2 Shkurt, 2023

INTERVISTA/ Alfred Moisiu: E “armatosëm” me këshilla si ushtarak Bajram Begajn

 INTERVISTA/ Alfred Moisiu: E “armatosëm” me këshilla si ushtarak Bajram Begajn

Para marrjes zyrtarisht të detyrës si kryetar i shtetit, Bajram Begaj prej disa ditësh ka nisur një tur takimesh me paraardhësit e tij.

Takimin e parë e zhvilloi me ish-Presidentin Alfred Moisiu, ndërkohë që dje Presidenti i zgjedhur, mblodhi për 90 minuta ish-krerët e shtetit, Alfred Moisiu, Rexhep Mejdani dhe Bamir Topi në Pallatin e Kongreseve. Gjatë bashkëbisedimit me ta, Presidenti i ri mësohet të jetë shprehur se “mësimet e vyera të atyre që kanë qenë më parë në Presidencë duhen mbajtur parasysh”.

Begaj i cilëson Moisiun, Mejdanin dhe Topin si këshilltarë për të cilët ka ndër për t’i pasur afër në mënyrë që sipas tij të gabojë sa më pak kur të marrë zyrtarisht funksionet. “Unë dëshiroj që kështu, së bashku, të kuvendojmë vëllazërisht për punët dhe sfidat e atdheut tonë. Koha kalon shpejt, askush nuk është i përjetshëm dhe asnjë detyrë shtetërore nuk është e pafundme.

Por mësimet e vyera të atyre që kanë kaluar më parë nga rruga jonë duhen mbajtur parasysh sa më mirë dhe kur ke fatin që t’i kesh pranë ata, atëherë mund të gabosh më pak. Është një nder i madh për mua që të kem këshilltarë të tillë”, mësohet të jetë shprehur z. Begaj në takimin me paraardhësit e tij.

Para pak ditësh, Begaj pati një takim me ish-Presidentin Alfred Moisiu, i cili i dhuroi Presidentit të zgjedhur edhe librin e tij “Midis Nanos dhe Berishës”. Begaj e vlerësoi Moisiun, si një burrë të urtë e patriot, i cili tashmë i përket historisë së vendit si President i të gjithëve. Moisiu e takoi sërish dje Presidentin e ri teksa zbardhi detaje për gazetën “Panorama” rreth asaj që u bisedua mes ish-presidentëve dhe pasardhësit Bajram Begaj.

Z. Moisiu, ju u takuat për herë të dytë brenda pak ditësh me Presidentin e ri, por këtë herë edhe në prani të dy ish-presidentëve Bamir Topi dhe Rexhep Mejdani. Cili ishte qëllimi i takimit…?

Moisiu: Një takim njohje me ne të gjithë ish-kryetarët e shtetit. Takim tepër miqësor. E pritëm me kënaqësi bisedën me Presidentin e ri pas ftesës që na e bëri të treve.

Presidenti ju mblodhi në “shtëpinë tij”, por me çfarë ju qerasi…?

Moisiu: Pimë kafe dhe folëm miqësisht.

Me çfarë e shoqëruat kafen e mëngjesit?

Moisiu: Kafe me ujë dhe disa biskota.

Çfarë biseduat konkretisht teksa konsumonit kafenë…?

Moisiu: Ne u njohëm nga afër me njëri-tjetrin, por edhe shkëmbyem përvojat tona në krye të Presidencës, teksa Presidenti i ri ishte shumë i interesuar për të dëgjuar rreth përvojave tona në krye të shtetit.

Presidenti i ri është një dëgjues I mirë…?

Moisiu: Por një dëgjues madje shumë i mirë. Begaj u tregua i vëmendshëm ndaj shkëmbimit të eksperiencave tonë si President të vendit. Si të thuash ne e “armatosëm” si ushtarak që është me përvojat tona në krye të shtetit.

Çfarë e bënte më të vëmendshëm…? Për çfarë ishte i interesuar më tepër?

Moisiu: Në folëm kryesisht për situatën aktuale të brendshme dhe të jashtme. Ne bashkëbiseduam për gjendjen në rajon, madje edhe situatën e luftës në Ukrainë. Begaj ishte i interesuar sigurisht edhe për çështjet e politikës së jashtme.

Po vet Presidenti i ri, çfarë mesazhi përcolli gjatë 90 minutave të bashkëbisedimit…

Moisiu: Kryesisht për sfidat e atdheut tonë.

Sa e prekshme u bë situata politike në vend gjatë bisedës në Pallatin e Kongreseve?

Moisiu: U fol në përgjithësi. Duhet kuptuar që situata jonë politike ende nuk është drejt normalitetit, është konfliktuale.

Për cilat arsye vazhdon të jetë e tillë…?

Moisiu: Sepse politikanët tanë abuzojnë me pushtetin, me detyrën ndaj nuk hyjmë dot në normalitet. Abuzohet, mashtrohet në kurriz të shqiptarëve. Në politikë hyhet për tu shërbyer qytetarëve dhe jo vetes duke menduar vetëm sesi të pasurohen. Kjo duhet të marrë fund.

Moisiu: Ne që kemi luftuar për çlirimin e vendit nuk menduam se pas luftës do të merrnim poste për veten tonë. Ne luftuar që shqiptarët të jetonin të lirë dhe ta bënim sa më të mirë jetesës e tyre. Nuk menduam për veten tonë por për ta. Kurse tani ndodh e kundërta, pushtetarët duan të pasurohen me çdo kush pavarësisht se pushtetin e marrin nga vota e shqiptarëve.

U fol mes jush për abuzimin e pushtetarëve…?

Moisiu: Jo, por duhet njohur rëndësia e mekanizimit të votës së lirë. Nuk mund të tjetërsohet, të vidhet, të mashtrohet përmes kësaj vote. Sepse kur ndodh një gjë e tillë, pushtetarët bëhen edhe më të pushtetshëm, ndërsa dobësohet fuqia e qytetarëve, sepse i merret kjo fuqi që ua jep vota. Vota është fuqia e tyre dhe kur ajo vidhet pushtetarët bëhen të paprekshëm. Ndaj kjo duhet të marrë fund, sepse po u jepet një mësim shumë i keq të rinjve të sotëm apo atyre që duan të bëhen pjesë e politikës së nesërme.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *