5 Dhjetor, 2022

Këto janë disa nga arsyet se pse jugu i Italisë do t’ju mahnisë. Duhet ta vizitoni…

 Këto janë disa nga arsyet se pse jugu i Italisë do t’ju mahnisë. Duhet ta vizitoni…

E dimë tashmë që veriu i Italisë është më i pasur ekonomikisht. Ai ka gjithashtu edhe disa nga pikat më historike për t’u vizituar, por as jugu nuk mbetet pas. Ndoshta nuk dallon shumë në aspektin ekonomik, por askush nuk mund t’i mohojë dot bukuritë e bregdetit të jugut italian, apo ushqimet e shijshme të atyre zonave. Më poshtë do të mund të lexoni disa nga arsyet, se pse do të dashuroheni lehtësisht me jugun e Italisë. Ju duhet vetëm ta vizitoni, sidomos në periudhën pranverë – verë.

Në jugun e Italisë nuk është e nevojshme të udhëtosh me orë të tëra, vetëm për të bërë not në plazh. Plazhin e ke kudo.

Edhe pse shtëpitë ndodhen pranë njëra – tjetrës, njerëzit janë aq pa komplekse, saqë nuk ke pse ndihesh i turpëruar po që se vendos të brendshmet në telin e rrobave për t’u tharë. E bëjnë të gjithë.

Në jug është zbuluar pica, më saktësisht në Napoli, regjion italian i cili ndodhet po në jug. Nëse pica të pëlqen, në Napoli sigurisht do të provosh ndër më të mirat. Gjithashtu do të shijosh edhe bukuritë e tij përgjatë natës.

Ndërkohë që një kafe në Milano, Torino, apo në vendet veriore mund të të kushtojë rreth 2 euro, në jug të nevojiten vetëm 80 cent.

Parashikimi më i shpeshtë i motit italian thotë: “Shi në veri, diell në jug”. Nëse të pëlqen dielli, duhet sigurisht të zgjedhësh për të vizituar jugun.

Vërtet shtëpitë ndodhen pranë njëra – tjetrës, por ato duken aq bukur gjatë natës. Dritat janë të gjitha të ndezura, qetësia e qyteteve, zhurma e dallgëve të detit. Janë një parajsë më vete.

Kanë ndër ushqimet më të veçanta. Nëse do të provosh specialitetet e kuzhinës italiane, sigurisht duhet të vizitosh jugun. Veriu thjesht i ka kopjuar, por nuk i ka specialitete të vetat.

Njerëzit jetojnë thjesht dhe pa komplekse. Janë mësuar me pagesat e ulëta, apo me mungesën e pasurisë. Në jug, shumica e njerëzve janë të thjeshtë, ashtu si ne shqiptarët. Jo më kot, shumica e shqiptarëve që kanë emigruar në Itali, kanë zgjedhur jugun.

Arkitektura mbetet fantastike. Kjo gjë nuk e diferencon aspak nga veriu i Italisë. Në jug mund të shihni ndër veprat më të bukura arkitekturore. Më tepër akoma, mund të shikoni qytete të tëra me arkitekturë fantastike, si psh Alberobello në Puglia. Një perlë që duhet ta vizitoni patjetër.

Italianët i dashurojnë lulet. Mund të gjeni lule kudo, të varura ndonjëherë nga katet e dyta të shtëpive deri në tokë. Jugu i Italisë favorizohet nga moti i mirë për rritjen e pemëve dhe luleve. Nëse doni të vizitoni lagje me aromë të mirë lulesh dhe pastërti maksimale (çdo cep është i lyer me gëlqere), duhet të vizitoni jugun.

Punohet që në mëngjes. Janë njerëz që zgjohen herët. Puna në jug nis që në 6 të mëngjesit, njëkohësisht edhe gatimi në shtëpi. Është e pazakontë në jug të shohësh njerëz të zgjohen vonë, apo ta nisin vonë punën e tyre.

Nëse e mëson ta ngasësh makinën në jugun e Italisë, mund ta ngasësh kudo. Është si në Tiranë. Ka shumë trafik dhe njerëzit e ngasin makinën si “të çmendur”, ndaj nëse arrin t’ia dalësh me qarkullimin në jugun e Italisë, mund t’ia dalësh kudo.

Ushqimi në rrugë është po aq i mirë, sa në një restorant me 5 yje. Për higjienën mos u merakosni, italianët janë fanatikë të pastërtisë. Shijen? Duhet ta provoni e do të na jepni të drejtë.

Stadiumet më të mirë në botë, i gjeni në jug. Për adhuruesit e futbollit, e dinë se për çfarë po flasim. Në jug do të mund të shihni stadiumet më të mirë të Italisë.

Shumica e italianëve i kalojnë pushimet në jug. Rrallë gjen italianë që nga jugu të shkojnë në veri për të kaluar pushimet verore. Kjo gjë e ka padiskutim një arsye pse ndodh kështu…

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *