Kush e detyroi Azemin të shkonte me një pistoletë në dorë drejt Fatmir Haklajt, tmerrit të Berishës?!

Nga Adriatik Doçi
Sali Berisha e përjashtoi Azem Hajdarin nga PD-ja në 9 janar të vitit 1997, duke e shpallur spiun, ordiner, të lidhur me bandat, me trafiqet etj.
Po të hapni arkivat dhe të shikoni fushatën e egër të ‘RD’-së kundër Azemit, nuk do të keni më asnjë dyshim se Azem Hajdari ishte kërcënimi numër një për pozitat e Berishës në PD.
Azemi është ankuar publikisht që në 9 shtator të vitit 1992 se kreu i SHIK-ut, Bashkim Gazidede, e përgjonte. Madje është ankuar nē mes të Parlamentit. Gazidede ishte syri dhe veshi sekret i Berishës.
Përjashtimi i Azemit nga PD-ja nuk e neutralizonte rrezikshmërinë e tij për pozitat e Berishës.
Berisha nuk ishte i qetë nga hija e Azemit.
Disa javë para vrasjes nga Fatmir Haklaj, Berisha çuditërisht e kishte ‘shkrirë’ Azemin, duke e afruar në heshtje. Madje i dha edhe një zyrë në selinë e PD-së.
Të gjitha faktet, rrethanat dhe dëshmitë konfirmojnë se Fatmir Haklaj nuk kishte arsye të vriste Azemin.
Haklajt konfliktin e kishin me Berishën.
Kush e detyroi Azemin të shkonte me një pistoletë në dorë drejt Fatmir Haklajt?!
Përgjigjen e japin tre fakte:
1.Zhdukja e telefonit të Azemit pas vrasjes, me anë të të cilit kishte marrë urdhër për të ardhur urgjent nga Fieri në Tiranë. Dhe vetëm një njeri mumd t’i jepte urdhra Azemit, ai që herë e ‘ngrinte’ dhe herë e ‘shkrinte’.
2.Vdekja misterioze e sekretates së Berishës, e cila kishte dëgjuar bisedën e fundit mes Berishës dhe Azemit disa minuta para vrasjes.
3.Refuzimi i Berishës për të dëshmuar për ngjarjen në Prokurori. U thirr 56 herë.
Vrasjen e Azemit, Sali Berisha e përdori për të ardhur në pushtet përmes grushtit të shtetit të 14 shtatorit 1998, duke akuzuar Fatos Nanon si porositës për vrasjen.
Sigurisht që akuza ishte një sajesë. Në vitin 2020, Berisha e pranoi publikisht se implikimi i Nanos ishte sajesë.
Madje ka të dhëna të rëndësishme se Berisha dhe Nano bashkëpunuan për të lejuar më pas eliminimin e Haklajve nga armiqtë e tyre në bashkëpunim me segmente shtetërore.
Sali Berisha hoqi qafet jo vetëm Azemin, por edhe Haklajt, sidomos Fatmirin, tmerri më i madh dhe më i papërshkrueshëm mbi tokë për Berishën, i cili nuk guxoi një herë t’i shqiptonte emrin deri ditën kur mbylli sytë.
Që pas eliminimit të Azemit, në PD mbeti vetëm Berisha me një tufë hajdara!