3 Dhjetor, 2023

Historia e panjohur: Pse u ndanë Sali Berisha me Edi Ramën në ’90-n

 Historia e panjohur: Pse u ndanë Sali Berisha me Edi Ramën në ’90-n

Në 90-ën lindi një konflikt i ri, me elementë kulturorë, ai mes periferisë komuniste dhe qendrës, pra pjesës rurale me pjesën e kultivuar, atë qytetare, edhe intelektuale gjithashtu, pikërisht bij etëresh të rebeluar, me potenciale të forta kulturore për të qenë imponues. Dhe është kjo që u reflektua te ndarja e atyre që ishin në një front ditët e para por shumë pak, Ramës dhe Berishës.

Rama e arsyeton bindshëm mosangazhimin e tij në PD, i cili do qe krejt i natyrshëm për të si protagonist Dhjetori, pasi nuk pranoi që një ish-komunist si Berisha, deri në orët e fundit të regjimit, të merrte frenat e të parës parti opozitare anti-komuniste.

Por në këtë ndarje me logjikë të qartë politike, fshihet dhe ndarja kulturore, ajo që ka ekzistuar mes vetë shtresëzimeve të regjimit, ku pjesa qytetare e ka parë vëngër pjesën rurale e anasjelltas.

Ndaj, te ndarja Rama – Berisha, më shumë se politika, në kuptimin klasik të fjalës, është konteskti shoqëror dhe kulturor ai që i ndan. Ata në asnjë rast s’mund të qenë bashkë, as mund të jenë gjithashtu.

Edi Rama, në një intervistë të vjetër, shprehej kështu për prishjen me Berishën dhe PD.

Le të kthehemi pas në vite, në momentin e ndarjes  me Shqipërinë e Enver Hoxhës dhe të bunkerëve të tij. Dhjetor 1990. Juve jeni një ndër protagonistët e ndarjes, jo vetëm me Shqipërinë e Enver Hoxhës. Që në takimin e parë me udhëheqësit e partisë së sapoformuar demokratike ndaheni për të mos u bashkuar më. Duke e shikuar realitetin e Shqipërisë së sotme, çfarë gjeni nga idealet e Dhjetorit 90?

Dhjetori 90 qe një shfrim që nuk arriti të plazmojë ideale. Në fare pak ditë ai u mbyt nga themeluesit e Partisë Demokratike, të cilët  nuk i lanë hapësirë lëvizjes  që ajo të mund të konsolidohej si frymë e re, si ideal i një Shqipërie të re, një Shqipërie të dialogut, të tolerancës, të respektimit të tjetrit, i një Shqipërie të frymës kritike që motivon forcat libertare dhe dekurajon çetat konservatore, i një Shqipërie Evropiane individësh solidarë, larg hijeve të një të kaluare të dhimbshme, larg bodrumeve dhe skutave të ish sigurimit të shtetit, larg turmave histerike. Ëndrra joshëse e Evropës u uzurpua nga një grup i kufizuar njerëzish dhe u instrumentalizua për qëllimet politike të Partisë Demokratike, një parti e ndërtuar mbi principet  organizative të një organizate bazë dhe e drejtuar nga një sekretar i Partisë së Punës. Nuk ja vlen t’i kthehesh me një keqardhje propagandistike Dhjetorit 90, ideale që gjoja u përdhosën nga Qeveria Demokratike, sepse ai nuk ishte i tillë. Një ëndërr me sy hapur nuk është e mjaftë për t’u pagëzuar si ideal. Propaganda që e merr dhe e rimerr temën e Dhjetorit 90 është një propagandë e rrejshme e të gjithë opozitarëve, e bën edhe Namik Dokle që asokohe drejtonte “Zërin e Popullit”.

Atëherë ju mendoni se Lëvizjes së Dhjetorit nuk ja vlen t’i rikthehemi si pikë referimi?

Lëvizjes së Dhjetorit ja vlen t’i rikthehesh ndoshta vetëm për mënyrën se si u tradhtuan qindra mijërat e njerëzve të cilët u ngjirën  për Partinë Demokratike, dhe vetëm 5 vjet më vonë ata po presin të votojnë për Partinë Socialiste, ja ven të rikthehesh për mënyrën sistematike me të cilën u mplak Shqipëria për t’u rikthyer në duart e matufëve dhe të parvenyve të tipit të Lenkës, Palit, Kalit dhe Gomarit.  Ja vlen t’i rikthehesh për të parë se si degradoi një parti që ju premtoi shqiptarëve  parajsën dhe në fund të mandatit të saj po lë pas një Liban ideologjik, me kreun e shtetit që ju tregon atyre përralla me përbindësha dhe kuçedra të kuqe, me kryetarin e opozitës që vuan një dënim absurd dhe me të gjitha dasitë ekstreme që sjell kjo kundërvendosje e paperceptueshme për një shoqëri që kërkon të ndërtojë një shtet të së drejtës.  E më në fund ja vlen t’i rikthehesh lëvizjes së Dhjetorit për të parë ku të çon populizmi dhe hipokrizia e skajshme  politike: më të këqijtë e komunistëve në një aleancë të frikshme me ndërgjegjet e ndotura në skutat e ish sigurimit të shtetit, të hipur së bashku mbi kalin e pushtetit, kush mbi shalë e kush nën shalë, kanë vënë alarmin për rrezikun e kthimit të komunistëve në pushtet!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *