3 Shkurt, 2023

Këngëtarja e njohur tregon për përvojën e trishtë me paparacët dhe imazhin e trupit

 Këngëtarja e njohur tregon për përvojën e trishtë me paparacët dhe imazhin e trupit

Camila Cabello ndau me ndjekësit në rrjete sociale gjithë përvojën e saj me paparacët, që ka ndikuar te imazhi i trupit dhe vetëvlerësimi, një përvojë që duket e lodhshme dhe mbi të gjitha e trishtë.

Prej kohësh, ajo ka qenë në “syrin” e paparacëve dhe është komentuar vazhdimisht në rrjete sociale për peshën. Së fundmi, pasi fotografitë e saj në një plazh në Miami qarkulluan në internet, këngëtarja shpjegoi se me çfarë përballet ndërkohë që thjesht dëshiron të shijojë pak kohë në natyrë.

Camila tregon se sa herë shkon në plazh, e di që do të fotografohet. Përvojat e mëparshme kanë ndikuar te vetëvlerësimi i saj. “Kam veshur bikini shumë të vogla dhe nuk i kushtova rëndësi pamjes sime, më pas pashë fotot në internet dhe komentet dhe u mërzita shumë,” shkruan ajo.

Sado përpiqet që t’i kujtojë vetes se nuk ka pse përmbush pritshmëritë që njerëzit kanë për “trupin e një gruaje të shëndetshme” dhe ndjek vazhdimisht podkaste për ushqimin, ndjek gratë që pranojnë celulitin, strijat e tyre, barkun e fryrë dhe luhatjet e peshës, këngëtarja thekson se në fund të fundit është një vajzë në të 20-at, në mes të një numri të lartë promovimesh dhe padyshim dëshiron të duket “mirë”.

Pikërisht këto ndjesi ndikuan te dalja e fundit në plazh. Camila shpjegon se veshi një palë bikini të reja, nuk “hëngri asgjë të rëndë”, mbajti frymën që të mos i dukej shumë barku, deri në një pikë sa kishte dhimbje. E padyshim që e gjithë përvoja ishte rraskapitëse.

“U hoqa sikur [paparacët] nuk ishin atje. Pashë një grup fëmijësh të ngazëllyer kur dallgët përplaseshin me ta – pa syze, pa bizhuteri, pa vetëkontroll, thjesht pafajësia e fëmijëve – që është ndjesia për të cilën kam shkuar gjithmonë në natyrë. E dija që dukesha ‘mirë’ në foto dhe mendova se do ndihesha e plotësuar, por nuk kam kaluar kurrë me keq se atë ditë në plazh,” thotë ajo.

“Për kë po përpiqem të dukem tërheqëse nëse nuk jam tërheqëse për veten time dhe nuk mund të qetësohem, të kaloj mirë dhe të luaj në një ditë të bukur në plazh?”

Nëpër komente, njerëzit e falenderojnë për mesazhin. “Kjo është kaq e rëndësishme,” shkruan dikush. “Mesazhi më i bukur. Unë me të vërtetë ndjej se bota po zhvendoset drejt këtij drejtimi ku të gjithë duam të jemi realë. Më vjen keq për çfarë po kalon,” lexohet në një tjetër koment.

Camila nuk është ende në fazën ku nuk i interesojnë fare komentet, por shkruan se emocionalisht është në një pikë ku po punon që të ndihet si dikur, kur ishte 7 vjeç dhe luante në det e lirë, e lumtur, kur merrte frymë lirshëm dhe hiqej si sirenë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *