10 Qershor, 2023

Gjyqtari pa vetting, Artan Gjermeni liron 4 të arrestuarit e skandalit me pagat e shqiptarëve

 Gjyqtari pa vetting, Artan Gjermeni liron 4 të arrestuarit e skandalit me pagat e shqiptarëve

Për Gjykatën e Tiranës, publikimi i të dhënave personale të 680 mijë qytetarëve, nuk është një skandal, edhe pse shpërndarja e tyre shkaktoi jo pak shqetësim te shqiptarët. Me një vendim skandaloz, gjyqtari Artan Gjermeni liroi nga qelia të 4 personat e arrestuar me bujë si përgjegjës të kësaj ngjarje të rëndë, duke caktuar masat e sigurisë ‘detyrim paraqitje’ për eksperten e IT te Tatimet Eni Qirjakon si dhe ‘arrest shtëpie’ për 3 të arrestuarit e tjerë, ekspertin tjetër të IT te Tatimet, Andi Agaraj dhe dy përmbaruesit privat Klodian Sota dhe Endri Ikonomi.

Prokuroria e Tiranës kishte kërkuar ‘detyrim paraqitje’ dhe ‘pezullim të ushtrimit të detyrës’ për Qirjakon, kërkesë që u pranua nga Gjykata, ndërsa për 3 të arrestuarit e tij ishte kërkuar ‘arrest me burg’, përkundër vendimit të marrë më pas nga Gjermeni.

Ndërkohë, gjyqtari Gjermeni, me një karrierë të gjatë e që ka pasur në duar shumë çështje të rëndësishme, rezulton se ende nuk ka kaluar në filtrin e vettingut. Gjermeni ka qenë kryetar i Gjykatës së Lushnjes pas viteve 2000, ku u zhvilluan gjyqet për ‘Bandën e Lushnjes’, ndërsa për vendimet e marra ai u akuzua nga PD si i lidhur me Aldo Baren.

Ndaj tij nisi edhe një procedim penal nga KLD në vitin 2006, për shkelje në detyrë dhe parregullsi në deklarimin e pasurisë, por që i shpëtoi shkarkimit. Në vitin 2016, Gjermeni u plagos me thikë, çështje për të cilën gjyqtari nuk pranoi të hetohej. Në këtë mënyrë Prokuroria e Durrësit mbylli hetimet pa zbuluar rrethanat e ngjarjes.

Arrestimi i Qirjakos, Agarajit, Ikonomit dhe Sotës u njoftua me bujë nga Prokuroria e Tiranës në një konferencë për mediat më 7 janar. Prokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj sqaroi edhe skemën e përdorur nga këta persona, ku ishte specialistja e IT te Tatimet, Eni Qirjako që mori të dhënat për pagat nga sistemi dhe ia kaloi kolegut të saj të IT, Andi Agaraj duke qenë se të dy kishin mundësi të kishin akses te të dhënat e databazës si të punësuar që ishin.

Më pas Agaraj i ka shitur për një vlerë 20-30 mijë lekë për çdo databezë këto të dhëna private te 2 përmbaruesit privat, të cilët më pas i shpërndanë këto të dhëna në rrjete social duke përbërë një skandal të vërtetë.

Skandali i publikimit të pagave dhe të dhënat personale rrezikoi  stabilitetin dhe sigurinë e qytetarëve. Këto të dhëna u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale ku përfshinte të dhënat e pagave të mbi 650 shqiptarëve, numra celulari personale të 900 mijë qytetarëve shqiptarë dhe ajo e targave e mbi 530.452 qytetarë shqiptare privat dhe për 61.513 biznese, banka, ambasada etj!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *