29 Nëntor, 2023

Gjyqtari i dosjeve të bujshme (burri i Manjola Nallbanit) përjashtohet nga drejtësia

 Gjyqtari i dosjeve të bujshme (burri i Manjola Nallbanit) përjashtohet nga drejtësia

Nga Adriatik Doçi

Ditën e sotme, Komisioni i Vetingut, me trupë gjykuese të përbërë nga Firdes Shuli, Suela Zhegu dhe Brunilda Bekteshi, ka vendosur përjashtimin për 15 vjet nga drejtësia të gjyqtarit të Tiranës, Sokol Tona. Vendimi i ka ardhur pasi gjyqtari Tona kishte paraqitur dorëheqjen pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor në 12 nëntor 2021. Procesi i rivlerësimit për gjyqtarin e Tiranës kishte nisur që në dhjetor të vitit 2019. Për ta zbutur largimin nga drejtësia për të evituar përballjen me Vetingun, Toma ka bërë kërkesën për përfitim të parakohshëm të pleqërisë.

Sokol Tona është një emër i njohur në sistemin e drejtësisë. Tona ka rrëzuar procedurat e prokurorisë për të marrë të pandehur ish-zëvendësministrin e Transporteve, Armand Telitin dhe ish-drejtori juridik, Andi Toma për dosjen e abuzimit me rrugën Durrës-Kukës. Pas këtij vendimi, ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, i kërkoi Gjykatës së Lartë pavlefshmërinë e dosjes “Durrës-Kukës” dhe ashtu ndodhi.

Tona ka marrë pjesë pjesërisht edhe në çështjen ‘Gërdeci’, pasi në dhjetor të vitit 2012, njohu përfitimin nga amnistia të 4 të akuzuarve për Gërdecin, biznesmenin e hekurit Mihal Delijorgji, ish drejtorin e fabrikës së Gërdecit, Dritan Minxolli, ish-kreun e MEICO-s, Ylli Pinari dhe specialistin e armatimeve, Sokol Ngjeci, të cilët akuzoheshin për plagosje të rëndë nga pakujdesia.

Në mars të vitit 2015, gjyqtari Sokol Tona ka marrë pjesë edhe në procesin ndaj Konstandin Xhuvanit, djali i ish deputetes dhe aktores Luiza Xhuvani, i akuzuar për vrasjen e katër personave. Xhuvani u dënua me 35 vite burg, duke i shpëtuar dënimit me burgim të përjetshëm. Tona është bashkëshorti i këngëtares Manjola Nallbani. Kjo e fundit, ka rrëfyer se “bashkëshorti im është shumë i mençur, (jo se është bashkëshorti im). Ai nuk është as liberal, as konservator. Në fillim ishte xheloz sepse nuk më njihte, tani që më njeh nuk ka nevojë të jetë as njëra e as tjetra se e di kë ka në shtëpi”.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *