4 Dhjetor, 2022

Kush e drejton në të vërtetë SHBA-në?

 Kush e drejton në të vërtetë SHBA-në?

Nga Matteo Muzio “Il Giornale

Shëndeti i presidentit amerikan Joe Biden, ka qenë gjithmonë një shqetësim i madh për botën. Shumë kohë përpara Biden,gafave dhe problemeve të tij serioze me kujtesën, Woodrow Wilson arriti që t’ia fshihte publikut goditjen që ai pësoi në tru më 2 tetor 1919, duke përdorur gruan dhe mjekun e tij që të mos ia dorëzonte kompetencat e përkohshme zëvendëspresidentit Thomas Marshall, besimin e të cilit e kishte humbur me kalimin e kohës.

Më afër në kohë, presidenti Dwight Eisenhower pësoi një atak të rëndë në zemër në vitin 1955, që e detyroi atë të shtrohej në spital për 6 javë. Ai qeverisi në atë periudhë me ndihmën e zëvendëspresidentit të tij Richard Nixon, me të cilin bisedonte rregullisht në telefon.

Në vitet 1980, mosha e Ronald Reagan ishte temë e një debati dhe shqetësimeve të vazhdueshme. Sot flitet për lodhjen e dukshme fizike të presidentit Joe Biden, e cila monitorohet nga afër nga analistët e djathtë, siç u pa edhe në rastin e videos ku presidenti amerikan u shfaq i përgjumur në punimet e samitit COP26 mbi ndryshimet klimatike që u mbajt në Gllasgou të Skocisë.

Në këto kushte pyetja është:Kush e drejton në të vërtetë Shtëpinë e Bardhë, kur presidenti shfaqet vazhdimisht i lodhur? Faktori moshë është aty:më 22 nëntor të këtij viti ai do të mbushë 80 vjeç.

Sigurisht që jo Kamala Harris, siç e përmendte shpesh Donald Trump gjatë fushatës elektorale të vitit 2020. Kjo pasi zëvendëspresidentja ka treguar se nuk di të shfaqë një lidership të fortë, qoftë edhe në lidhje me detyrën që i është caktuar, që është zgjidhja e krizës së emigracionit në kufirin midis Meksikës dhe shtetit të Teksasit.

Prandaj duhet të shkojmë drejtë një “eminence gri” të vërtetë, dhe që nuk vjen nga politika elektorale:një identikit që korrespondon me atë të Ron Klain. Jemi duke folur për një figurë që mishëron një karrierë zyrtare për t’u pasur zili:i diplomuar fillimisht në Universitetin Xhorxhtaun dhe më pas për drejtësi në Harvard.

Përvojat e tij më të hershme të punës që mbahen mend janë që të gjitha në institucionet shtetërore. Në vitet 1980 ai ka punuar në stafin e kongresmenit të atëhershëm Ed Markey (sot një nga senatorët me idetë më radikale), dhe në periudhën dyvjeçare 1987-1988, ai ka qenë pjesë e këshilltarëve të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Byron White.

Më pas ai rinisi të angazhohet si ndihmës në administratë, dhe konkretisht për Komisionin Gjyqësor të Senatit, si këshilltar kryesor ligjor. Dhe ishte ai që mbikëqyri procesin për emërimin e Clarence Thomas në Gjykatën e Lartë.

Prandaj erdhi edhe kalimi në politikë. Fillimisht si pjesë e shtabit të Bill Clinton në vitin 1992, dhe më pas si shef shtabi fillimisht i Janet Reno dhe më pas i Al Gore në fushatën presidenciale të vitit 2000.

Klain mori sërish rolin e shefit të kabinetit të Joe Biden në vitin 2009 si zëvendëspresident, dhe më pas në vitin 2021 si president, duke kaluar në një tjetër rol delikat më 17 tetor 2014, atë të kreut të task-forcës kundër përhapjes së virusit Ebola në Shtetet e Bashkuara, pavarësisht se nuk kishte asnjë përvojë në fushën e shëndetësisë dhe epidemiologjisë.

Edhe në këtë rast,spikatën vetitë e tij si organizator. Ishin po këto veti që e lanë pranë Biden edhe pas fitores së këtij të fundit në nëntorin e 2020-ës.

“Unë dua Ronin në staf”- mësohet të ketë thënë presidenti. Një zgjedhje aq e dukshme, saqë nuk kishte nevojë as për konfirmim nga Senati. Pas një viti, bilanci i punës së tij është i diskutueshëm.

Nga njëra anë ai regjistroi një semestër të parë pothuajse të përsosur, në të cilin gjithçka shkoi pa probleme, nga programi i ri i ndihmës financiare në kuadër të krizës së shkaktuar nga Covid-19, deri tek plani federal i vaksinimit.

Por Klain ka një zakon të çuditshëm. Ai thotë se qëndron i përditësuar me “opinionin e elitës” duke qenë një përdorues shumë aktiv i Twitter-it. Dhe nuk po flasim për një njeri dosido, por për një person që përhap në mënyrë aktive mesazhe pro-Biden dhe që përqesh kundërshtarët, të brendshëm dhe të jashtëm.

Problemi është se pikëpamjet e tij janë shumë të orientuara drejt segmentit progresist të amerikanëve, gjë që përbën padyshim vetëm një pjesë të koalicionit fitues që e çoi  presidentin aktual në Shtëpinë e Bardhë.

Ashtu si republikanët e moderuar që votuan për Biden pasi ishin zemëruar me Trump, dhe që panë në mesazhin e moderuar të Biden një shpresë për më pak polarizim. Sigurisht që Biden-in nuk e ndihmon një Senat i ndarë, ku ndër të tjera edhe problemet kardiake të senatorit Ben Ray Lujan nga New Mexico, detyrojnë ri-planifikimin e axhendës legjislative. Por është edhe një faktor që na detyron t’i rikthehemi pyetjes që ngritëm që në fillim:Sa komandon vërtet Ron Klain? Pse ai është imun ndaj kritikave të ashpra të gazetave me peshë si “Washington Post” dhe “New York Times”?

Ndoshta presidenti Joe Biden, që po duket gjithnjë e më i drobitur në aspektin fizik dhe mendor, duhet t’ia delegojë punët një personi tek i cili ka besim absolut. Ndoshta kjo ka të bëjë edhe me besnikërinë e njohur të presidentit ndaj stafit të tij, gjë që e frenoi atë që të mos shkarkonte asnjë nga arkitektët kryesorë të tërheqjes katastrofike ushtarake nga Afganistani, sikurse është edhe këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan.

Edhe Klain ka pasur mbrojtësit e vet në Shtëpinë e Bardhë, dhe siç e thekson revista progresiste amerikane“The New Republic”, largimi i tij nuk do të ndryshonte asgjë. E sigurt është se perceptimi i presidentit si shumë i përafruar me të majtën radikale, nuk buron vetëm nga republikanët siç edhe mund të pritej, por edhe në mesin e të pavarurve. Pa këta të fundit rizgjedhja e Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2024 është praktikisht e pamundur.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *