Ilir Meta u bë president, për t’i shpëtuar burgut

Nga Mustafa Nano
Meta nuk ka më dëshirë të rrijë në Presidencë. E vërteta është se ai nuk ka patur kurrë dëshirë të futej e të qëndronte në Presidencë. E kanë bërë president me pahir (çfarë poshtërimi për atë zyrë që në kohë të caktuara ka qenë e nderuar). E kanë bërë për të dobësuar politikisht partinë e tij, dhe atë vetë, gjë që ai e kuptonte, prandaj edhe e shprehte haptazi mosdëshirën për t’u bërë President. Por e gjetën në një moment të dobët, në të cilin ai nuk kishte fuqi të thoshte “jo”. Ishte koha kur kishin filluar të pëshpërisnin se Meta do shkonte në burg, dhe ai, për t’i garantuar vetes një mbrojtje momentale, mendoi se nuk ishte keq të shkonte në Presidencë.
“Një president nuk mund të arrestohet” ka menduar me të drejtë, e ndërkohë ka qenë me shpresën se në pesë vitet e mandatit presidencial do të ndodhnin shumë gjëra, e mbi të gjitha ai vetë do kishte kohë të shëronte a lëpinte plagët, të tentonte afrimin me armiqtë e tij të mëdhenj (SHBA e Edi Rama), të premtonte besnikëri, të rigjente aleatë, etj. Nuk e ka pasur keq. Në pesë vjet mund të ndodhë çdo gjë. Por ç’e do se ishte i pafat: Në pesë vitet e tij nuk ndodhi asgjë. Ose më saktë: Nuk ndodhi asgjë që të ishte në favorin e tij.
Ngjarja më e madhe për të gjatë këtyre viteve ishte shpallja non grata e Berishës, për shkak të së cilës skena politike pritej (e pritet akoma) të pësonte një tronditje të fortë. Meta vetë ka besuar që Berisha, miku e aleati i tij i rrethanave, do t’u tregonte amerikanëve se rruga e duhur nuk ishte të vinin gjilpërat majë më majë me ujqërit e politikës shqiptare, pasi këta të fundit mund t’ua rrëzonin çdo kështjellë që amerikanët do rrekeshin të ngrinin.
Kuvendi i berishianëve në stadium e përcolli njëmend këtë mesazh, dhe Meta u bë me krahë atë ditë e me pas (Berisha po se po). Por ngjarjet më pas treguan se turma 10 mijë vetëshe në stadium ishte frut i mobilizimit disamujor të Berishës e të resurseve të tij, dhe se mbas asaj ngjarjeje fuqia e Berishës do të binte. Sigurisht, gjërat do të qartësohen më 6 mars, por duket se për Berishën nuk fryjnë erëra të mbara. Ai e bëri ç’kishte për të bërë (8 janari ishte data finale). Do luftojë akoma me shpirt nëpër dhëmbë, por nuk priten çudira.
Nuk dihet nëse Berisha do ta donte Metën pranë vetes në këtë moment. Ata janë aleatë, dhe kjo është marrë vesh me krijimin e Shtëpisë së Lirisë, por nuk dihet nëse Berishës do ia kishte qejfi të dilte krah për krah me Metën nëpër Shqipëri. Lëvizja e tyre do damkosej si anti amerikane. E nëse edhe Meta do shpallej non grata, atëherë lëvizja do emërtohej në zhargonin mediatik si lëvizja “Non grata”. Dhe kjo damkë nuk është se do t’i ndihmonte. Aleanca mes të dyve do të ishte e dobët edhe pa këtë damkë, dhe kjo për shkak të bagazhit të tyre politik, por me atë damkë mbi shpinë nuk do kishin të ardhme.
Meta do donte t’i trazonte ujrat, gjithsesi. Ai nuk ka asgjë për të humbur, sidomos në prag të zgjedhjeve të 6 marsit ku, po të ishte lojtar i lirë, mund t’u provonte të gjithëve se ai ka ndikim. Është e sigurt se LSI-në do ta ngrejë sado pak, por tok me Berishën, mund të bëjnë shumë më tepër. Mund t’i bëjnë amerikanët të binden se lufta kundër atyre të dyve është gjëja më e gabuar që ata kanë bërë në Shqipëri.
E prandaj, çdo ditë në Presidencë është një ditë e humbur për Metën. Ai nuk do donte të rrinte më atje. Mezi po pret që Gjykata Kushtetuese ta shkarkojë.
Ai do ishte i gatshëm të paguante që ta hiqnin prej Presidencës. Është si në një burg me mure të praruara, brenda të cilave po i merret fryma. Mos u gënjeni nga mbrojtaja që po i bën vetes në Gjykatë! Ajo mbrojtje është sa për sy e faqe. Ai po mbrohet duke u lutur: Inshallah më shkarkojnë! Lëre që me këtë do të fitonte “lirinë”, por edhe do të kishte një casus belli kundër regjimit.