1 Shkurt, 2023

Inceneratorët, si radiografi e qeverisjes Rama

 Inceneratorët, si radiografi e qeverisjes Rama

Nga Blendi Kajsiu

Tri janë karakteristikat problematike të aferës së inceneratorëve. Së pari, mungesa e transparencës dhe e konkurrencës në kontraktimin e firmës për ngritjen e inceneratorëve. Së dyti, voluntarizmi politik që i mbivendoset procedurës administrative. Dhe së fundi, e si pasojë e dy të parave, vjedhja e fondeve publike nga ana e zyrtarëve shtetërorë dhe e aktorëve privatë.

Mungesa e transparencës dhe e konkurrencës u evidentua te mënyra e kontraktimit pa një garë të hapur të firmave “Albetech Energy” dhe “Integrated Energy BV” për ndërtimin e tre inceneratorëve. Firma “Albtech Energy” u vetofrua dhe shteti pranoi ofertën e saj, pa hapur një tender publik, dhe pa shpallur një garë ku mund të afroheshin dhe ofroheshin edhe firma të tjera, me më shumë kapacitete dhe eksperiencë në fushën përkatëse.

Jo vetëm kontraktimi, por edhe ndërtimi i incerenatorëve është bërë në mënyrë krejtësisht jo-transparente dhe në shkelje të ligjit që kërkon konsultimin me banorët e zonës ku do ndërtohet inceneratori. Në rastin e inceneratorit të Fierit, në shkelje të qartë të ligjit, banorët u njoftuan vetëm disa muaj pasi filloi ndërtimi i tij, çka prodhoi edhe protestat e tyre (shiko këtu artikullin e “Zërit të Amerikës” për këtë rast https:// www.zeriamerikes.com/a/koncesionet-inceneratoret/4406473.html).

Voluntarizmi politik del qartë tek aprovimi i përshpejtuar dhe shpesh antiligjor i koncesioneve të incerenatorëve, që nga shkelja e afateve kohore për ankimimin e dhënies së koncesionit, prodhimi i një morie vendimesh për inceneratorët nga qeveria dhe ministritë e saj brenda së njëjtës ditë, dhe deri te mungesa e kontrollit të kapaciteteve të firmës së kontraktuar. Pa përmendur firmën e hedhur nga kryetari i Bashkisë së Tiranës pa miratimin e këshillit bashkiak.

Të gjithë këto fakte tregojnë se kishte një vullnet të qartë politik “nga lart” për t’ua dhënë kontratën firmave në fjalë, edhe pse Kontrolli i Lartë i Shtetit kish identifikuar një sërë gabimesh, shkeljesh dhe rreziqesh te kontratat e inceneratorëve. (Shiko një përmbledhje të raportit të KLSH nga gazetari Besart Likmetaj këtu: https://www.reporter.al/2020/07/06/ qeveria-i-vuri-flaken-ligjit-per-te-miratuar-inceneratorin-e-tiranes/). Ishte ky voluntarizëm që shkërmoqi të gjitha procedurat dhe institucionet që shërbejnë si mburojë ndaj keqmenaxhimit apo abuzimit me fondet publike.

Rezultati tashmë dihet. Dy firma fantazmë, pa kapacitetet dhe eksperiencën përkatëse në fushën e menaxhimit të mbetjeve, të krijuara nga tre individë anonim dje, dhe sot në kërkim për abuzim me fondet publike, përfitojnë kontrata dhe pagesa prej miliona eurosh nga shteti. Me këto para, ata paguajnë jo vetëm vetveten, por edhe ish-ministrin e mjedisit Lefter Koka, dhe familjarë të zyrtarëve të lartë socialistë. Ndërkohë, qeveria Rama vazhdon të paguajë dy firmat e inceneratorëve me pronarë të shpallur në kërkim.

Problemi është se nuk kemi të bëjmë me një anomali që buron nga një grusht zyrtarësh të korruptuar. Kontraktimi i inceneratorëve është një shembull tipik i vetë modelit të qeverisjes Rama. Ai është bërë sipas formulës Partneriteti Publik Privat (PPP) që nuk është përjashtimi, por norma e ekzekutimit të buxhetit. Në fakt sipas revistës Monitor Shqipëria në vitin 2018 zë vendin e parë në Evropë për dhënien e koncesioneve nëpërmjet formulës PPP (shiko: https://www.monitor.al/shqiperiarekord-ne-europe-per-koncesionet-e-partneritetitpublik-privat-ppp-rreziqet/ ).

Rreziqet e kësaj formule, sidomos në modalitetin “propozime të pakërkuara”, janë të njohura dhe janë ngritur si nga aktorët lokal edhe nga ata ndërkombëtar. Studimet e kësaj formule kanë treguar se ajo e dëmton konkurrencën ekonomike pasi krijon monopole private afatgjata që ushqehen nga buxheti publik, rrit borxhin publik në mënyrë jotransparente, prodhon shërbime publike që janë më të kushtueshme si për shtetin edhe për qytetarin dhe krijon hapësira të mëdha korrupsioni (shiko https://www.world-psi.org/sites/default/ files/rapport_eng_56pages_a4_lr.pdf).

Pikërisht për këtë arsye, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) u shpreh qartë kundër formulës PPP që përdoret nga qeveria Rama, që në vitin 2018 duke i kërkuar asaj të mos bëjë asnjë kontratë të madhe koncesionare, pasi i mungojnë kapacitetet për vlerësimin e kostove dhe përfitimeve publike nga këto kontrata (shiko https://www.reporter.al/2018/03/09/ fmn-kritikon-programin-1-miliarde-euro-koncesione-te-rames/).

I njëjti shqetësim është ngritur edhe nga ekspertët lokal si Zef Preçi që kanë argumentuar se qeverisja nëpërmjet PPP-ve shkatërron konkurrencën ekonomike dhe prodhon korrupsion. Sipas Preçit, “tipari më i dukshëm i përbashkët i kontratave të llojit PPP dhe “Shqipëria 1 Euro” është kontraktimi nga qeveria në mënyrë të drejtpërdrejtë i operatorëve ekonomikë (kryesisht oligarkë ose kompani të krijuara posaçërisht dhe klientë të saj) duke shmangur kështu konkurrencën”. (shiko artikullin e plotë këtu: http:// www.panorama.com.al/te-clirojme-konkurrencennga-kapja-permes-ligjeve-klienteliste/). Kombinuar me voluntarizmin politik të Ramës dhe dobësinë e administratës sonë publike PPPtë kthehen në burim jo vetëm korrupsioni, por edhe inefikasiteti.

Ekzistojnë dyshime dhe shqetësime edhe në lidhje me efikasitetin dhe teknologjinë e vjetër të inceneratorit të ndërtuar në Elbasanit, që nuk ofron zgjidhje për problemin e mbetjeve atje. Për të kuptuar këtë mjafton fakti se inceneratori i Elbasanit që u përurua në vitin 2017 përpunoi vetëm 11% të mbetjeve në Elbasan në vitin 2020. Në këtë vit, Elbasani ishte një nga tre qytetet me përqindjen më të lartë të mbetjeve të papërpunuara në Shqipëri, edhe pse aty kishte incenerator (shiko https:// www.monitor.al/inceneratori-i-elbasanit-perpunoi-vetem-11-te-mbetjeve-te-gjeneruara-neqark-me-2020/ )

Ky inefikasitet buron nga fakti se qeverisja Rama më shumë se tek administrata profesionale apo ekspertiza bazohet te vullneti i palimituar i Kryeministrit, çka reflektohet tek ulja gjithnjë e më e madhe e profilit të ministrave. Në qeverinë e fundit, disa prej tyre nuk mund t’i gjeje as në “Google” dhe jo më në sferën publike shqiptare. Kështu, Rama ka krijuar prej kohësh një qeveri me vartës dhe jo me partnerë, me të cilët mund të debatojë dhe konsultohet. Për pasojë, qeverisja aktuale reflekton inkoherencat dhe tekat e një individi që shpesh bien ndesh me ligjin dhe strategjitë kombëtare të zhvillimit të miratuara nga po ai vetë.

Kështu zhvillimi i tre inceneratorëve bien ndesh me Planin Kombëtar për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve të miratuar nga qeveria Rama në vitin 2020, që përcakton riciklimin si prioritet dhe jo djegien. Gjithashtu, bie ndesh me Ligjin për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve të vitit 2011 që në nenin 6 përcakton si më prioritar riciklimin dhe jo asgjësimin e mbetjeve:

Neni 6: Përparësitë e menaxhimit të integruar të mbetjeve

a) parandalimin e mbetjeve;

b) përgatitjen për ripërdorim;

c) riciklimin;

ç) rikuperime të tjera;

d) asgjësimin.

Politika e incenerimit i jep prioritet asgjësimit të mbetjeve mbi riciklimin e tyre, duke hedhur në plehra ligjet dhe strategjitë e mëparshme në këtë fushë. Dhe ky është një shqetësim që ambientalistëtë shqiptar si Lavdosh Ferruni e kanë ngritur prej kohësh (shiko https://mjedisi.al/te-tjere-kosha-per-riciklimnje-tjeter-mashtrim/). E megjithatë, dyshoj se ka ndonjë ministër sot që guxon t’ia vërë në dukje këtë inkoherencë Kryeministrit.

Një qeverisje voluntariste, pa frena të brendshme, me formula qeverisëse jo transparente dhe pa konkurrencë si PPP-të prodhon korrupsion dhe kapje të shtetit. Ajo që ka tronditur opinionin publik në rastin konkret nuk është thjesht prezenca e korrupsionit apo shkeljet ligjore, por banaliteti i aferës së incerenatorëve. Nën propagandën e opozitës, qytetarët janë bindur se Rama i bënte aferat me oligarkët e tij. Ata e dinin se koncesionet i merrnin monopolistët e mëdhenj si Kastrati, që gjithsesi kishin kapital, eksperiencë dhe kapacitete administrative për të realizuar projekte të mëdha.

Në rastin e inceneratorëve, situata është edhe më e rëndë. Nuk kemi as oligark, as firmë me kapacitete, eksperiencë apo kapital që të justifikonte dhënien e një kontrate multimilionare, qoftë edhe pa garë. Kemi thjesht një firmë fantazmë që shpërblen në mënyrë direkte politikanët që i dhanë kontratën. Para kemi të bëjmë jo me kapjen indirekte, por me zhvatjen e pakamufluar të shtetit.

Në këtë aspekt, afera e incerenatorëve shërben si një radiografi që na tregon se tumori i keqqeverisjes është përkeqësuar ndjeshëm. Radiografia e inceneratorëve tregon se pushtetarët nuk po mundohen më as ta fshehin vjedhjen nëpërmjet oligarkëve, por po e bëjnë atë në mënyrë direkte. Dhe ky është një degradim tronditës, edhe për Shqipërinë.

Aq më tepër kur të njëjtët qeveritarë që vjedhin buxhetin haptas u kërkojnë qytetarëve të përballojnë rritjen e çmimeve dhe të shtrëngojnë rripin në solidaritet me Ukrainën. Një qeverisje që jo vetëm i vjedh, por edhe i ofendon qytetarët shqiptarë është e destinuar të prodhojë protesta.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *