4 Dhjetor, 2022

Inceneratorët, Top Channel, Ben Blushi dhe milionat që akuzojnë

 Inceneratorët, Top Channel, Ben Blushi dhe milionat që akuzojnë

Afera korruptive e inceneratorëve pati shumë pak media që qëndruan duke denoncuar vazhdmisht, duke nxjerrë të dhëna, emra kompanish të cilat shkuan deri në Bullgari ku politikani Ben Blushi u gjet në ortakëri nëpërmjet bashkëshortes së tij me Mirel Mertirin dhe Klodian Zoton.

Mireli, i quajtur edhe si truri i skemave të inceneratorëve, i cili në listpagesat e nxjerra së fundmi në janar dhe në prill përfundon drejtor i kompanisë që ka koncesionin në landfillin e Tiranës dhe inceneratorn e Tiranës, që nuk ekziston në fakt.

Janë miliona e miliona euro. Ben Blushi del në dy listpagesa me qindra miliona lekë. Ai justifikohet se rroga ka qenë më e vogël, ndoshta ka qenë e tillë. Fakti është që tatimet kanë disa listpagesa, atje janë paguar taksat.

Sa është e vërteta e kësaj shume nuk ka rëndësi, këtë duhet ta investigojë SPAK.

Kompanitë zinxhir, Ben Blushin, bashkëshorten e tij në ortakëri me një kompani, që ka blerë për  2.2 milion dollarë Lori Kafe.

Në ortakëri me Top Channel e Vjollca Hoxhën.

A ka përgjegjësi Top Channel?

Pa asnjë diskutim, ka një përgjegjësi publike dhe morale përfshirë, këtu Vjollca Hoxhën dhe ortakët e tjerë të këtij televizoni. Ka bërë avokati publike, janë më dhjetëra emisione, avokati publike për inceneratorët, një aferë korruptive, një ministër është në burg.

Të paktën duhet të dalin të kërkojnë të falur publikisht, Vjollca Hoxha e para se Ben Blushin e largoi, e ka hequr vërtetë apo e ka atje brenda kjo nuk ka rëndësi.

Fakti është që “zorraxhinjtë” që Ben Blushi mbante me vete, ata që u akuzuan se sulmonin bizneset janë ende në Top Channel, janë bashkëpunëtorë të Vjollcës. Dje ishin bashkëpunëtorë të Benit.

Nga ana tjetër është po Top Channel që ngrinte zjarr e flakë për mbetjet në Durrës, për Porto Romanon, kronika, lajme, emisione speciale për inceneratorët si një sukses i madh. Janë me miliona e miliona të paguara në llogaritë e këtij televizoni nga kompanitë e inceneratorëve dhe njerëzit e tyre, pa folur për ortakërinë e Vjollca Hoxhës me Mirel Mërtirin, Klodian Zoton dhe Eva Blushin.

Pa folur për ortakërinë e Vjollca Hoxhës me Stela Gugallajn e Elbasanit dhe Ben Blushin.

Këto janë fakte, dokumenta, por sot Top Channel dhe Vjollca Hoxha i detyrohen një ndjesë publike shqiptarëve sepse janë ndoshta miliona e miliona euro të dhëna si reklama, sponsorizime ndaj këtij teelvizioni për të bërë avokatinë e një akti korruptiv, skandalit më të madh ndodhur në historinë e Shqipërisë në këto 30 vite, ku 178 milionë euro jepen si koncesion nga qeveria dhe më pas, me ato para paguhen mediat. Top Channel është kryesori, dhe Vjollca Hoxha është kryesorja, Ben Blushi është njeriu kryesor në ortakëri dhe SPAK nuk mund të bëjë sikur nuk shikon.

Përtej “Përputhen”, “Big Brother” apo magjisë së ekranit, përtej spektaklit që ofron “Fiks Fare”, “Portokallia” qoftë edhe Eni Vasili me shërbimet klienteliste, Top Channel dhe Vjollca Hoxha i detyrohen një ndjesë publike shqiptarëve.

Një kronikë ku t’ju thonë na falni jo sepse kanë marrë taksat e tyre, por sepse kanë bërë avokatinë e korrupsionit, kanë bërë avokatinë e një krimi politik ku një ministër është në burg.

Është tashmë e provuar që inceneratorët kishin skema korruptive brenda tyre dhe këtë nuk mund t’ia falin shqiptarët Top Channel, nuk mund t’ia falin shqiptarët Vjollca Hoxhës, as Ben Blushit.

Dikush mund të marrë miliona e miliona nga taksat e shqiptarëve se ka një ekran, mund të marrë miliona e miliona se ka një emision, godet, sulmon përfshirë këtu biznese, ndërtues, investitorë, kompani farmaceutike e të tjera.

Por, përtej përplasjes me biznesin, përplasja me qytetarët shqiptarë dhe përdorimi i taksave të tyre duke u futur tek skemat korruptive të koncesioneve të dhëna nga qeveria është një akt kriminal nga një media.

Si mund të jetë një media e lirë një televizion kombëtar kur ai përfiton para publike pasi qeveria jep koncesione, dhe bën avokatinë e skandaleve të korrupsioneve të koncesioneve të incenratorëve?!

Kjo është e trupshme, kjo është e pështirë.

A mundet të jetë një media e lirë e cila paguhet nga taksat e qytetarëve të cilat kalojnë si hallka korruptive të qeverisë për të bërë propagandë për një aferë të pistë e cila tashmë po hetohet nga SPAK.

SPAK nuk mund të dalë të mbyllë gjithçka, thjeshtë dhe vetëm me ish-ministrin Lefter Koka, sepse as Arben Kraja, as prokurorët e SPAK nuk do të munden ta mbyllin vetëm me Lefter Kokën që i gjetën lekët në xhep.

Nuk janë thjeshtë dhe vetëm rreth 4 milionë e euro, por janë 178 milionë euro kontrata dhe rreth 430 milionë euro në total fonde që do të qarkullonin nga taksat e shqiptarëve në këtë koncesion korruptiv.

Tashmë, sa më shpejt të shkojë SPAK në Top Channel aq më mirë do të jetë, por përpara kësaj Top Channel i detyrohet një ndjesë publike shqiptarëve për avokatinë që i ka bërë korrupsionit të inceneratorëve dhe për këtë nuk kemi pse i drejtojmë gishtin vetëm Ben Blushit.

Blushi ishte dhe iku por aksionerët, drejtuesit dhe pronarët e vërtetë janë aty brenda. Janë ata që duhet të flasin, që duhet të reflektojnë dhe nuk mund të fshihen pas “gishtit” të korrupsionit të inceneratorëve që ndoshta do të vazhdojë t’i paguajë edhe këto ditë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *