27 Mars, 2023

Rama dhe Berisha janë trembur nga Basha, ndaj janë bërë bashkë. Basha duhet të bëhet gati tani

 Rama dhe Berisha janë trembur nga Basha, ndaj janë bërë bashkë. Basha duhet të bëhet gati tani

Nga Spartak Ngjela

E gjithë shpresa e Saliut është te Rama, dhe, e gjithë shpresa e Ramës është te Saliu. Kjo është koha e sotme.

Të dy janë të trembur nga rigrupimi i Partisë Demokratike, pa Saliun dhe pa sindromat e tij patologjike.

Partia Demokratike, deri tani, ka qenë një grupim sindromatik sipas sëmundjes së Saliut.

Tani, më në fund, ajo u çlirua.

Por kemi ngjarje përpara, dhe Lulzim Basha duhet të jetë i përgatitur. Ai tregoi forcë intelekti në përjashtimin e Saliut nga Partia Demokratike, në dy faza; por tani i duhet forca e reformatorit, në parti dhe në shtet.

Votimi i Saliut dje, ishte një dështim i radhës dhe mashtrim në votim, sipas ligësisë Berisha.

Gjë e zakonshme tani; sepse Berisha e urren votën e lirë; ngaqë kjo i është dukur gjithmonë sikur të jetë një institucion i ngritur kundër tij; a thua se ai vetë është një monark. Një tragjikomedi klasike ka qenë kjo për 30 vjet në Shqipëri; por tani u hodh në koshin e mbeturinave.

Kurse Basha duhet të mos mendojë më për Saliun, por për të krijuar skemën se si do ta mundë Ramën me anë te zgjedhjeve të parakohshme.

Zgjedhjet e parakohshme dhe likuidimi tërësisht i Saliut, është e njëjta gjë, sepse ky është një raport, i cili do të vijë e të vendoset domosdoshmërisht pas eliminimit tërësor të Saliut; raport ky, që, sipas analizave profesionale, mendohet se do të krijohet brenda këtij muaji.

Po Rama, si po ndihet? Dallohet që është shumë keq kur mendon eliminimin e Saliut; sepse e di që, pa Berishën e djathta fillon rigrupimin e saj cilësor.

Si përfundim; na duhet të theksojmë se:

Është fundosja juridiko-penale përfundimtare e Saliut; çështje e këtij muaji; dhe pastaj vijnë me radhë: rigrupimi demokratik djathtas i Partisë Demokratike që të çon në zgjedhjet e parakohshme. Këta dy aspekte mbartin me vete progresin demokratik të kësaj kohe.

Po korrupsioni i lartë shtetëror si do ta presë këtë kohë? Me alarm; sigurisht. Por nuk ka se çfarë të bëje; sepse e gjithë shpresa e tij ka qenë, dhe shihet që te jetë, falë kryefjalës së korrupsionit shqiptar: Sali Berisha.

Janë në lidhje pra: korrupsioni i lartë shtetëror që po rrënkon, likuidimi i Berishës dhe zhvillimi modern i Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

Kjo është filozofia aktuale e progresit shqiptar; që do t’i gëzojë shqiptarët, por që do t’i thimosë për vdekje: korrupsionin e lartë në Tirane dhe, edhe pushtuesit e territoreve shqiptare, gjithashtu.

Prisni dhe shikoni.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *