29 Nëntor, 2023

Kryezhelja politike, turpi i historisë së këtij vendi

 Kryezhelja politike, turpi i historisë së këtij vendi

Nga Viktor Malaj

Në vitin 1944 filloi të ngrihej një shtëpi e madhe në Shqipëri. Ideatorët, arkitektët dhe themeluesit e godinës vetëquheshin “komunistë” dhe veprës së tyre ia vunë emrin “Socializëm”. Pak nga pak, numri i “arkitektëve, inxhinierëve, teknikëve dhe punëtorëve” shkoi duke u shtuar, por numri i atyre që e brohorisnin ndërtesën e re si më të mirën dhe më të fortën në botë, u rrit marramendshëm.

Bash atë vit, pra në 1944, u lind në malësitë e Gjakovës një djalosh që, sapo mbushi 24 vjeç, kërkoi me dëshirë, ngulm dhe përbetime për përkushtim të bëhej pjesë e “grupit ideues dhe realizues” të godinës gjithnjë në lartësim.

Ndërsa shumë njerëz ishin mosbesues kundrejt madhështisë së godinës dhe qëndrueshmërisë së saj kundrejt “tërmeteve”, dhe jo pak të tjerë e urrenin ndërtesën pasi kundërshtimi ndaj projektit të saj i kishte dërguar në burg apo internime, djaloshi malësor dhe mjek i sapodiplomuar ndihej fort i vlerësuar dhe i besuar që po i jepej mundësia të ndihmonte në lartësimin e ndërtesës në fjalë, duke u bërë anëtar i grupit projektues të quajtur PPSH.

Në vitet ’80 dukej qartë që godina ishte vjetëruar dhe nuk iu përgjigjej më kërkesave të kohës. Ndryshimi ose rrënimi i saj dukej çështje kohe. Të gjithë të pakënaqurit akuzonin ideuesit, projektuesit dhe themeluesit e saj.

Duke e pasur të qartë që godina nuk do t’iu rezistonte dot “tërmeteve politike” me epiqendër jashtë Shqipërisë por me lëkundje të magnitudave të larta edhe brenda saj, mjeku i arkitektëve të godinës dhe propaganduesi i madhështisë së saj, Sali Berisha vendosi të marrë iniciativën e shpalljes së një “studioje projektuese” të quajtur PD dhe të bënte çmos të bëhej kryetar i saj dhe, rrjedhimisht, edhe arkitekt dhe inxhinier i “godinës” së re që do të ndërtohej në Shqipëri sipas ideve të tij dhe nën drejtimin e tij.

Ndërtesës që propagandonte, mjeku Sali i vuri emrin e huazuar “Demokraci” dhe filloi, jo vetëm përbaltjen gojore të godinës së parë, në ndërtimin e së cilës kishte kontribuar me vullnet, pasion dhe ligësi, por urdhëroi edhe rrënimin fizik të çdo pjese dhe kati të asaj ndërtese sepse ishte “komuniste”.

Me vullnetin e vrullin e vet të pandalshëm, por edhe me ndihmën e pakursyer të jashtme, të atyre që kishin kontribuar në tërmetet politike mbarëbotërore, mjeku tropojan arriti të bëhej drejtuesi i Shqipërisë “demokratike” dhe tani, duke i pasur në dorë të gjitha zyrat projektuese e zbatuese, filloi punën e palodhur për të vënë në jetë “idetë demokratike” që e kishin motivuar për të mirën e Shqipërisë.

Megjithëse bota perëndimore i kishte dhënë manualin e madh politik të ndërtimit të sistemit dhe i dërgonte vazhdimisht specialistë e këshilltarë për ta ndihmuar, burri i maleve udhëhiqej në veprimtarinë e vet nga “idetë dhe kultura” e tij që përfshinte:

Lejo pluralizmin politik, por mos lër gjë pa bërë për të ndenjur vetë gjithmonë në pushtet; propagando fjalën e lirë, por rrihi dhe burgosi njerëzit e shtypit sa herë të demaskojnë sjelljet dhe veprimet e tua; glorifiko zgjedhjet politike pluraliste, por përdor çdo mjet, edhe dhunën, për të mundësuar fitoren tënde “plebishitare”; lartëso “ekonominë e tregut dhe konkurencën e lirë”, por lejo çdo gjë të paligjshme që sjell fitime monetare dhe, rrjedhimisht, votëbesim për ty, të tilla si firmat piramidale, kjoskëzimin e krejt vendit, kontrabandën e naftës, pushtimin e tokave dhe të banesave shtetërore e private, mospagimin e taksave nga tregtarët etj.etj.

jeto në “një apartament 90 m2 tek Brraka” për t’u dukur popullor dhe i pakorruptuar por favorizo fëmijët dhe të afërmit në privatizime dhe financime në mënyrë që të bëhen milionerë; fol me pasion për Shqipëri dhe atdhetarizëm por, kur ta kërkojë nevoja furnizoje Serbinë me naftë kontrabandë “për të mirën e Kosovës” dhe nënshkruaj me Greqinë marrëveshje për dhurim deti; shpalle Shqipërinë faktor stabiliteti në rajon por, sipas situatave që krijohen, nxiti kosovarët të mos e firmosin Marrëveshjen e Rambujesë dhe kërcënoje Perëndimin për destabilitet sa herë të mos jetë dakord me projektin dhe mënyrën e ndërtimit të “godinës demokratike”;

fol pa pushim për “drejtësi të pavarur e demokratike”, por, për nevojat e tua, hiqi nga puna ata që kanë studiuar për drejtësi kur ti studioje për mjekësi apo sepse kishin qenë anëtarë të “studios socialiste” ashtu si edhe ti dhe zëvendësoi me agronomë, mekanikë, shoferë etj. mjafton të jenë besnikët dhe kamikazët tuaj në ditë të vështira.

Shumica dërmuese e popullit shqiptar i shikonte sjelljet dhe veprimet e “studios politike PD” dhe themeluesit të saj dhe nuk pajtohej me to, prandaj katër muaj pas marrjes në dorë të timonit të vendit, në votimet e pushtetit lokal në korrik 1992, realisht ia hoqi besimin e projektuesit dhe realizuesit të Shqipërisë së ardhshme.

Pastaj, dy vjet më vonë, kur themeluesi Sali paraqiti projektin e tij “madhështor” të Kushtetutës, 2/3 e shqiptarëve e kundërshtuan si të padrejtë. Për “themeluesin” nuk kishte rëndësi çfarë ishte e drejtë apo e padrejtë për popullin dhe banesën e përbashkët Shqipëri. Rëndësi kishin vetëm ato gjëra që i siguronin atij pozitën e “themeluesit dhe ndërtuesit” të banesës.

Për të siguruar “vazhdimësinë” e vet dhunoi zgjedhjet e majit 1996 dhe e çoi Shqipërinë në kaos, gati në konflikte civile në janar-mars 1997 dhe pushtoi institucionet qendrore në shtator 1998. Populli ia hoqi të drejtën e “projektuesit dhe ndërtuesit”, por ai mbeti “drejtor i studios PD” dhe me vetëm 41% të votave u kthye në krye të vendit në 2005 pasi “studioja tjetër politike PS” ishte ndarë në dy pjesë për “ideale”.

Përfundimisht, projekti i godinës së tij “demokratike” u hodh poshtë nga shumica e popullit shqiptar në vitin 2013 dhe zotnia Salih dha dorëheqjen nga drejtimi i “studios PD” duke ia besuar atë nxënësit dhe birit të tij politik Lulzim Basha. Kaq shumë ishte diskredituar ajo studio politike dhe nxënësit e tij besnikë saqë populli shqiptar nuk ua besoi më as projektet dhe as realizimet e “ndërtesave demokratike”.

Pasi i përdorën të gjitha mjetet propagandistike dhe ato të dhunës, braktisën Parlamentin dhe zgjedhjet vendore, iu erdhi një ferman nga Perëndimi i cili e shpallte “themeluesin, atin dhe drejtorin e shkollës politike” zotni Salih Berishën si person që kishte minuar demokracinë dhe ishte përfshirë në korrupsion madhor duke favorizuar familjarët dhe të afërmit e tij në përfitime marramendëse.

Gjithë “studioja politike PD” u gjend e befasuar dhe në hall të madh. Fermani në fjalë rrëzonte përtokë mitin e “rrëzuesit të komunizmit dhe themeluesit të demokracisë” dhe, rrjedhimisht, shumëzonte me zero propagandën vetëlavdëruese të “studios” dhe zhvlerësonte edhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt në ideimin dhe realizimin e projektit të tij tashmë të dështuar dhe të diskredituar.

Kjo “studio” nuk do të duhej të merrte më besimin e shqiptarëve për projektim dhe as për ndërtim. Mirëpo “eureka!”. Qeveria amerikane që dërgoi fermanin, e njoftoi personelin e “studios” se i vetmi shpëtim nga falimentimi i përjetshëm mbetej përjashtimi i “themeluesit” nga Grupi Parlamentar i “studios”.

Biri politik që drejtonte “studion” me trashëgimi dhe që themeluesin e kishte shpallur shpesh herë “aset kombëtar dhe mësuesi ynë”, ra në hall dhe i kërkoi firmosësit të fermanit të sillte prova të besueshme se themeluesi kishte qenë antidemokrat dhe i korruptuar. Zyrtarët që sollën fermanin iu përgjigjën me nja dy pyetje: Ku ke qenë ti që s’ke parë asgjë kur provat janë të shumta dhe lemerisëse dhe i kanë parë edhe shqiptarët e thjeshtë?! A do ta përjashtosh apo kërkon të kesh të njëjtin fat si babai yt politik? Po e përjashtove do të të përkrahim ne në projektin tënd të së ardhmes, pavarësisht se nuk japim dot garanci kur mund të firmoset nga populli shqiptar!

Atëherë, biri politik, i cili ishte bërë vullnetarisht nxënësi dhe trashëgimtari i atit jo për ideale, por për pushtet, mendoi me vehte: Ky e hëngri. Pse ta ha edhe unë?! I vdekuri me të vdekurit, i gjalli me të gjallët! Mori guximin dhe një ditë shpalli ‘fermanin” e tij: Babai dhe mësuesi ynë politik, z. Sali Berisha është padyshim udhëheqësi shqiptar që ka dhënë kontributin më të çmuar për zhvillimin e vendit dhe forcimin e demokracisë…Të gjitha arritjet më të mëdha të këtij vendi kanë, pa diskutim, vulën me nënshkrimin e Sali Berishës…, dhe pas kësaj njoftoi se “z. Sali Berisha nuk do të jetë anëtar i G. Parlamentar të PD-së…”.

Fermani i Birit e vrau më rëndë themeluesin Salih. Ai që s’kishte lënë fjalë pa thënë për themeluesit e “Socializmit”, duke i shpallur të gjithë kriminelë e tradhëtarë, po shihte tani se si projekti i themeluar prej atij vetë u hodh në erë dhe u shpall botërisht i rremë dhe i rrezikshëm dhe, madje, ai vetë po braktisej si i tillë nga bijtë e vet. Ç’të bënte? Të dorëzohej? Kurrësesi! Duhej luftuar. Me çdo mjet, mirëpo i vetmi mjet që njihte ishte dhuna, të cilën e kishte përdorur shumë herë dhe nuk ishte ndëshkuar asnjëherë.

E shpalli Birin e tij politik “mosmirënjohës, të paaftë, të shitur, tradhëtar, peng, të inkriminuar” etj. dhe njoftoi “projektin” e tij të ri: Rithemelimi! Ai që kishte përkrahur me pasion për 22 vjet projektin e dështuar të 1944, ai të cilit i dështoi edhe projekti i vet për 22 vjet, tani do të dilte me një projekt të ri, të rithemeluar prej atij vetë dhe të vetëshpallur “Shpëtimi i Shqipërisë”.

“Themeluesi” nuk mund të tërhiqej kurrë nga “projektet” sepse, siç na ka kumtuar Besniku i tij Mustafa, në vitin 1990 Berisha dukej se kishte një frymëzim hyjnor. A mund të dështojnë idetë dhe veprat “hyjnore”?! Projektit të rithemeluesit iu bashkuan gjysma e kontribuesve në dështimin e projektit të 1991 dhe u betuan se tani do të bënin betejën për t’ua rimarrë partinë tradhëtarëve.

Meqënëse gjysma që ishte me Birin nuk po ua lëshonte vullnetarisht, këta vendosën të bënin një sulm për marrjen e godinës së partisë. Si përpara çdo lufte, menjëherë filloi beteja e fjalëve. Ushtritë e dy gjysmave, e Atit dhe e Birit, e shpallën njëra – tjetrën banda kriminelësh, trafikantësh, vrasësish, hajdutësh, huliganësh, llum shoqëror etj.etj.

Populli s’po kuptonte gjë, edhe pse të dy gjysmat ishin bashkë deri dje dhe drejtoheshin nga një B, kurse tani secila gjysëm kishtë B-në e vet. Gjysma që kishte çelësat e zyrave i blindoi dyert e “Shtëpisë së Lirisë” për t’u mbrojtur nga sulmet eventuale të themeluesit të dështuar të asaj shtëpie.

Përfundimisht, në 8 janar 2022 ushtria e Atit u bë gati për sulmin demokratik për marrjen e “Shtëpisë së Lirisë”. Komandanti Salih, pas rreshtimit, iu drejtua jeniçerëve me patetizëm dhe frymë demokratike:

Të dashur demokratë e demokrate… të vërtetë. Pasi e rrëzova projektin “Socialist” me 22 vjet luftë e përpjekje, duke depërtuar në gjirin e udhëheqjes, në shtëpitë dhe barkat e tyre, duke iu dhënë ilaçe të skaduara për zemrat e tyre të sëmura dhe duke iu vozitur kajakët me qëllim për t’i mbytur, themelova projektin tim demokratik dhe perëndimor të cilin komunistët dhe aleatët e tyre sorosianë ma përmbysën pas 22 vjetësh. Tani kam marrë vendimin sublim për Rithemelimin e PD-së, i cili nuk do të zgjasë 22 vjet por përjetësisht. Sulmin e parë do ta bëjmë sot kundër gjysmës tonë tradhëtare e të shitur, por do të jetë një sulm paqësor pasi ju e dini se unë dua të qëndroj besnik i nonviolencës, ashtu siç kam qenë gjithnjë gjatë këtyre 31 viteve. Jemi dhe do të mbetemi të pamposhtur në vlerat që ne besojmë…

– Allahu je Ti!, – u përgjigjën jeniçerët, ndërsa ai vazhdoi:

Aty ka vrasës dhe banditë, të pajisur me pistoleta paralizuese (tamam si në 21 janar 2011 – thirri dikush nga turma), bomba gazi, bomba shurdhuese, bomba tymuese… Shtëpia do të pastrohet nga vrasësit dhe trafikantët… Jemi dhe do të mbetemi të pamposhtur… Shoqëria shqiptare meriton votën e lirë, aq të lirë sa ia kam siguruar unë në 1996, 2009, 2011 etj…

– Padishahëm çok jasha! (rroftë Sulltani!), – thirri në kor turma e jeniçerëve dhe vazhdoi: Dum Babën se veç ai asht i pakompromentum dhe demokrat perëndimor! Ai na çon në pushtet dhe na jep pushtet. Rroftë pushteti, doganat, policitë financiare, ndërtimore, fiskale, dhe të të gjitha llojeve! Poshtë Sorosi, Edi Rama, Yuri Kim, tradhëtari Basha dhe grupi i tyre!

Pasi vuri buzën në gaz, Rithemeluesi vazhdoi: Ne do ta marrim Shtëpinë e Lirisë në mënyrë paqësore prandaj, këtë herë, ndryshe nga 14 shtatori 1998, mos përdorni tanke e flakëhedhës, automatikë e mitralozë. Përdorni vetëm shkallë, gurë, qysqi, vare, leva dhe një dash për të hapur portën e blinduar nga Lulzim Pengu. Rithemeluesi filloi dhënien e drejtimeve të sulmeve duke e shoqëruar këtë me lëvizjet e duarve si dirigjent i orkestrave simfonike.

Formacionet e jeniçerëve iu vërsulën godinës, thyen dyer e dritare, hynë brenda dhe pasi thyen tavolina e karrige, filluan të kërkojnë për tradhëtarët duke vrapuar dhe thirrur me një fjalor fisnikësh që, zakonisht, e dëgjon midis të burgosurve ordinerë. Disa nga ndihmësit e Birit thirrën policinë e cila, duke përdorur gaz lotësjellës, i nxori përjashta për dhjetë minuta dhe të gjithë ikën me bisht nën shalë. “Revolucioni” brendapartiak kishte dështuar, ashtu si të gjitha projektet e mëparshme të Themeluesit.

Mirëpo, Themeluesi doli në konferencë shtypi në një hotel larg “Shtëpisë së Lirisë” dhe, siç kishte vepruar për 31 vjet rresht, sa herë kishte humbur, pohoi se fitorja ishte arritur pjesërisht, por ata do ta përsërisnin aksionin tjetër herë.

Sulmi u komentua në mënyra të ndryshme nga media dhe protagonistët. Biri politik Basha tha se “Berisha donte gjakderdhje mes demokratësh në 8 janar. Ajo që panë shqiptarët nuk ishte PD por një grusht huliganësh…”. Ish-deputeti i PD-së, Fatos Hoxha pohoi se “Nuk ndjehem i turpëruar pasi përplasja e sotme nuk ishte e demokratëve por vetëm e horrave, ishte e Berishës dhe e Bashës”. Hajde e bindi tani shqiptarët e thjeshtë se në cilën anë ndodhen horrat, në njërën, në tjetrën apo tek të dyja anët e modeles sonë demokratike!

Meqënëse sulmi mbi “Shtëpinë e Lirisë” ishte “paqësor”, njëra prej figurave “me perspektivë” të PD-së, Tomorr Alizoti u shpreh se “Berisha që kam dashur dhe dua, duhet të kontribuojë për demokracinë!”. Pra, politikanit të shpallur nga SHBA si minues i demokracisë dhe dhunuesit të bashkëpunëtorëve të tij të deridjeshëm i kërkohet “të kontribuojë për demokracinë”.

Për sa kohë horri flet për demokracinë dhe në emër të saj, e gjora demokraci!

Njëri prej aleatëve politikë të Babës, i cili ishte nga më aktivët në sulmin “paqësor” kundër institucioneve në 14 shtator 1998, drejtuesi i FRD-së, z. Sali Shehu pohoi se “FRD është ndjerë e shokuar nga sulmi i sotëm kundër selisë së PD-së… që të kujton sulmin mbi Bastijë apo sulmin e Leninit mbi Pallatin e Dimrit… Ne e dënojmë këtë akt banditësh…”.

Më e dhimbshme ishte deklarata e anëtarit të Kryesisë së PD-së, z. Roland Bejko, të cilin jeniçerët e dhunuan në oborrin e “Shtëpisë së Lirisë”. Atij nuk i vinte keq pse e dhunuan, por sepse këtë ia bënë ushtarët e Sulltanit Salih, ish-punonjës të SHIK-ut, prandaj tha se “Unë kam qenë njëri nga mbështetësit më të fortë të Berishës në ditët më të errëta të karrierës së tij politike të viteve 1997-2005. Kam qenë Student i Dhjetorit dhe me Medaljen e Trimërisë dhënë prej tij…”.

Kur e dëgjuan këtë reagim të sinqertë e demokratik, “dashakeqët” pyesnin njëri-tjetrin: Ore, ky Studenti i Dhjetorit që kishte “ideale demokratike”, pse s’u ndie kur Salihi burgoste kryetarin e opozitës dhe gazetarët në vitet 1993-1996, kur dhunonte zgjedhjet parlamentare në maj 1996 dhe pastaj rrahu “vençe” deputetët opozitarë, kur e çoi vendin në përplasje civile në mars 1997 dhe kur sulmoi institucionet qëndrore shtetërore në shtator 1998, por, përkundrazi, e mbështeti fort që të rikthehej në pushtet në 2005 për t’i vrarë opozitarët?! Duhet mbështetur errësira apo drita, e keqja apo e mira?!

Përgjigjen e dha një “komunist i pareformuar” i cili tha se kishte dy arsye për këtë: së pari, siç ka thënë Biri politik i Atit Rithemelus, z. L.Basha, këta i kanë ndenjur gjithnjë nga mbrapa Salihit dhe që ta njohësh duhej ta kishin përballë, si tani.

Së dyti, shumë prej Studentëve të Dhjetorit, me fjalën “demokraci” nënkuptonin pushtet dhe privilegje vetjake dhe jo drejtësi për të gjithë e për gjithçka.

Pas tri ditësh, Biri dhe shpura e tij u mblodhën dhe, ashtu siç kishte vepruar Ati para një muaji me “referendumin” e gjysmës së vet, duke e shkarkuar e përjashtuar Birin dhe bashkëpunëtorët e tij kryesorë, edhe ky vendosi përjashtimin nga “Shtëpia e Lirisë” të Atit Salih dhe kupolës kryesore që e rrethonte. Sapo Sulltani mori vesh fermanin e dytë të të Birit, doli në konferencë shtypi dhe u betua: “Unë jam njeri i bindjeve të lira. Beteja ime ka qenë gjithnjë për të vërtetën. Unë do të jem njëri prej kandidatëve kryesorë për projektin (tim) më të mirë që ka njohur ndonjëherë ky vend… Ne kemi shumë mbështetje ndërkombëtare”.

Kur dëgjuan këtë deklaratë, shumë njerëz kujtuan vargjet e famshme “Dhe bota qeshet, dhe fshati tallet”, ndërsa të tjerë që njihnin mirë etnologjinë, sollën ndërmend fjalët e urta popullore si: çfarë t’i bësh kujt, ta bëjnë e ta kalojnë; me miell të vjetër s’bëhet bukë e re; burri ka kohë me u koritë (turpëruar) etj.etj.

Një filozof solli në kujtesë thënien e mençur të filozofit dhe atdhetarit kosovar Ukshin Hoti që pohonte se “Çdo kohë i ka të vërtetat e veta, por ato të vërteta që ngrihen mbi mohimin e gjithçkaje, edhe vetë do t’i mohojë e ardhmja. Ato nuk mund të pranojnë kurrësesi amshimin”.

Kur shumica dërmuese e shqiptarëve, duke përfshirë edhe anëtarë dhe simpatizantë të PD-së, besojnë se Sulltanit Salih iu rezervua përfundimisht dhoma e turpit në “hotelin e historisë”, mendimin më të vyer e dha aleati moral e shpirtëror i Salihit, njeriu “i mençur e dinjitoz” Petrit Vasili, i cili u shpreh se “laraskat kanë përjashtuar shqiponjën”.

Tani, në moshën 78 vjeçare Sulltani “idealist” Salih Berisha, pasi i kanë dështuar të gjitha projektet dhe bashkëprojektet dhe pasi veprat e tij “madhështore” ia rrëzoi koha pa pritur vajtjen “matanë”, dhe kur nga “themelues” përfundoi i përjashtuar, na premtoi “rithemelimin” nëpërmjet projektit të tij “të ri”, të cilin e ka ideuar dhe do ta zbatojë me bashkëpunëtorët e tij fosilë të “projekteve” të mëparshëm të dështuar, si T. Shehu, B. Nishani, E. Paloka, F. Ndoka dhe shumë zhele të tjera politike me të cilat na premton “kostumin e ri demokratik” të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Do të kishte qenë punë më e mençur po të kishte porositur kostumin e lamtumirës së vet nga bota politike sesa kostumet e dalë mode që s’ia blen askush as në tregun e Gabit.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *