2 Shkurt, 2023

Hani, moj bagëti, hani, kur të vdes do të më qani, për mua zi do te mbani

 Hani, moj bagëti, hani,  kur të vdes do të më qani, për mua zi do te mbani

Nga Agron Gjekmarkaj

Mes dyshimeve, pikëpyetjeve  dhe dilemave në jam opozitar i vërtetë apo i shitur, safi apo i blerë, 24 karatesh flori, apo prej tunxhi, i ndershëm apo i rremë u nisa ta marr fjalen sot !

Jetojmë në kohë të çuditshme, kur njeriu mendon se e di çfarë është por jo, i duhet të presë me dorë në zemer që të tjeret t’ja thonë e pastaj vetëveten të gjejë !

Megjithatë vendosa të ec në këtë turbullirë dhe të trajtoj disa tema !!

Sot u dogj edhe raundi i tretë per zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Kjo nuk ishte rastësi, as gjë e re, dihej dhe pritej. Shtegu i vetëm ku kalon hipokrizia dhe zgerdhirja ndaj shqiptarve ishte ky.

Mazhoranca për asnjë çast nuk ka patur qellim konsensusin që ndertojë një proces me opoziten por thjesht të bëjë spektakel me shpenzimet  e Opozites !

Kjo sipërmarrje i rrinte si zhguall breshke, ngushtë shumë ngushtë sepse Lideri po e kerkon atë President mavrinë në askund që ai ose ajo të jenë  “askushi” në raport më pavarësinë institucionale.

Kryeministri në mandatin e tij të tretë bezdiset nga çdo rezistencë, nga lehja e qenve në Surrel, nga cicerima e zogjve, nga poezitë dhe kengët e vartësve, nga çdo mendim që nuk është i veti, nga çdo portret që nuk e zografis vetë!

Ndaj durim , ai po vizaton portretin e admiruesit të tij që do të vendosë në krye të shtetit për të realizuar kësisoj përmbylljen e kapjes së çdo institucioni, nocioni dhe personi në një Republike të thyer në mes nga i njëjti ves që karakterizon shtetin tonë nga pavaresia e këtej i cili është Uni, lyer me delir e mbuluar me nevojë sundimi.

CV -ja e tij në historinë e politikes shqiptare do shkruhet nga një njeri, nga ai që ndan të mirën nga e keqja, të drejten nga e gabuara, të ëmblen nga e tharta.

Të tjeret flasin kot se asgjë nuk dinë pos faktit që do votojnë në rresht.

Presidenti që del nga raundi i katërt ka një detyrim çdo pasdite të marrë Kryeministrin e ta pyesë, po ku je o shyqyri i kombit ?! A  u lodhe sot o mezja e vendit, a të mërziten  o gëzimi i shoqerisë ?! si je o i bukri i tezes?! me mori malli o i miri i dajës! Kush ta prishi qejfin që mos bëftë hajer  o lezeti  i Europës !

A të të bëj një kafe  o Skenderbe, që të mbledhesh midene e ti bësh copash taborret ?!!

Ndërsa Opozita humbi një rast jo për të patur një President se në asnjë cast nuk do ta kishte por për të bërë diferencën etike me një kanditaturë të vetme përbashkuese.

Të nderuar deputetë!

Politika dhe ekonomia janë gjithmonë në simbioze. Një politikë e keqe, amatore, përfituese apo kurruptive nuk ka për qëllim mirëqenien e shoqërisë por atë të individit klient e frekuentues të oborrit ! Siç thotë Viktor Hygo, nga ferri i të varferve krijohet parajsa e të pasurve.

Askush nuk po pyet për sipermarrsit e vegjel në peshkim dhe vetë peshkataret. Ndonese ata që duhet të bëjnë pyetesoret peshkun e hanë duke levizur buloçinje me ritëm turbine!

Në Shëngjin anijet rrinë lidhur sepse nafta është dyfishur! Nuk dalin në det sepse nuk balancojnë humbjet me fitimin! Pak muaj më parë një kilogram merluc kushtonte 450 lek ndersa tani 800.

Pra as nuk zihet as nuk konsumohet, duke vënë në diskutim mbijetesën e disa kategorive që gravojnë rreth peshkimit ! Kjo që vlen per Shengjinin vlen per Durresin, Vloren , Saranden e të gjithë të tjeret.

I njëjti problem shfaqet për bujqit e Zadrimes, Torovicës, Bregut të Mates, Gurzit, Fushe Kuqes, Ishull Shëngjinit, Ishull Lezhes e kudo tjeter që po lënë tokën djerr nga kostot e papërballueshme të lerimit, mblelljes por edhe të mos tregtimit të produkteve. Fshataret po futen në krizë mbijetese.

Torovica ska as më minimalen , ujin e pishem!

Pak muaj më parë i kerkova ministres Balluku të presë një përfaqësi nga kjo zonë për ti diskutuar mbi përspektiven e një ujësjellësi. Nuk e di as ti ketë prituar e as të me ketë kërkuar mua që ti çoj në ministri. Shpresoj që një ditë ta bëjë.

Një rixha e kam edhe për ministren Kushi , të vëjë dorën në zemer e ta ma bëj kabull por në fshatin tim në Ishull Shëngjin duhet një shkolle, ajo që është duket si kotec i rrënuar !

Prej vitesh në kohen e veres rruga si grykë shisheje, Milot -Shengjin është një tmerr pa fund trafiku kap deri në 20 km ! Një rruge e tillë kërkon kohën e vet për tu zgjeruar apo per të gjetur zgjidhje të tjera. E kemi shtruar këtë problem që në shtator jo se do bëhej në pak muaj por sëpaku të fillonte!

Asgjë deri tani ! Ju bëj thirrje edhe deputetve socialistë të Qarkut të Lezhes të mos heshtin sepse pa atë rrugë, ska turizem. Veriu është Shqiperi po aq sa Jugu, Lezha po aq sa Vlora e Llogaraja.

Të nderuar kolegë !

Gjërat në vendin tonë lëvizin ngadalë sepse me të mbaruar zgjedhjet, fillon arroganca. Ata nuk kanë asnjë mundesi të shprehen. Përfitoj nga ky moment tu kerkoj mbështetje kolegve deputet që të marrim një nisem për të ndryshuar ligjin per Referendumet.

Ai ligj ashtu siç është sot praktikisht i shkurajon, i shkeshillon, i ndalon Referendumet.

Në çdo nen të tij të porosit sesi qytetaret të mos bëjnë referendum, sesi të mos flasin, sesi të mos bëhen bashkë, sesi të mos rezistojnë, sesi të mos e shqetesojnë pushtetin.

Ndryshimi i tij në favor të qytetarve, në uljen e kufizimeve të panumërta që e karakterizojnë do ti jepte frymemarrje demokracisë sonë të kapur!

Me referendum , qyteti e vendi mund të shpreheshin për Teatrin, për Butrintin, për Ligjin e Arsimit të lartë, për inceneratoret, për korigjimet kushtetuese , ato në drejtesi e shumë çka tjeter!

“ Tek përgjumja e ndërgjegjës publike mbillet fara e cdo diktature “

Shumëkush i ka sytë nga kjo sallë, pret prej saj, por po kaq të shumtë janë ata që zhgënjehen nga artikulimi ynë, nga cilësia e fjales dhe e gjuhes e cila shpesh ngjan me ata që i drejtohen tjetrit ” o gjigant”, ” o kadaf” , ” o zjarrmi i tokes” , ” o babam” , ” o pasha” ” o bishë” po jo me origjinalitetin e tyre por si nxenes të tyre

Vlera e një njeriu matet me numërin e gjërave për të cilat turpërohet na mëson Bernard Show!

Dhe në fund siç e lyp qejfi ynë ju pershendes me vargjet e Çajupit kushtuar bariut !

Shikoni barin’ e gjore:

në diell a në dëborë,

bariu me shkop në dorë

ruan deshtë me këmborë.

Vështronje barinë mirë,

me të ngrën’ e me të pirë,

t’u marrë dhëntë pa gdhirë,

t’i kullosë me dëshirë,

Hani, moj bagëti, hani,

kur të vdes do të më qani,

për mua zi do te mbani!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *