Gjykata Kushtetuese vulos zgjedhjet e 30 qershorit

Gjykata Kushtetuese ka certifikuar zgjedhjet lokale të 30 qershorit duke rrëzuar kërkesën e Shoqatës së Bashkive të drejtuar nga Voltana Ademi për t’i quajtur të pavlefshme.
Pas shqyrtimit të padisë së bërë, administrimit të opinionit të Komisionit të Venecias dhe dëgjimit të palëve dy ditë më parë, sot vendosi që të rrëzonte ankesën duke njohur si të ligjshëm procesin.
PD-LSI nën dirigjimin e Ilir Metës, Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, i bojkotoi zgjedhjet duke lënë në tavolinë të gjithë kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë.
Njoftimi:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancat plenare publike në datat 23.06.2021 dhe 02.11.2021 çështjen me palë kërkuese Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, me objekt:
1. Konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar në 30 qershor 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, dhe si rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve.
2. Verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019.
Gjykata Kushtetuese, pasi dëgjoi palët ndërgjygjëse në gjykimin kushtetues, mori në shqyrtim opinionin amicus curiae të Komisionit të Venecies,
VENDOSI:
– Rrëzimin e kërkesës.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.