10 Qershor, 2023

“Gropa e zezë” e gazetarisë shqiptare

 “Gropa e zezë” e gazetarisë shqiptare

Nga Bledi Lumani

Rasti i ngjarjes tronditëse të Fierit, tregoi edhe njëherë tjetër se gazetaria e “kronikës së zezë” në Shqipëri, është më makabre se krimet e tmerrshme që na sjellin live në shtëpitë tona.

Si të mos mjaftojë makabriteti i krimeve, gazetarët, ose më saktë punonjësit e shtypit, siç i quan me të drejtë një botues, nxitojnë të publikojnë çdo detaj të rëndë, duke mos pyetur fare për ndjeshmërinë e njerëzve të prekur nga ngjarja, apo të atyre që i ndjekin në TV.

Ja shikoni rastin e Fierit. Sapo ndodhi krimi, gazetarët nxitonin të tregonin se me çfarë e goditi autori fëmijën e gjorë, dikush thoshte me sopatë e dikush me lopatë, dikush tjetër për ta bërë edhe më tragjike shtonte edhe se e kishte përdhunuar para se ta vriste, ndërsa gjithë përshkrimin e vrasjes e shoqëronin edhe me vendin ku fëmija i gjorë ishte gjetur, me titujt të tipit: “Kjo është gropa ku u gjet Mateo”.

Pastaj nxirrnin ulërimat e dhimbshme të familjarëve në TV dhe shkonin u vinin edhe mikrofonin tek goja dhe zgurdullonin sytë se çfarë do të thoshin ata të shkretët, a thua se është e pakët gjëma që iu ka rënë mbi krye dhe duhet të rrinë tani të dalin edhe në TV, për të treguar emocionet e tyre.

Në fund publikojnë dëshminë e autorit të krimit të kobshëm, me të gjitha detajet, dhe për mbyllje japin live edhe ceremoninë mortore, me kamerën që kryesisht fokusohet tek mamaja e shkatërruar nga dhimbja, pasi shikuesit në shtëpi duhet të preken nga pamjet njësoj si ata që janë prekur nga ngjarja e rëndë.

Është një skenë e përsëritur pas çdo krimi të rëndë, me moton “shikueshmëria është më e rëndësishme se çdo dhimbje apo ndjeshmëri njerëzore”, se për profesionalizëm as që bëhet fjalë.

Në Kodin e Etikës së gazetarëve shkruhet se:

“Gazetarët duhet të respektojnë të drejtën e njerëzve për të mbajtur zi dhe duhet t’i raportojnë këto tema duke treguar simpati dhe vetëpërmbajtje.

Në rast aksidentesh dhe fatkeqësish, gazetari duhet të respektojë vuajtjet e viktimave dhe ndjenjat e familjeve të tyre.

Media duhet të tregojë maturi me fotot apo pamjet e katastrofave, aksidenteve apo dhunës, në rast se ato fyejnë ndjenjat e të afërmve.

Media duhet të ketë në konsideratë ndjeshmërinë e publikut, gjatë këtyre raportimeve”.

Lutfi Dervishi e evidentonte i shqetësuar dje këtë gjë, pas krimit të rëndë në Fier, por në një vend ku të çmendurit enden të lirë rrugëve, pse të mos jenë prezent edhe në media. Fundja i shohim çdo natë nëpër panele televizive, me titullin “analistë”.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *