Kur këta nisin qeshin, shqiptarët fillojnë e ngrysen

Nga Edona Llukaçaj
Meqë të qënit hijerëndë e i distancuar, si gjysëm-zot, perceptohet mbarëbotërisht veçori politikanësh autokratë e kryesisht lindorë, edhe politikanët tanë, në kërkim të popullaritetit të humbur, kanë vendosur të shtiren si perëndimorë.
Por teksa mundohen të duken të prekshëm dhe rreken të shfaqen njerëzorë e të thjeshtë, na gajasin me një fije keqardhjeje.
Në tubimet që organizoheshin nga ish-kryeministri Berisha në kohët e tij ‘të arta’, ai vendosej thuajse gjithmonë, e jo rrallë i vetëm, mbi podiume të larta, që ushqenin idenë e një figure monumentale.
Por, në rikthimin e tij të fundit me foltoret shëtitëse, z. Berisha e ka shmangur ngjitjen shkallëve të larta duke u afruar me të pranishmit, madje, përtej normave pandemike.
Nevoja për të rifituar popullaritetin e humbur, më shumë se sa mosha, duket se kanë rezultuar në podiume këmbë-sharruar, çka vihej re edhe në platformën e bardhë minimaliste të 11 Dhjetorit.
Ky politikan, që dikur mburrej me aftësitë e tij për të “ngrirë buzëqeshje në buzë”, tani vërtitet nëpër çdo qytet të Shqipërisë dhe kalon mjaft kohë duke dhënë poza të buzëqeshura për ‘selfie’ me të pranishmit.
Dukshëm, fjalët e idetë e shterruara vitesh duhet të zëvendësohen me imazhe dashamirëse me brezin që nuk ia mban mend kërcënimet.
– Në takimet që ndërmori rishtazi me demokratët që i kanë mbetur në bazë, Basha, si një ndjekës shembullor i mësimeve të Berishës, nuk hipi fare në foltore. Sa për të ndarë rrugët me çfarë i ka të mpleksura që në gjenezën e vet politike, aq edhe për t’u bërë njësh me njerëzit, ai iu drejtua mbështetësve të vet nga rradhët e tyre. Paçka se foli gjatë, pak kishte për të thënë.
Sidoqoftë, kryetari i opozitës ka pasur gjithnjë tendencën të jetë buzagaz. Edhe kur ia hidhte gjyqësorit me raporte mjekësore, edhe pasi mblidheshin kufoma bulevardesh kur ai ishte ministër, bile edhe, pak ditë më parë, kur, duke përmendur “vallen e Osman Takës”, paralajmëroi trazira te selia e PD-së, buzëqeshja nuk iu mpak.
Ndërsa pamja e përvuajtuar për përleshjet me gurë e fikëse zjarri tek selia e partisë që udhëheq, shpejt iu shua në buzëqeshje aforme.
– ‘Kostumin’ e politikanit të prekshëm, kryeministri Rama nuk e ka as të ri e as të marrë borxh. Ai, thjesht, e ‘vesh’ atë kur ndonjë tjetër duket se po merr më shumë vëmendje.
Por nëse dikur z. Rama e kërkonte vëmendjen e publikut me ngjyra çorapesh dhe modele pantallonash, tashmë ai, përveç podiumeve thellësisht estetike të rastit, po organizon, gjithnjë e më shpesh, bashkëbisedime virtuale ‘gju më gju’.
Edhe buzëqeshjen ka mësuar ta ketë më të madhe, sidomos përballë gjithë miqve e sivëllezërve të pushtetshëm që ka zënë dhe që i rrahin shpatullat kushedi pse.
– Por nëse në Shqipëri do jepej çmimi për politikanin me transforminim më të madh apo për më të qeshurin në kohëra, sigurisht që ai do meritohej nga presidenti Meta. Nga një buzëvarje e mbipeshë që e karakterizonte dikur, ai tashmë është kthyer në një figurë, që, hareshëm na njofton se do jetë në qarkullim si politikan edhe për 50 vitet e ardhshme.
Vetëbesimi i Shkëlqesisë së Tij është më se i justifikuar. Ndër vite, ai ia ka dalë të marrë rol kyç në shumë zhvillime të rëndësishme; më i fundit mund të konsiderohet thirrja e shtyrë për zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashki, atëherë kur të majtë e të djathtë, berishistë, bashistë a jo duan të dinë se sa fituan e sa jo ‘rithemeluesit’.
Ai ka ditur të mbijetojë e lulëzojë si askush, edhe kur përmbysjet filluan prej tij e me të. Prandaj ia merr këngës për qejf malesh me dëborë në 21 Janarin e Kongresit të Lushnjes, paçka se përkon edhe me vrasjen e katër qytetarëve të pafajshëm në mes të Tiranës dhe që s’duhet harruar pse po protestonin.
Por, si ngahera, z. Meta e ka gjetur një pikëmbajtje për t’u fuqizuar dhe për të vazhduar të qëndrojë në pushtet. Ai po përdor dhe do përdorë pamëshirshëm një plagë të madhe të shoqërisë sonë: emigrimin e shqiptarëve dhe rrezikun e shpopullimit.
E ndonëse fenomeni shqetësues nuk adresohet me gajasje, ai duket se do i sigurojë disave mundësinë të tallen me ne edhe për shume kohë.
Tronditëse, por kur këta fytyrë-ngrysur historikë qeshin, shqiptarët fillojnë e ngrysen. E dinë nga eksperienca se sa më i papërmbajtur të jetë ngazëllimi I pushtetarëve, po aq të mëdha janë shëmtitë që fshehin.