1 Prill, 2023

Kemi edhe ne Artan Hoxhën, që i ka treguar vendin Sali Berishës

 Kemi edhe ne Artan Hoxhën, që i ka treguar vendin Sali Berishës

Nga Dritan Hila

Rrjeti është entuziazmuar kur ka parë që gazetari Imer Mushkolaj i është drejtuar Sali Berishës duke i përmendur gjithë bagazhin kriminal. Është ai lloj bagazhi për të cilin nuk ka nevojë asnjë gjykatë t’ia provojë. Furnizimin me karburant të Serbisë gjatë embargos; ‘97-ën; Gërdecin dhe së fundmi 21 janarin.

Për të gjitha këto krime Berisha nuk ka nevojë për gjykim pasi i ka pranuar madje krenuar. Natyrisht me justifikimet e veta nga më grotesket dhe deri idiote, por i ka pranuar. Dhe Mushkolaj si çdo gazetar me një fije sedre profesionale ia ka përmendur. I akuzuari ka bërë atë që di të bëjë gjithmonë, të shpifi.

Qëndrimi i Mushkolajt ka entuziazmuar rrjetin në Shqipëri. Por për hir të së vërtetës si Mushkolaj, madje akoma më fort i ka qëndruar Sali Berishës Artan Hoxha, i cili i ka rreshtuar vrasjet dhe krimet dhe duke i thënë për më tepër që “do të vij të bëj kronikën, kur të shkosh si Pinoçeti me barelë në dyert e gjykatave”.

Jo, nuk ka munguar kurajoja e Artan Hoxhës i cili ka merita më shumë se Mushkolaj pasi ia ka thënë në Shqipëri ku bandat e Berishës janë akoma aktive; ia ka thënë në Shqipëri ku bizneset që kanë në pronësi radiotelevizionet të mbyllin dyert dhe financojnë nën dorë sipërmarrjen e Berishës; ia ka thënë në vendin ku nën justifikimin e lirisë së shtypit i hapen ekranet nga psikopatë të modelit Çako e deri kriminelë të kallëpit Berisha; ia ka thënë në vendin ku gazetarët jargaviten përballë Berishës madje i thonë edhe sa shumë e pëlqejnë mamatë e tyre; në vendin ku ende ky njeri ka ndjekës dhe simpatizantë që janë gati të vriten për të; në vendin ku nëse ke dinjitet dhe përbuz Berishën dhe kallëpin e tij, të vënë gjithfarë epitetesh. Ndaj bëjmë mirë që jemi krenarë për Imer Mushkolaj, i cili e tha në një vend ku ky farë trimi konsiderohet si patriot.

Por më përpara na takon të jemi krenarë me Artan Hoxhën sepse ia ka përplasur në fytyrë Berishës, në vendin e krimit.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *