28 Janar, 2023

Italia, kundër SHBA-së: Sali Berishën e kanë zgjedhur demokratët, ne s’duhet të ndërhyjmë

 Italia, kundër SHBA-së: Sali Berishën e kanë zgjedhur demokratët, ne s’duhet të ndërhyjmë

Ambasadori italian Fabrizio Bucci është i mendimit se ndërkombëtarët nuk duhet të ndërhyjnë në rikthimin e Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike.

Ai tha për “Mirëmëngjes” në Euronews Albania se janë votuesit ata që vendosin se kush do të jetë lideri i tyre, sidoqoftë nuk nguroi të sugjeronte se duheshin marrë në konsideratë politikanët e rinj.

“Ne nuk mund të ndërhyjmë, ne si Itali, ne si ndërkombëtarë mendoj, se është mjaft delikate të ndërhysh në dinamikat e brendshme të një partie.

Ajo që mund të them, nga një këndvështrim më i përgjithshëm sa i takon opozitës, është se në gjirin e saj ka mjaft politikanë të rinj, të zotë, të aftë, mendoj se ky është pikërisht momenti kur të shohim drejt së ardhmes,” – u shpreh ambasadori.

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos ka deklaruar më herët se e edhe Europa do të konsiderojë shpalljen “non grata” të personave të korruptuar.

Ambasadori italian Fabrizio Bucci u shpreh se nuk ka asnjë detaj për çfarë mund të vendoset në të ardhmen.

“Besoj se është duke u diskutuar në Bruksel, por deri tani nuk kemi ndonjë element mbi atë çka mund të vendoset, nuk mund të jap të reja apo hollësi të mëtejshme,” – u shpreh ai.

Bucci deklaroi se bëhet fjalë për një institut tipik amerikan dhe vlerësime legjitime të secilit vend.

Duke marrë parasysh diçka të tillë, sipas tij, është e vështirë të krahasosh sisteme të ndryshme në vende të ndryshme dhe konkretisht sistemi “non grata” i përket Amerikës, as Italisë e as Evropës.

“Unë besoj se çdo sistem politik duhet të ketë instrumentet dhe mekanizmat e tij për të ndërhyrë në rast se ekzistojnë arsye të qenësishme e të bazuara në prova kur një person ka kryer krim.

Magjistratura për këtë shërben. Ajo është e pavarur dhe duhet të ndjekë krimet. Për pjesën tjetër, është e vështirë të japësh gjykime mbi sisteme të tilla,” – u shpreh ambasadori Bucci.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *