4 Dhjetor, 2022

Lefter Koka, nga politika në prangat e SPAK: Si ia “hëngri kokën” ish-partia e tij LSI

 Lefter Koka, nga politika në prangat e SPAK: Si ia “hëngri kokën” ish-partia e tij LSI

Lefter Koka është një emër i njohur në oborret politike. Në vitin 2003-2007 ai ka mbajtur postin e kryetarit të Bashkisë së Durrësit çka shënoi edhe fillimin e aktivitetit politik.

Në vitin 2009 ai u zgjodh për herë të parë deputet në qarkun e Durrësit nën logon e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe më pas për t’u rizgjedhur sërish në vitin 2013.

Nga mandati i deputetit, Koka kaloi në tryezën e kabinetit qeveritar duke u emëruar ministër i Mjedisit.

Lefter Koka u rizgjodh deputet në vitin 2017 dhe nuk pranoi të hiqte dorë nga mandati i tij në vitin 2019 kur subjekti politik ku aderonte, LSI, dogji mandatet parlamentare si aksion politik.

Pas vitit 2019, Koka u bashkua me Partinë Socialiste dhe rikandioi për herë të katërt në qarkun e Durrësit. Ai ishte deputeti i dytë më i votuar në këtë qark pas Edi Ramës duke marrë 9609 vota.

Menjëherë pas përfundimit të procesit zgjedhor, Koka dha dorëheqjen nga mandati nën argumentin se cikli i tij politik u mbyll.

Në SPAK, Lefter Kokën e paditi forca politike ku militonte në fillim, Lëvizja Socialiste për Integrim për lejet e dhëna për ndërtimin e impianteve për trajtimin e mbetjeve në Tiranë, Fier dhe Elbasan.

Çështja e inceneratorëve ka të paktën dy vite që përflitet, ndërsa SPAK ka nisur hetimet pas disa kallëzimeve të depozituara nga dy partitë e opozitës, PD dhe LSI. Në Kuvend është ngritur gjithashtu një Komision Hetimor për këtë rast, i kërkuar nga Partia Demokratike dhe drejtohet nga Jorida Tabaku.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetimet në lidhje me koncesionet e inceneratorëve në Shqipëri. SPAK ka thënë që po heton të tre koncesionet. Dosja e hetimit përfshin inceneratornin e Elbasanit 22 milionë euro, Fieri 28 milionë euro dhe 128 milionë euro në Tiranë. Pra, një koncesion që shkon të paktën 178 milionë euro.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *