5 Dhjetor, 2022

Ish-gazetari i “RD”-së tregon si “hyri” Sorosi për herë të parë në Shqipëri

 Ish-gazetari i “RD”-së tregon si “hyri” Sorosi për herë të parë në Shqipëri

Nga Mitro Çela

Sorosi “mbiu” në Shqipëri me anë të Fran Nazit. Me origjinë nga Puka. Me shkollë amerikane. I imët. Fjalë pak.

Në Tiranë mbriti ditët e fundit të dhjetorit 1990.

Ishte koha kur ishte krijuar PD-ja. Ishin ditët kur ëndërrohej per gazetën “RD”.

Në ato ditë partia dhe gazeta nuk kishin “shtëpi”.

Erdhi janari 1991. Doli një ferman nga qeveria. PD-ja do vendisej në një vilë. Ish shtëpia ku kishte jetuar gjeneral Spiro Mojsiu. Në mes të rrugës “Fortuzi”.

Në katin e dytë kishte  tre dhoma. Dy i mori partia. Një redaksia e gazetës.

Po rrija vetëm në zyrë. Kohë dreke. Bie dera:

-Jam Fran Nazi!

-Kam dëgjuar. Më ka folur Preç Zogaj…

Shkëmbyem kredencialet…

Ra telefoni…Ishte Ezmerka…

-Fasulet po të presin?…

-Kam një mik nga Amerika…Ta ftoj?…

-Po…

U bë fakt. “Pjata me fasule” na lidhi më shumë. Herë pas here pinim kafe.

Korrik 1991. Ra nga kali qeveria Nano. Lindi Qeveria e Stabilitetin. Blu e rozë hanin në një çanak. Kryeministër Ylli Bufi-socialist. Zëvëndës Gramos Pashko. Këshilltar i Pashkos për ekonominë- Teodor Keko. Dori mendonte se duke qënë poet, e “thante” zanatin e ekonomistit…

Në këtë kohë Dori zbuloi ca dokumenta për arin që kishte ngrënë Enveri. Hartuam një plan dhe hapëm një debat në gazetë për arin.

Ra qeveria “Bufi”. U bënë zgjedhjet më 22 mars 1992. Fitore e thellë e demokratëve. Berisha u bë president. Meksi-kryeministër.

Tetor 1992. Më fton për kafe Mynyr Tirana. Babai i gazetarit Genc Tirana, që punonim së bashke në “RD”. Për shumë vite kish punuar si prokuror. Dukej si mbi gjëmba:

-Prokuroria ta ka bërë benë. Duan të gjëjnë shteg ligjor. Je deputet….Por prangat i kanë gati?!

-Fajtor pa faj!

-Në emrin tënd kanë ardhur 250 kompjutra.

-Po pse unë? Ku i gjeta paratë? Rroga ime si deputet është 25 dollarë?!

-Ti me Teodor Kekon kini gjetur arin e Enverit. -Tha ish prokurori.-Për të pastruar arin, kini blerë kompjutera?!

U ndamë. Takova Dorin. Qeshëm me lot…

Të nesërmen shkova në prokurorinë e Tiranës. Dosjen time e kishte prokuror Kadriu. Trokita. U hap dera para meje një djalë i ri.

-Bëre mirë që erdhe vetë. Ja ku e ke mallin.

Ishin dy kompjutera. Dërgon:-Sorros. Merr: -Mitro Çela. Gazeta “RD”.

Totali 250 komjutera.

-O trego ku i gjete paratë? Ose bëj një deklaratë që je fajtor pa faj.

Bëra dy gisht deklaratë dhe përfundova tek Fran Nazi…

Ai zgurdulloi sytë duke thënë:

-Ti në prokurori? Por kompjuterat kanë ardhur për administratën e shtetit. Ka marrë edhe presidenti Berisha. Edhe Meksi. Edhe ministrat…Unë e futa emrin tënd, për kollajllëk?! Të kërkoj ndjesë?!

-O Fran? Të fal që më more erzin në prokurori. Por nuk të fal që harrove t’i japësh një “vegël” edhe “RD”-së?!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *