Heroi shqiptar që shpëtoi nga vdekja 55 njerëz, i tradhtuar nga shteti i vet

Nga Artur Meçollari
Po nuk je i korruptuar, shteti nuk është më i joti.
Ky është detari Besmir Meçaj, ekuipazh i Motovedetës “Bora” P-116 që bashkë me shokët e tij natën e 8 janarit 2021 shpëtoi në detin me forcën 5 në destancë nga derdhja e Vjosës 55 emigrantë sirianë me një mjet me gjatësi 20 m dhe të klasifikuar të shpëtojë deri në 15 vetë.
Atë mbrëmje gomonia ishte gjysëm e mbytur dhe emigrantët gjysëm në ujë. 14 prej tyre kishin pësuar djegje nga kontakti me përzjerrjen e karburantit me ujin e detit.
Disa nga të djegurit ishin gra dhe fëmijë. Kur Motovedeta identifikoi gomonen dhe iu afrua Besmiri u hodh në ujë dhe ndihmoi çdo emigrant të hipte në motovetë nga kiçi.
Në fund në gomone kishin mbetur dy fëmijë, të cilët nuk kushin shenja jete dhe prindërit e tyre vendosën ti braktisnin.
Ata i thanë Besmirit që t’i linte në gomone, por ai i mori të dy dhe i hipi në motovedetë. Femijet ishin gjallë, por të djegur dhe në gjendje shumë të rëndë.
Besmiri i pastroi, i mbështolli me baranije dhe u shtri bashkë me ta për ti mbajtur ngrohtë. Falë Besmirit dy fëmijët shpëtuan.
Ditën tjetën, në 9 janar 2021, Policia e Shtetit bëri kallëzim penal për të gjithë ekuipazhin e Motovedetës “Bora” P-126 “Për shpërdorim detyre” në bashkëpunim, pasi pranë molit të Vorës dy skafistët u hodhën në det, njëri prej të cilëve u kap dhe është me masë sigurie “arrest shtëpie”.
Në 6 maj 2021, mbasi Motovedeta u kthye nga qëndrimi 3-ditore si anije e gatëshme në Sazan, i gjithë ekuipazhi u ndalua me masën e sigurisë “arrest me burg”, duke përfshirë dhe Besmirin.
Në datën 27 maj 2021 Gjykata e Apelit e ktheu masën e sigurisë në “detyrim paraqitje”. Nga dita e ndalimit dhe deri më sot i gjithë ekuipazhi, duke përfshirë edhe heroin detar Besmir Meçaj janë të pezulluar nga detyra dhe nuk paguhen.
Deri më sot ata nuk kanë patur asnjë ndihmë, as juridike, nga Komanda e Forcës Detare, Shtabi i Përgjithshëm, Ministria e Mbrojtjes, Kryeministria, apo Komandanti i Përgjithshëm.
Shteti i ka braktisur. Ata po luftojnë vetë për drejtësi, pavarësisht se një ditë më pas të gjitha institucionet e publikuan dhe u kapardisën me shpëtimin e 55 sirianëve.
Ata nuk ndihmohen, se nuk janë ndaluar për korrupsion. Po të ishin ndaluar për korrupsion, qeveria do ti emëronte diku që të merrnin nga një pagë.