31 Janar, 2023

Jo vetëm nafta: Shqipëria, me rritjen më të madhe të çmimeve të ushqimeve gjatë pandemisë në rajon, vaji shkon 330 lekë

 Jo vetëm nafta: Shqipëria, me rritjen më të madhe të çmimeve të ushqimeve gjatë pandemisë në rajon, vaji shkon 330 lekë

Gjatë periudhës së karantinës nga mars-maj 2020, tregjet shqiptare reaguan me rritjen më të lartë të çmimeve të ushqimeve, ndërkohë që në vendet e tjera të rajonit reflektuan me ulje.

Një studim i SWG, si një platformë për bashkëpunim rajonal, tregoi se, ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit çmimet e ushqimeve në Shqipëri u rritën me shpejtësi me ritme 4-5% në mars-shtator 2020, nga rreth 2% që ishin ritmet vjetore të rritjes në muajt e parë të vitit 2020 janar dhe shkurt (shih grafikun bashkëngjitur).

Studimi tregon se shqiptarët ishin më të ekspozuar ndaj panikut gjatë pandemisë pasi bënë blerje jo të zakonta, gjatë fillimit të karantinës çka ndikoi në rritjen e çmimeve, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit që treguan më shumë maturi.

Gjithsesi çmimet e ushqimeve mbetën relativisht të qëndrueshme në rajon me luhatje që varionin nga 2% në 6% në 7 -mujorin 2020. Nuk u vërejtën luhatshmëri të mëdha çmimesh dhe u shmangën krizat e çmimeve dhe furnizimeve me ushqimeve. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, indeksi i çmimeve të ushqimeve ra me 1% – 2% nën nivelin e një viti më parë gjatë pandemisë, për shkak të kërkesës në rënie.

Në Bosnjë rregullatorët kufizuan marzhet e çmimeve për produktet ushqimore me kushtin që çmimet e ushqimeve të mund të rriteshin vetëm nëse kostoja e blerjes rritej.

Kosova kishte çmimet më të qëndrueshme në periudhën nga marsi deri në shtator 2020. Megjithatë, edhe atje çmimet e ushqimeve u rriten nga 1 deri në 3% (në varësi të muajve) gjatë pandemisë krahasuar me 2019.

Në Mal të Zi, gjatë çdo muaji i pandemisë, pati një rënie të lehtë çmimet e konsumit, deri në 1 për qind krahasuar me çmimet e një viti më parë. Në të njëjtën kohë, çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike u rriten nga 1.3 për qind në 1.9 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2019.

Mali i Zi ka varësi të më të lartë nga importet ushqimore. Rritja e çmimeve erdhi nga kryesisht për shkak te efektit zinxhir nga tregu botëror.

Një rritje e moderuar e çmimeve ka ndodhur në Maqedoninë e Veriut gjatë pandemisë. Duke filluar nga qershori, indeksi u rrit deri në 2%. Çmimet e ushqimeve filluan të rriten pas muajit mars, me më shumë në qershor (5.9% më i lartë se në 2019).

Në Maqedoninë e Veriut, çmimet e ushqimeve u rritën më shpejt se çmimet e tjera. Në Serbi, inflacioni shënoi rritje e moderuar deri në 2% krahasuar meë 2019-s, ndërkohë që indeksi i ushqimeve ishte 2% deri në 5% më shumë sipas muajve.

Edhe pse është prodhuesi më i madh i ushqimeve në Ballkanin Perëndimor, Serbia gjithashtu pa në terma relative rritjen më të madhe të çmimeve të ushqimeve gjatë pandemisë – nga marsi deri në shtator 2020.

Rritja e çmimeve të ushqimeve në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor ishte më e ngadaltë se rritja mesatare globale gjatë 7 muajve të parë të vitit 2020, përveç Shqipërisë, thotë studimi.

Vaji arrin çmim rekord

Çmimi i vajit të lulediellit për muajin mars është rritur 32.5% në krahasim me muajin shkurt të këtij viti.

Çmimi i vajit “Floriol” i importuar nga Hungaria për muajin mars u tregtua me pakicë 330 lekë/litër nga 249 lekë/litër që u shit në shkurt. Në të njëjtat nivele rritje për muajin mars ka shënuar edhe vaji i misrit (31%) shitet 340 lekë/litër nga 260 lekë/litër që është shitur më parë.

Drejtori i përgjithshëm i kompanisë “Erbiron sh.p.k”, e cila ka ekskluzivitetin e importit të vajit të botiluar hungarez “Floriol”, Tedi Maraj, tha për “Monitor” se aktualisht po furnizohen me çmim 1,8 euro/litër, pa përfshirë kostot e larta të transportit dhe TVSH-në.

Sipas tij rritja e çmimit është ndikuar së tepërmi nga mbyllja e importeve pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë, panikut të krijuar në tregjet europiane për gjetjen e furnizimeve dhe shtrenjtimi i tarifave të transportit.

“Për shkak të luftës Rusi-Ukrainë shumica e grosistëve të vajit në Europë i janë drejtuar Hungarisë për importe. Për shkak të mungesës të importeve nga Rusia dhe Ukrainë, kërkesa e lartë e Europës e ndikuar edhe nga paniku, po synohet të përballohet më tepër nga Hungaria dhe shtetet e tjera të Europës.

Shumë kompani nga Italia dhe Kosova madje kanë kërkuar të bëjnë vajin nga ne, për shkak edhe të bllokimit të importit nga Serbia, por e kemi të pamundur t’i furnizojmë, pasi parësor është tregu vendas. Aktualisht çmimi i furnizimeve të vajit nga Hungaria është 1,8 euro/litër, pa përfshirë transportin dhe TVSH-në”, nënvizon z. Maraj.

Importuesit paralajmërojnë vështirësi për furnizimin e vajit nga muaji prill, pasi Hungaria ka njoftuar rritjen e çmimit në 2,8 euro/litër, ndërsa tarifat e transportit janë rritur 40%. “Për muajin mars kemi siguruar furnizim me çmim 1,8 euro/litër. Nuk do të ketë mungesë në treg.

Për muajin prill furnizimi me vaj luledielli parashikohet të jetë shumë i vështirë për shkak të shtrenjtimit të lartë të çmimit. Në kahun tjetër edhe tarifat e transportit janë shtrenjtuar. Para muajit janar 2021 tarifa e transportit për 1 tren (15 vagona) me vaj luledielli kushtonte 28,000 euro.

Aktualisht çmimi është 46,000 euro. Prioritet për kompaninë është furnizimi me vaj luledielli për konsumatorin shqiptar, pavarësisht kostove të larta”, thotë përfaqësuesi i kompanisë “Erbiron”.

Importet e “Vajra dhe dhjamëra kafshore apo vegjetale” nga Rusia u rritën me 10% në 2021-n në krahasim me një vit më parë, sipas të dhënave të INSTAT, duke përbërë 17% të totalit. Në të njëjtën linjë u rritën importet nga Hungaria (3,5%), Italia (4%), ndërsa importet nga Ukraina pësuan rënia 7%.

Rusia, Ukraina, Hungaria, Serbia dhe Bullgaria janë furnizuesit kryesorë të tregut shqiptar me vaj ushqimor luledielli. Më pas e ndjekin edhe shtete të tjera të Europës, si Italia, Gjermania dhe Greqia, por në sasi më të vogël.

Në Shqipëri, aktualisht nuk punon asnjë rafineri e përpunimit të vajit grexho (vaj i papërpunuar). Kompanitë vetëm sa ambalazhojnë me logon e tyre vajin e përpunuar të importit.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *