1 Shkurt, 2023

Ilir Meta bllokon emërimin e Bajram Begajt president? Jam në Turqi, nuk kthehem

 Ilir Meta bllokon emërimin e Bajram Begajt president? Jam në Turqi, nuk kthehem

Në pritje të raundit të katërt të votimit për president, Partia Socialiste zgjodhi të premten emrin e Bajram Begajt, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, si kandidatin e vet zyrtar. Begaj është mjek me profesion dhe ka një karrierë të gjatë në shërbimin ushtarak.

Kandidati i Partisë Socialiste pritet të dorëzohet zyrtarisht të shtunën në Kuvend, ku është paralajmëruar që do të mbahet raundi i katërt i votimit, pas tre raundeve të djegura pa asnjë kandidat.

Në raundin e katërt, socialistët mund ta zgjedhin me shumicë të thjeshtë Presidentin. Por për ta realizuar këtë, Begaj duhet të lirohet nga gradat ushtarake dhe shërbimi aktiv në Forcat e Armatosura – një proces që kërkon dekretin e presidentit në detyrë, Ilir Meta.

Neni 167 i Kushtetutës i ndalon ushtarakët e shërbimit aktiv që të zgjidhen apo emërohen në detyra të tjera shtetërore dhe as të marrin pjesë në parti apo veprimtari politike. Ndërkohë, ligji për Forcat e Armatosura përcakton se nxjerrja në lirim e oficerëve aktivë me gradë madhore bëhet me propozim të kryeministrit dhe dekret të Presidentit të Republikës.

E pyetur për këtë çështje, Presidenca i tha BIRN përmes një zëdhënësi se presidenti Meta ndodhej të shtunën në një vizitë në Turqi dhe se “nuk dihet nëse do të vijë deri pasdite”.

Presidenti Meta dhe këshilltari i tij për mediat nuk ishin të arritshëm për koment.

Socialistët e pranojnë ngërçin ligjor dhe shpresojnë që Meta të veprojnë në orët në vijim.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha të shtunën se kandidati për president ka depozituar te Ministri i Mbrojtjes dhe kryeministri Rama kërkesën e tij për dorëheqje nga detyra e shefit të shtabit të FA-së.

“Në legjislacionin përkatës, ligji për Forcat e Armatosura parashikon që ushtarakët duhet të japin dorëheqje përpara se të emërohen apo të zgjidhen. Besoj që kjo procedurë do të përfshijë orët në vijim, edhe presidentin aktual të Republikës, i cili duhet të bëjë dhe lirimin dhe besoj që kjo nuk do të jetë një betejë e radhës me presidentin aktual,” tha Balla.

Balla shtoi gjithashtu se në rast të një ngërçi me presidentin, “socialistët kanë menduar për një zgjidhje ligjore”.

Për konstitucionalisten Aurela Anastasi, procesi i zgjedhjes së presidentit nuk pengohet nga dekreti i lirimit nga detyra dhe gradat ushtarake.

“Nuk kemi një ligj për Presidentin që të jetë e përcaktuar. Për momentin e rëndësishme është që ai të bëjë kërkesë ku të shprehë një vullnet të qartë për të hequr dorë nga këto detyra dhe pastaj presidenca vepron sipas procedurave të veta,” tha Anastasi në një bisedë telefonike.

Sipas Anastasit, zgjedhja nga parlamenti nuk e vesh me pushtet presidentin e ri dhe ka një periudhë tranzitore deri në marrjen e detyrës, kohë kur ai mund të lirohet nga detyrat ushtarake. “Për mendimin tim procesi në këtë fazë është i legjitimuar,” tha Anastasi.

Bajram Begaj e pranoi pa hezitim propozimin për t’u zgjedhur president dhe në një takim me kryeministrin Edi Rama të premten në zyrën e këtij të fundit, premtoi se do të ishte në lartësinë e detyrës së Presidentit.

Rama e vlerësoi figurën e tij duke u shprehur se “është shëmbëlltyra e atij normaliteti, e asaj qytetarie, e atij sensi të shërbimit ndaj vendit dhe ndaj njerëzve të këtij vendi për të cilin ajo zyrë ka një nevojë urgjente”.

Ndërsa opozita është e ndarë në dy qëndrime për emrin e tij. Grupi Parlamentar i PD-së që drejtohet nga Enkelejd Alibeaj ngriti akuza përmes një deklarate për mediat të premten në darkë, ku tha se “kandidati për President u caktua nga mafia e pronave shtetërore”. Ky grupim paralajmëroi bojkotimin e seancës së votimit.

Nga grupimi tjetër i PD-së, deputeti Flamur Noka i tha BIRN se nuk kishte asgjë kundër emrit të Bajram Begajt si person, por procesi i përzgjedhjes së tij tregon qartë se “përfaqëson unitetin e qeverisë, jo unitetin e popullit”.

“Ai përfaqëson vullnetin minues të Edi Ramës për një proces konsensual,” tha Noka.

Për kryetaren e komisionit të çështjeve ligjore, Klotilda Bushka, Begaj është një figurë që përçon unitetin e kombit. “I plotëson të gjitha kriteret ligjore dhe nuk është politik,” tha ajo.

1 Comment

  • Urojme suksese ne detyren e re z. Begaj.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *