Ja pse koha thërret sërish Sali Berishën!

Nga Ilir Demalia
Shoqëria shqiptare e pandarë nga formati dhe mendesia e operimit komunist në demo(n)kraci.
Pas 31 vjetësh shoqëria shqiptare është në tollovinë “kronikale” tip “oda burrash” apo gajde cyrle festimesh si format dhe verb, pa asnjë ndryshim nga përkujtimet që beheshin në kohën e komunizmit për ditët e “çlirimit” apo festa e formimit të brigadave partizane.
Kjo ndodhi edhe me përkujtimin e 8 dhjetorit 1990 në Qytetin Studenti dhe ke Turbina e partisë.
Kjo ndodhi dhe në Opinion dhe studiot e tjera televizive
Kur i shikoja që flisnin, apo lexoja shkrimet e shumë prej tyre, dhe kur i kthehesha bisedave me shumë prej tyre se çfarë thonë në biseda private në dreka, darka apo kafe, për “legjendarin” Hajdari, për “prijësin e lirisë” Sali Berisha etj, fshija xhamin e gjyslykeve dhe i kerkoja vetes:
– A është ky po i njëjti njeri?!!
Pa pëmendur këtu se çfarë i kanë thënë dhe shkruar njeri-tjetrit këta, nga akuzat me të rënda politike, morale, familjare, për vjedhje, abuzime me pushtetin, korrupsion, bashkëpuntorë Sigurimi etj.
Kjo ndodh sepse shoqëria shqiptare nuk ka mundur dhe nuk po mundet të ballafaqojë raportin me të vërtetën. Historianët shqiptarë, politika, media, vazhdojnë ta trajtojnë historinë si interesa grupimesh klanore-politike me “fitues dhe humbës”, me përjashtime dhe anatemime dhe ngjarjet historike si “triumfe” individuale apo klanore-rajonale. Jashtë kontekstit historik-ndërkombëtar dhe kombëtar, kulturor-politik dhe shoqëror.
Kjo është mendesia e shoqërive para-politike që nuk kanë mundur të futen në ullinë e shoqërive moderne të shtetit të së drejtës dhe demokracive-liberale Kjo është mendesia e sundimeve diktatoriale, autoritariste, ku qëllim kanë sundimin klanor, mafioz me të gjitha format, dhe jo zhvillimin e shtetit ligjor, demokracisë, prosperitetit ekonomik të vendit, kulturës dhe hapsirave të lirisë nëpërmjet konkurencës.
Po gënjehet, mashtrohet, manipulohet ditën për diell për një periudhe si viti 1990, kur brezi që jetojë ato ngjarje është ende gjallë. I ka njohur personazhet e sotëm të “lirisë” se çfarë kanë bërë atëherë me pas dhe çfarë po i bëjnë sot vendit dhe shoqërisë. Dhe shoqëria e pranon këtë dhe këta.
Ja pra pse koha thërret përsëri “prijësin e lirisë” Sali Berisha, si përsëritje e të keqes, pasi shoqëria shqiptare, nuk ka as kurajon, as kapacitetetin, as vullnetin për t’u ndarë nga e keqja. Shqiptarët sillen në rrethin vicioz të së keqes duke zëvendësuar të keqen dhe imoralitetin politik me nje të keqe tjetër.
“Të përsërisësh të njëjtin eksperiment që të ka dështuar disa herë dhe të presësh një rezultat ndryshe, do të thotë që je idiot.” Na mëson Ajnshtajn.