në Republikën tonë Popullore, i pandehur, ka rregulla financiare në marrjen e të hollave, që duhen respektuar dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të merret Byroja siç thua ti, vendim për tërheqje të hollash në mënyrë abuzive.

Koçi Xoxe: -E di që ka rregulla financiare. Por unë nuk kam lëshuar dëftesë se i kam marrë nga ndihmësit dhe as më janë kërkuar dëftesa.  Unë nuk kam abuzuar, por janë marrë në bazë të një vendimi të një pjese të Byrosë.

Prokurori: -Po a mundet Byroja të marrë një vendim të tillë arbitrar?

Koçi Xoxe: -Kanë marrë edhe udhëheqës të tjerë. Dhe unë kisha më shumë nevojë sepse kisha familjen më të madhe.

Prokurori: -Kjo është një shpifje me të cilën i pandehuri kërkon të denigrojë udhëheqësit e tjerë. Koçit i duhej kjo për luksin dhe jetën që bënte. Ky mbante katër vetura në dispozicion. Në banjat e Durrësit kishte pallatin më të madh e më të lartë nga gjithë udhëheqësit e tjerë.

Koçi Xoxe: -Ky është një atak moral që më bëhet.

Prokurori: -Kjo është më e vogla, ajo më minimalja, në gjithë vargun e krimeve të shëmtuara të të pandehurit.

Kryetari: -Ju avokat i të pandehurit keni gjë për të thënë?

Spiro Stringa (Avokat): -Kërkoj të pyetet i pandehuri nëse do mbrojtjen time  dhe të caktojë ata që do të thirren për dëshmitarë.

Koçi Xoxe: -Unë do të mbrohem vetë.

Spiro Stringa: – I pandehuri duhet të ketë qetësi dhe pastaj të përgjigjet. I lutem trupit gjykues t’i jepet mundësia të pandehurit që të përgjigjet një ditë tjetër.

Koçi Xoxe: Dhe për sa u përket dëshmitarëve kam kërkuar të thirret Sekretari i Përgjithshëm(Enver Hoxha) për t’u pyetur në lidhje me dy raste. .. Për ato që tha Prokurori, për vrasjet pa gjyq, kanë qenë 6 raste. Dhe për këto kam pas qenë këshilluar dhe është bërë me urdhër të shokut Komandant(Enver Hoxhës). Dhe për këtë ka pasur edhe vendim të Byrosë. Kurse vetëm për një rast, është bërë duke u këshilluar vetëm me Komandantin(Enver Hoxhën). Për tortura unë nuk kam dhënë urdhër, vetëm për dy raste për Myzafer Pipën dhe një tjetër. Por nuk kam thënë që Myzafer Pipa të torturohej me hekur të skuqur. Me Gjyq Special ka qenë ekzekutuar vetëm Galip Hatipi dhe për këtë mora urdhër nga Komandanti(Enver Hoxha).

Prokurori: -Kërkoj, shokë gjyqtarë, të vazhdojë procedimi kundër të pandehurve të tjerë…

(Pas kësaj u procedua në pyetjen e të pandehurit Pandi Kristo)

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *