2 Dhjetor, 2022

“Kur Partia e Punës e mori Saliun e vogël nga kasollja”, disa përgjigje për ata që pyesin: Çfarë pune i prishte Berishës 29 nëntori

 “Kur Partia e Punës e mori Saliun e vogël nga kasollja”, disa përgjigje për ata që pyesin: Çfarë pune i prishte Berishës 29 nëntori

Nga Viktor Malaj

Ata që e kanë ndjekur me vëmendje politikën shqiptare të këtyre viteve, e dinë se Sali Berisha, në kohë dhe për shkaqe të ndryshme, ka paraqitur tri arsye pse pati bërë lutje për t’u anëtarësuar në Partinë e Punës (komuniste).

Në fillim pati thënë se ishte lavdia e Luftës Nacional-Çlirimtare që e shtyu ta bënte këtë. Madje, edhe kur mbajti fjalimin e tij para studentëve dhe popullit në Qytetin Studenti në dhjetor 1990, ai i thuri lavde udhëheqësit komunist, Ramiz Alia që “me guxim dhe trimëri udhëhoqi formacionet partizane për çlirimin e vendit…”.

Më vonë, pasi u ul në krye të vendit, filloi të sillej si ia donin nevojat për të ruajtur pushtetin, duke shkelmuar të vërtetat dhe parimet morale. Arriti deri atje sa të ndryshonte datën e Çlirimit.

Pse? Po ta shohim me vëmendje këtë veprim kundërhistorik, imoral dhe antikombëtar mund të evidentojmë disa shkaqe, por po veçoj tre prej tyre, që besoj se ndikuan më drejtpërdrejt.

Së pari, Sali Berisha nuk e kishte politikën si mision në shërbim të vendit, por si qëllim individual, nga njëra anë, për të promovuar veten politikisht për t’u bërë sundimtar, mundësisht i përjetshëm, dhe, nga ana tjetër, për të arritur atë pozitë ekonomike që tashmë ka familja e tij, një familje milionerësh.

Ambiciet e tij për pushtet kanë qenë të hershme dhe ai e ka synuar dhe kërkuar atë qysh gjatë regjimit komunist. Për njerëz si Sali Berisha nuk ka rëndësi lloji i sistemit por vendi që zë ai në atë sistem.

Po, ç’punë i prishte 29 Nëntori Sali Berishës?

Ai është pa parime, pa moral dhe pa shpirt, por nuk është budalla. Saliu e di shumë mirë se tre momentet më të rëndësishme historike të popullit shqiptar janë: Epopeja e Skënderbeut, Shpallja e Pavarësisë dhe Lufta Nacional-Çlirimtare.

Të gjithë popujt më dinjitozë dhe më të zhvilluar të botës konsiderojnë dhe nderojnë si figura të mëdha kombëtare individë që kanë kontribuar në çlirimin e vendit, në pavarësimin e tij, në zhvillimin e revolucioneve arsimore, kulturore apo industriale të vendeve të tyre.

Sali Berisha e di se nuk mbetesh në histori si figurë madhore me ngritjen e sistemit të kjoskave, të firmave piramidale, të komplekseve të aty-këtushme të bixhozit apo me zhvillimin marramendës të hoteleve, restoranteve dhe vilave të ndërtuara me paratë që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale.

Ai e vuan fort mungesën e një beteje reale në jetën e vet politike. Në kërkim të saj, ka dy dekada e gjysëm që lufton me mullinjtë e erës. “Lufta” e tij dhe ushtrisë së tij ka qenë një zinxhir aktesh të turpshme dhe antikombëtare që çuan në shkatërrimin e fabrikave, uzinave, vreshtave, pyjeve, minierave, shkollave, qendrave kulturore, shëndetësore etj.

Alibia e luftës kundër komunizmit e komunistit Sali Berisha do të vdesë një ditë. Atë vazhdojnë ta besojnë sot vetëm dy kategori shoqërore: tufa e injorantëve, pre e propagandës vulgare të pesëdhjetepesë fahrinjve dhe një pjesë e individëve që vazhdojnë ende të jetojnë me urrejtjen pasionante që iu ka pas shkaktuar persekutimi komunist.

Faik Konica thoshte dikur se, sikur Ahmet Zogu të kishte drejtuar rezistencën kundër Italisë në prill 1939, ai (Zogu) do të merrte atributet e një heroi kombëtar.

Nëse kjo është e vërtetë, atëherë këto atribute iu përkasin atyre që e bënë një akt të tillë. Gabimet dhe fajet e tyre të mëpastajme nuk ia zbehin vlerën luftës. Prandaj, për t’i denigruar ata, duhej denigruar vepra e tyre. Jo fare hapur por nëpërmjet ndryshimit të datës së Çlirimit, pra nëpërmjet instalimit të harresës.

Data është preteksti, është mjeti dhe jo qëllimi.

Së dyti, mendoj se gjatë aktivitetit të vet politik Sali Berisha ka qenë dhe është i rrethuar nga individë dhe forca ekstremiste të djathta, të cilat, jo vetëm nuk pranojnë bashkëpunimin e tyre me pushtuesit gjatë luftës, por përpiqen ta paraqesin atë si “luftë civile”.

Ndikimi i tyre, jo romantik, por për interes të votave, e ka çuar Berishën deri në ekstremin e marrëzisë.

Së treti, të menduarit dhe të gjykuarit e njeriut evoluon dhe ndryshon me ndryshimin e pozitës së vet shoqërore. Nuk kanë thënë kot se ndryshe mendohet në pallate dhe ndryshe në kasolle.

Kur Partia e Punës e mori Saliun e Vogël nga  “kasollja”, domethënë pa qenë askushi, dhe e bëri dikushin, madje gjithkushin, Saliu iu përgjërua asaj ta pranonte në radhët e saj, ku qëndroi 22 vjet. Kur Partia “vdiq” dhe ky u bë Saliu i Madh, punët ndryshuan.

Nuk mund të mendojnë njëlloj si sundimtari, si i sunduari, si milioneri ashtu edhe varfanjaku. Në këto rrethana shkon të thuhet: më trego sa ke në “xhep” të të them se çfarë mendon.

Rëndësia dhe vlerat e LNÇ nuk qëndrojnë aq shumë në trimëritë, reale apo të zmadhuara, të partizanëve. Para së gjithash, kjo është një çështje morale, kombëtare dhe historike. Kjo ka të bëjë sa me faktin se ajo luftë i rreshtoi shqiptarët me fituesit dhe parandaloi ndarjen e mëtejshme të Shqipërisë, aq edhe me mesazhin që ne iu përcjellim brezave të sotëm dhe atyre që do të vijnë.

Shkurt, shtrohen pyetjet: A duhet luftuar kundër atij që të shkel vendin me tanke e topa apo duhet puthur me të? A duhen nderuar ata individë që e rrezikojnë dhe e japin jetën, duke iu kundërvënë pushtuesit, apo duhen ngritur në piedestal ata që pushtuesin e konsiderojnë “çlirimtar”, administrator apo thjeshtë “kalimtar”?

Nëse shkojmë me predikimin se është e kotë dhe gabim të luftosh kundër të madhit dhe të fortit, atëherë zhvlerësohen automatikisht të gjitha përpjekjet e popullit shqiptar për liri e pavarësi në shekuj, madje edhe epopeja e Skënderbeut do të quhej një marrëzi, pasi Perandoria Osmane ishte superfuqia e asaj kohe. Trimëria, sakrifica dhe atdhetarizmi tregohen kundër të fortëve sepse të dobëtit nuk guxojnë të të mësyjnë.

Prandaj, ata që sulmojnë 29 Nëntorin, në thelb janë kundër të vërtetës, kundër të drejtës, kundër moralit. Ata janë jo vetëm kundër të shkuarës, që ka ruajtur dhe forcuar identiteti e kombit, por edhe kundër të ardhmes. E ardhmja iu përket atdhetarëve dhe atyre që japin jetën për një të ardhme pa pushtues.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *