29 Maj, 2023

“Ju s’jeni burra”: Nana Lizë dhe niveli i deputetëve shqiptarë

 “Ju s’jeni burra”: Nana Lizë dhe niveli i deputetëve shqiptarë

Nga Lindita Kokoli

Ngjarja te lagja “5 maji” në Tiranë prodhoi, përveç dhunës dhe pashpirtësisë së shtetit, edhe një emër që u bë popullor. Të gjithë kemi parë kur u sul policia të nxirrte me dhunë një prej familjeve, e cila kishte një ndertesë 3 katshe, me çertifikatë pronësie, një grua e moshuar po merrej përdhunshëm nga forcat e policisë.

Ajo është Liza Marku, 80 vjeçare, e cila tashmë njihet nga të gjithë si Nana Lizë. Sekuencat filmike kur ajo u thoshte policëve, të cilët ishin urdhëruar që të shembej shtëpia ku banonin shumë njerëz të një familje, Nana Lizë rropatej t’ju lutej policëve se “më lini të marr ilaçet dhe rrobat e vdekjes që i kam në arkë!”.

Kjo skenë e tërheqjes se Nanë Lizës me forcë është tregues kuptimplotë se si vepron qeveria ndaj të pambrojturve.

Nana Lizë ka qëlluar me gjuhë brisk dhe me një mendje që kalonte shumicën e deputetëve që kemi sot në parlament. E pashkolluar, por me një kulturë të fituar nga jeta e saj e vështirë, ajo shkëlqeu në seancat dëgjimore në Selinë e Kuvendit të Shqipërisë, kur u thirr për prishjen e shtëpive në lagjen 5 Maji në kryeqytet.

Ajo preku zemrat e shqiptarëve me logjiken e saj, me hallin dhe kërkesat se si duhet të gjendet zgjidhja me logjikë e jo dhuna policore.

Nënë Liza tha se ajo kërkon nga shteti t’i jap përgjigje të saktë se çdo bëhet me të dhe se deri tani nuk ka firmosur asnjë kontratë me Bashkinë e Tiranës. Nënë Liza tha se policët u sollën me të si të ishin xhandarët e Zogut , nuk e lanë as të hynte në banesë për të marrë ilaçet, rrobat apo edhe paratë e bukës që i kishin mbetur brenda banesës, që sot kanë mbetur vetëm rrënoja.

Ja se çfarë tha ndër të tjera Nana Lizë para deputetëve, të cilët nuk vlenin as sa një e njëqinda e Nana Lizës:

“Në as jemi vra dhe as jemi pre (sakatuar) që të bajmë luftë me njani-tjetrin. Unë dua përgjigje të saktë nga shteti. Ose të na marrin të na pushkatojnë të bregu i lumit. Policia kishte ba shtetrrethim te “5 maji”. Çfarë do banin 1300 polica me 3 të vobektë?! Ata kanë ardhur e kanë plasë në shtëpinë tonë si xhandarët e Zogut njëherë  e një kohë. Kur kam dashtë me marrë rrobat, me marrë ilaçet, lekët e bukës, jo asgjë nuk na lane me marrë me vete! Katër policë na nxorën jashtë me dhunë. Me këtë shtet dhe kryetar bashkie jemi duke hy në gropë.

Kryetari i Bashkisë me qenë burrë, vjen në shesh të burrave se unë jam plakë për me më nxjerrë gjithë ata policë. Këtu s’ka drejtësi, drejtësia ka mbaru, këtu s’ka shtet! Mua s’më gënjen as Erion Veliaj dhe as Edi Rama. Unë po fle akoma nën rrënoja. Kush e dhuron nga ju shtëpinë, ju zotnijë deputetë?! Shpitë për vete i keni ba përbukuri si deputetë! Po mue pse ma shkatërroni jetën me kalamajtë e mijë?! Me letra të shtetit tuj e kam ba shpinë.

Unë du metrat e shtëpisë nji më nji, asnjë centimetër më shumë e asnjë më pak! Me këtë shtet, me Erion Veliaj, ne s’po hyjmë në Europë, por në gropë! Erion Veliaj, po qe burrë të vijë këtu.

Kanë marrë e kanë shkatërrue edhe rrobat e vdekjes teme që kam në arkë. Ky thotë jemi tu hi në Europë, por në fakt po hyjmë në gropë zotnijë deputetë!”– tha Nana Lizë, duke lenë pa gojë deputetët, të cilët edhe pa dëgjuar Nanën Lizë janë realisht pa gojë se nuk flasin apo kur “flasin” vetëm votojnë pro çfarë thotë qeveria.

E Nana Lizë po të ishte deputete do të shkëlqente në sallën e parlamentit, jo për hallin e saj tashmë, por për hallet e shqiptarëve.

Nana Lizë u bë ikonë dhe ajo hyri në histori. Kurse deputetët tanë marrin atë rrogë, ndonjë tendër apo leje ndërtimi dhe ikin pa lenë gurmë për popullin.

Lum ne, për këta deputetë që kemi!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *