Korespondenca e Shaban Baxhakut me Foto Çamin: “Pallati i ëndrrave” i Kadaresë të përpunohet dhe ribotohet, ose ndalojeni! Kemi folur me shokun Ramiz

Libri “Indoktrinimi komunist përmes kulturës, letërsisë dhe artit” sjell disa nga diskutimet që janë zhvilluar në mbledhjet e Lidhjes së Shkrimtarëve gjatë regjimit komunist. Shumë autorë janë kritikuar për krijimtarinë e tyre dhe veprat janë ndaluar të ribotohen.
Newsbomb.al do të sjell disa nga fragmente nga ky libër që tregojnë për censurën e regjimit komunist mbi shkrimtarët dhe artistët.
Një prej tyre është shkrimtari Ismail Kadare. Ky është shkrimi i dytë për këtë autor, pas atij të parit ku anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve kërkonin që vepra “Pallati i ëndrrave” të Kadaresë të mos botohej pasi ishte “në themel e gabuar ideologjikisht”.
Sot, po publikojmë një fragment tjetër nga libri që tregon korrespondencën mes Shaban Baxhakut, shef i Sektorit të Arsim-Kulturës në Komitetin Qendror të PPSH, me Foto Çamin, Sekretari i Komitetit Qëndror të PPSH.
Informacion i Shaban Baxhakut dërguar Foto Çamit lidhur me diskutimet për novelën e Ismail Kadaresë “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” – Tiranë, më 6 nëntor 1982
Shoku Foto,
Organizata bazë e Lidhjes së Shkrimtarëve na ka dërguar këtë informacion, ku midis të tjerave, shprehet mendimi se novela “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” është në themel e gabuar ideologjikisht, prandaj nuk ka përse të bëhen përpjekje për ribotimin e saj në veprat e I. Kadaresë.
Po ashtu, në informacion thuhet se Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” më parë duhet të krijojë bindjet vetë për një vepër dhe pastaj ta shpërndajë për recension. Këto mendime të organizatës së Lidhjes së Shkrimtarëve bien ndesh me porosinë e dhënë nga ju që edhe për këtë novelë të zbatohen rregullat që kemi për çdo botim.
Ne mendojmë se është ose jo në themel e gabuar novela do ta përcaktojë Shtëpia Botuese sipas rregullave. Nëse organizata e Lidhjes së Shkrimtarëve ka mendimin se ajo është në tërësi e gabuar, atëherë duhet të bëjë analizë të argumentuar e të plotë dhe jo të japë vetëm mendimin se s’duhet të botohet. Për këtë çështje ende s’kemi vënë në dijeni shokun Ramiz.
Udhëzim i Foto Çamit për shefin e Sektorit të Arsim Kulturës në Komitetin Qendror të PPSH, Shaban Baxhaku lidhur me qëndrimin që duhej mbajtur ndaj novelës së Ismail Kadaresë “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” – Tiranë, më 11 nëntor 1982
Shoku Shaban,
Këtë çështje e kam biseduar një herë me shokun Ramiz. Duke qenë se Ismaili ngulte këmbë për botimin e veprës së tij, ai tha që në këtë rast të zbatohen rregullat nga shtëpia botuese si për të gjithë veprat e tjera.
Në qoftë se autori plotëson kërkesat e shtëpisë botuese, a ripunon veprën, mënjanon defektet, për të cilat kishte vërejtje, atëherë të botohet, në qoftë se kjo nuk arrihet, të mos botohet.
Jam dakord me mendimin tënd që Lidhja e Shkrimtarëve, po qe se është e bindur që vepra edhe pas ripunimit mbetet në tërësi e gabuar, këtë ajo ta argumentojë që të bindet edhe autori edhe shtëpia botuese. Të fala.
Shënim i shefit të Sektorit të Arsim Kulturës në Komitetin Qendror të PPSH, Shaban Baxhaku lidhur me vendimin e marrë për botimin e novelës “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” të shkrimtarit Ismail Kadare – Tiranë, më 18 nëntor 1982
MBI INFORMACIONIN E LIDHJES SË SHKRIMTARËVE PËR NOVELËN “NËPUNËSI I PALLATIT TË ËNDËRRAVE”
Pasi iu dërgua informacioni shokut Foto, dhe ai sqaroi edhe një herë porosinë e dhënë (shih praktikën), më 15.12.1982 u thirr shoku Dalan Shapllo, Thanas Leci, Lumturi Gjoni47 dhe iu thanë këto porosi:
1.-Për novelën të zbatohen rregullat nga Shtëpia Botuese si për të gjitha veprat e tjera. Nëse autori plotëson kërkesat e Shtëpisë Botuese, e ripunon veprën, mënjanon defektet për të cilat kishte vërejtje, atëherë të botohet, në qoftë se kjo nuk arrihet, të mos botohet.
2.-Nëse Lidhja e Shkrimtarëve ka bindjen se, edhe pas ripunimit, novela mbetet në tërësi e gabuar, atëherë ta argumentojë, të bindë edhe autorin që e ka anëtar të organizatës-bazë, edhe Shtëpinë Botuese ta ndihmojë.